Sejko në takimin e Perusë, FMN: Kujdes kreditë me probleme

Oct 13, 2015 | 13:59
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat këtë vit u zhvilluan në Lima të Perusë.

AM15 IMFC Governors' Family Photo

FMN ka theksuar se Kushtet e shtrënguara të financimit, ngadalësimi i hyrjeve të kapitalit, kursi i këmbimit dhe borxhet e larta valutore të sektorit privat, përbëjnë rreziqet kryesore me të cilat përballen ekonomitë në zhvillim. “Në shumicën e vendeve të zhvilluara, rreziku kryesor vlerësohet të jetë ngadalësimi i mëtejshëm i rritjes. Një nga shqetësimet kryesore vazhdon të jetë niveli i lartë i borxhit”- thuhet ne deklarate.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

“Në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar”- njofton BSh.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe planit të veprimit ndërinstitucional dhe masave të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e nivelit të kreditimit dhe uljen e kredive me probleme.

“Guvernatori dhe përfaqësuesit e Fondit ndanë të njëjtin mendim se niveli i lartë i kredive me probleme ndikon jo vetëm në mbarëvajtjen e stabilitetit financiar, por pengon dhe mbështetjen e ekonomisë me fonde. Prandaj dhe zgjidhja e kësaj çështjeje ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë. Në përfundim, u theksua se sistemi bankar shqiptar vlerësohet financiarisht i shëndetshëm, me një nivel të lartë kapitalizimi dhe likuiditeti”- theksohet ne njoftim.

Në takime, u diskutua dhe mbi masat e ndërmarra nga qeveria në fushën e energjisë dhe të informalitetit, ku përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së i vlerësuan pozitivisht këto reforma, si dy drejtime kryesore që do të ndikojnë pozitivisht në zbutjen e rreziqeve buxhetore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura