“S’e harrojmë kurrë ndihmën gjatë Holokaustit”, flet kreu i ekspertëve izraelitë: Me ju deri në fund. Ç’është “Harta e dhimbjes”, që zbulon problemet

Dec 6, 2019 | 10:44
SHPËRNDAJE

Izraeli është një prej shteteve që ka dhënë një ndihmë të madhe për vendin tonë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

Koloneli Golan Vach
Koloneli Golan Vach

Kolonel Golan Vach, drejtues i njësisë së kërkimit dhe shpëtimit i Ushtrisë izraelite, në një intervistë për televizionin “News 24”, thotë se populli i tij nuk e harron ndihmën që shqiptarët u kanë dhënë hebrenjve gjatë Holokaustit. Bashkë me inxhinierët, koloneli vetëm gjatë ditës së djeshme ka inspektuar 35 godina në qytetin e Durrësit, ku 90% e tyre ishin të sigurta dhe pa probleme.

Ekipi, i përbërë nga 10 persona, po përqendrohet në inspektimin e ndërtesave për të zbuluar nëse struktura e tyre ka mbetur e shëndoshë pas tërmetit.6-1

“Dje, ne kemi inspektuar në Durrës 35 ndërtesa, jam i lumtur t’ju them se më shumë se 1000 familje u autorizuan të ktheheshin në banesat e tyre. Më shumë se 90% e godinave që ne inspektuam, kishin kodin jeshil, që do të thotë janë të banueshme për banorët”. Koloneli izraelit, i cili gjatë 15 viteve të fundit ka qenë i pranishëm në Meksikë, Haiti, Nepal e së fundmi në Brazil për të dhënë asistencën e tij në përballimin e katastrofave natyrore, deklaroi se kanë një plan konkret që prej dy ditësh po e vënë në zbatim. Ekipi do të këshillojë autoritetet lokale se si të menaxhojë fatkeqësinë.

“Kemi ekspertizën që konsultohemi direkt në Izrael, kemi interaktivitet të vazhdueshëm me ta. Ata u përgjigjen pyetjeve tona. Ne jemi këtu që të japim kontributin tonë me eksperiencën që kemi sigurisht në fatkeqësitë natyrore dhe në luftëra. Ne kemi një plan për të bashkëpunuar për të gjitha nevojat, jemi këtu për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe autoritetet për të planifikuar hapat e ardhshëm, duke u bazuar te të dhënat e mbledhura deri më sot. Ne kemi një pajisje qe e quajmë ‘Harta e dhimbjes’, ajo vendos të gjitha të dhënat së bashku dhe nxjerr në pah problematikat reale. Kështu vendosen piketat te prioritetet dhe fokusojmë fuqitë dhe burimet në vendet e duhura. Gjëja e dytë është kur inxhinieri vjen me kontraktorin, i cili bën gati rregullimet përfundimtare të nevojshme nëpër banesa, në mënyrë që njerëzit të mos rrinë jashtë banesave, vetëm se banesa e tyre ka nevojë për rregullime të vogla”, u shpreh koloneli.Pasojat-e-termetit-ne-Durres-Zona-plazhit-3-665x650

Ai thekson se kanë sjellë me vete gjithë diturinë dhe eksperiencën e duhur, të cilën po ua përcjellin inxhinierëve shqiptarë.

“Kemi sjellë me vete disa koncepte të thjeshta, që do të jenë së pari shumë të nevojshme për inxhinierët shqiptarë, kur të ikim ne ata do ta dinë se çfarë të bëjnë. Ne do të lëmë metodologjinë në terren për ta, ata do të dinë ta zbatojnë shpejt dhe në mënyrë profesioniste dhe t’i bëjnë qytetarët të jenë të sigurt. Ata do të kthehen shpejt në banesat e tyre. Nesër do të trajnojmë një grup të madh me inxhinierë shqiptarë”, shtoi ai.

“News 24” ndoqi inspektimin e ekipit izraelit në një pallat në Durrës, ku me shpejtësi, fotografitë dhe informacioni u dërgohej në kohë reale kolegëve në Izrael për të vendosur për fatin e pallatit, nëse ishte i sigurt apo i pabanueshëm.

“Këtu jemi në mes të një inspektimi, u dërgojmë në kohë reale kolegëve tanë në Izrael fotografitë dhe kështu ndajmë me ta edhe opinionet tona. Dëmi në këtë banesë nuk është aq serioz, kemi parë më keq, por është vetëm një pikë në kolonën brenda, e cila do të inspektohet më mirë”, theksoi Golan Vach. Në fund, koloneli u shpreh se do të qëndrojnë pranë popullit shqiptar, derisa të rikthehet normaliteti.

“Dua t’i them popullit shqiptar se populli hebre nuk harron se çfarë keni bërë për ta në Holokaust. Dhe shteti i Izraelit gjithmonë i paguan borxhet. Qëndroni të sigurt dhe ju ndihmoftë Zoti dhe se do të jemi me ju për aq kohë sa ju duhet që t’i riktheheni jetës normale”, tha koloneli Vach. Gjashtë shtete anëtare të BE-së kanë dërguar 50 inxhinierë strukturorë, më shumë pritet të vijnë, për të vlerësuar dëmet së bashku me homologët vendës. Qeveria shqiptare i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë financiare dhe ndihmë ekspertësh, duke thënë se është e paaftë ta bëjë atë vetëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura