“Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, në tri gjuhë të huaja

SHPËRNDAJE

FRANO KULLI/ Stefan Çapaliku me dy vëllimet e botuara në harkun e një viti, ka ndarë me ne një periudhë njëzetvjeçare prej një kohe të çmendur, e cila kaloi si një sëmundje e gjatë dhe sfilitëse mbi trupin e një vendi të varfër e të pashpresë, siç qe Shqipëria komuniste.

stefan-capaliku

Çapaliku, në të dy vëllimet e para të sagës së vet i ka trajtuar ngjarjet e përzgjedhura si lëndë artistike, të cilat më vonë kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë në mendjet e lexuesve karaktere njerëzore sa reale e absurde, aq edhe ekspresioniste e sureale.

Vëllimi i parë i ka shtjelluar ngjarjet në qytetin e Shkodrës, aty ku autori ka kaluar fëmijërinë e vet, duke shënuar kështu kontributin e tretë të rëndësishëm mbi qytetin. Siç besoj të gjithë biem dakord, libri i parë i çmuar për Shkodrën është “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit botuar më 1504, i dyti është “Shkodra e rrethueme” e Dom Ndoc Nikajt në vitin 1913 dhe i treti… këto dy vëllime që kemi tani në dorë.

Gozhdët që mbajnë të tërhequr litarin e ngjarjeve në romanin e parë të Çapalikut janë ngulur njëra në vitin 1967, kur Shqipërinë e shpallin shtet ateist dhe tjetra në vitin 1985, kur vdes ai që e shpalli, Enver Hoxha. Brenda këtyre dy ngjarjeve të forta, që përcaktojnë edhe segmentin më të ashpër dhe fanatik të komunizmit shqiptar, nxjerr krye një ngjarje tjetër, në dukje e vogël, që është ardhja e televizorit në shtëpinë e vendosur në qendër të romanit.

Kopertinat e romanit të Stefan Çapalikut, në gjuhën serbe, maqedonase dhe franceze

Ardhja e kësaj kutie magjike, tamam në çastin kur Shqipëria po kthehej në një ishull të shkretë e të pashpresë, e ndan romanin në tri pjesë: Para, Gjatë dhe Mbas. Romani e nis turin tregimtar ndërsa jashtë po shkatërroheshin institutet e religjionit dhe brenda po lindte një institute i ri besimi, që ishte televizori, media. Ai i vë fre kallëzimit në kohën e realizimit të ëndrrës së diktatorit, vdekjes së tij në shtrat. Veçanërisht gjatë viteve të shndërrimit të shtëpisë së rrëfimtarit në një kinema, kemi rastin të njihemi nga afër me karakteret, të cilat qyteti bujarisht ia ka dhuruar kujtesës së autorit.

Autobiografik, romani është një dëshmi letrare e trupit, shpirtit dhe mendjes së vendit, përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa. Personazhet që lëvizin nëpër ngjarje, por që edhe i parathonë e i projektojnë ato, janë aso qytetarësh, arketipa të një qytetërimi bashkëkohës.

Kopertinat e romanit të Stefan Çapalikut, në gjuhën serbe, maqedonase dhe franceze1

Ndërsa romani i dytë i ciklit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i vendos ngjarjet jo vetëm në Shkodër, por veçanërisht në Tiranë, si dhe në Tropojë e Jug të Shqipërisë. Ato nisin në prill të vitit 1985 dhe mbarojnë në fund të vitit 1990.

Ky libër është vazhdim i vëllimit të parë të ciklit romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, por mund të lexohet veçmas dhe pavarësisht nga i pari.

Romani i dytë ka 29 kapituj dhe, ashtu si i pari, është ndarë në tri pjesë: “Fundi i tunelit dukej i errët dhe i pafund”, “Midis të metave kemi edhe dobësi” dhe pjesa e tretë, “Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri”.

Pjesa e dytë e “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, si edhe e pjesa e parë, merret me komunizmin shqiptar, tashmë në momentet e grahmave të tij, me kohën kur ai dukej më i frikshëm dhe më i rrezikshëm se kurrë.

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” II vjen dhe shuhet në misterin e rënies së sistemit politik në dhjetor të vitit 1990.

Ky cikël romanesk në pikëpamje teorike ka lidhje të drejtpërdrejtë me termin Bildungsroman, term që më së pari u krijua në 1819 nga filologu gjerman Karl Morgenstern në leksionet e tij universitare dhe më pas u rimor dhe u trajtua ndër stilema edhe më të epërme estetike nga Wilhelm Dilthey, i cili e legjitimoi dhe e popullarizoi atë në fillim të shekullit të XX.

Në kritikën letrare, një Bildungsroman është një zhanër letrar që fokusohet në rritjen psikologjike dhe morale të protagonistit nga rinia e hershme në moshë të rritur, përgjatë së cilës ndryshimi i karakterit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Zhanri karakterizohet më tej nga një numër tiparesh formale dhe tematike. Ai shpesh lidhet me rritjen e një personi të ndjeshëm që shkon në kërkim të përgjigjeve për pyetjet themelore të jetës, me shpresën se këto përgjigje do t’i formulojë vetë rritja dhe zgjerimi i përvojës. Zhanri shpesh përbën një konflikt themelor ndërmjet karakterit kryesor dhe shoqërisë.

Cikli romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” udhëhiqet prej dy predispozitash të forta emocionale. Ka vetëm dy emocione në botë, vetëm dy emocione që mund të shprehim dhe këto dy emocione janë: frika dhe dashuria. Të gjitha emocionet e tjera me të cilat jemi aq familjarë, nuk janë asgjë më shumë se nënkategori të këtyre dyjave. Ku ka dashuri mund të ketë paqe, gëzim, qetësi e në anën tjetër, aty ku sundon frika do kemi ankth, trishtim e lodhje.

Kur personazhi kryesor ka frikë, ai i kthen shpinën jetës dhe kur dashuron, ai ia hap të gjitha dyert pasionit dhe ngazëllimit. Në faqet e romanit autori mëson ta dojë veten e vet me të gjithë lavdinë dhe papërsosmëritë e veta. Veçanërisht në këtë vëllim të dytë ai vë në ballë moton e John Lennon, që thotë se: “Nëse nuk mundemi ta duam veten, nuk mund të jemi plotësisht të hapur ndaj aftësisë sonë për të dashur të tjerët dhe gjithashtu ndaj potencialit tonë për të krijuar”.

Me rastin e botimeve në frëngjisht, serbisht, maqedonisht dhe në prag të daljes në qarkullim të vëllimit të tretë, gjejmë rastin të falënderojmë përkthyesit Ardian Marashi për versionin në frëngjisht, Danillo Brajoviç për versionin në serbisht dhe Jordana Shemko për versionin në maqedonisht. Po kështu, falënderimet shkojnë edhe për botuesit “Meet” në Francë, “Clio” në Serbi dhe “Ars lamina” në Maqedoni.

PANORAMA

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.