Sejko: Kujdes me koncesionet, projektet në rrugë kanë risk në realizim

Nov 20, 2018 | 14:38
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, rekomandoi që projektet me koncesion në infrastrukturë të mirëanalizohen. Sejko u shpreh se i ka sugjeruar qeverisë që të rrisë analizat teknike të projekteve.

sejko1

“Këtu ka një risk të caktuar, sepse këto projekte kanë të bëjnë kryesisht me investime në infrastrukturë, në rrugë, ku asnjë nuk është i sigurt nëse projekti do të ketë strukturimin dhe investimin e përcaktuar. Shpeshherë investimet në infrastrukturë kanë nevojë për projekte shtesë gjatë rrugës dhe kjo e komplikon projektin. Prandaj do të duhet të bëhet një projekt sa më i strukturuar. Pikërisht për këtë arsye i kemi sugjeruar qeverisë që të rriten kapacitetet teknike dhe financiare në përgatitjen dhe analizimin e projekteve. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për bankat, të cilat do të bëjnë analizën e projektit”, u shpreh Sejko.

Guvernatori tha se kontabilizimi i projekteve duhet të kryhet sipas standardeve ndërkombëtare, me qëllim vlerësimin e tyre në treguesit e borxhit. “Vlerësimi i rrezikut që vjen nga programet e partneritetit publik-privat, apo ndryshe PPP-të, sugjeron se shmangiet nga kërkesat e ligjit për pagesat vjetore të PPP-ve deri në nivelin 5 për qind të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, do të përballohen nëpërmjet rritjes së të ardhurave. Banka e Shqipërisë gjykon se, përtej këtij mekanizmi rregullues në funksion të respektimit të tavanit ligjor, rritja e mundshme e deficitit buxhetor duhet të shmanget nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve buxhetore. Për më tepër, ky reduktim duhet të targetojë në maksimumin e mundshëm sektorët buxhetorë, të cilët i prodhojnë këto shmangie. Sanksionimi i këtij parimi i shërben ruajtjes së balancave buxhetore, ruajtjes së balancave në shpërndarjen ndërsektoriale të fondeve dhe disiplinimit të kontraktimit të këtyre programeve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë sugjeron nevojën e zbatimit të standardeve më të mira në fushën e kontabilizimit të ndikimit të tyre në treguesit e borxhit”, u shpreh Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura