Sejko: Gati plani për kreditë e këqija

Jul 1, 2015 | 14:02
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi dje se tashmë është gati plani për zgjidhjen përfundimtare të kredive të këqija, i cili do të bëhet me dije së shpejti. “Në përputhje me kahun e politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka vazhduar aplikimin e masave lehtësuese mbikëqyrëse e rregullatore. Gjithashtu, së shpejti do të lançojmë një projekt madhor, i cili synon të adresojë përfundimisht çështjet e lidhura me trajtimin dhe reduktimin e kredive me probleme. Të gjitha këto masa kanë ndihmuar dhe pritet të sjellin një mbështetje më të mirë me fonde të ekonomisë shqiptare”, tha Sejko.

Nga ana tjetër, ai u ndal edhe në qëndrimin e Bankës për politikën monetare e ku norma e interesit për lekun është në nivelet më të ulëta historike, duke synuar nxitjen e ekonomisë. Madje edhe në vijim, objektivi është që kjo politikë të mbetet stimuluese edhe në vazhdim. “Në skenarët aktualë, politika monetare do të vazhdojë të mbetet stimuluese edhe për disa tremujorë në vazhdim. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të marrim çdo masë shtesë që të jetë e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të fuqisë blerëse të familjeve shqiptare”, tha Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura