“S’do ketë amnisti për veprat penale”/ Presidenti ktheu në Kuvend ligjin për PPP e Aeroportit, Balluku apel deputetëve ta votojnë: Ja pse pretendimet nuk qëndrojnë

Mar 8, 2021 | 12:56
SHPËRNDAJE

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u kërkoi sot deputetëve në Kuvend që të votojnë projektligjin për koncesionin e Aeroportit “Nënë Tereza”, pasi u kthye për rishqyrtim në Parlament nga Presidenti Ilir Meta.

Sipas ministres Balluku pretendimet e kreut të shtetit lidhur me kohën e negocimit nuk qëndrojnë, ndërsa hodhi poshtë po ashtu akuzat për ndryshim të aksionerit.  

“Ne jemi shprehur gjerësisht sipas këtij projektligji, kemi argumentuar me fakte dobinë e rinegocimit të kësaj kontrate dhe e kemi bërë edhe gjatë ditës së premte në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Do desha të ndalesha në disa pika që përfshijnë dy pika, sa i përket pjesës së afateve të negocimit apo disa pretendimeve të ardhura nga Presidenca. Duhet thënë që në asnjë moment kjo nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, bëhet fjalë për një kontratë koncesionare dhe si e tillë janë zbatuar të gjitha afatet ligjore për të përmbushur çdo kërkesë për rinegocimin e kësaj kontrate.

Gjithashtu duhet pasur parasysh pasi kemi parë argumentin e juristëve të presidencës sa i përket kohës së negocimit. Ky negocim ka filluar që në janar të 2020-ës dhe ka marrë më shumë kohë për shkak të Covid-it. Por negociata e një kontrate koncesionare bëhet me kompaninë, me shoqërinë, jo me aksionerin. Pasi është pretenduar nga Presidenca se aksioneri është ndryshuar. Nuk është e vërtetë.

Ndryshimi i aksionerëve nuk përbën ndryshimin e shoqërisë. Shteti përmes këtij rinegocimi ka arritur të imponohet te koncesionari për shtimin e investimeve deri në 99 milionë euro, që do të konsistojnë si në rritjen e cilësisë së shërbimeve, si në rritjen e kategorisë nga 4C në 4E, me zgjatimin e pistës dhe përmbushjen e kushteve të sigurisë”, tha Balluku.

“Unë kërkoj që Parlamenti të votoj për miratimin e këtij projektligji pasi është në dobi të qytetarëve dhe vizitorëve që çdo vit shtohen”, theksoi ajo.

Presidenti Meta deklaroi se ai ligj bie ndesh me parimet e Kushtetutës, anashkalon të gjithë kuadrin ligjor në fuqi dhe është një tjetër provë flagrante e “korrupsionit legjislativ” dhe kapjes së shtetit.

Sipas kreut të shtetit marrëveshja është bërë me nxitim, pa konkurs, dhe pa transparencë duke zgjatur afatin e koncesionit nga 22 në 35 vjet.

“I bëj thirrje çdo deputeti dhe çdo zyrtari të lartë të administratës, të reflektojë me shumë përgjegjësi mbi këtë nismë dhe të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet e vendit, që janë në zbatim të saj, duke e paralajmëruar njëkohësisht se për çdo vepër penale të konsumuar, gjithçka po mbahet shënim dhe nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi” – tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura