‘S’del që këtu’, thirrjet që shpëtuan nga pengmarrja dentistin në Tiranë

Feb 2, 2017 | 13:20
SHPËRNDAJE

Zbardhen detaje nga pengmarrja në mes të Tiranës. Personi që u mbajt peng është identifikuar si dentisti David Pina, i cili nuk u lejua të dilte nga klinika e tij, duke u kërcënuar nga babë e bir, të cilët pretendonin se i kishte para borxh.

policia-tirane_1_3_14_0

Babë e bir, të cilëve ai u detyrohej 7 mijë lekë të rinj, e kanë lidhur 41-vjeçarin në klinikën e tij, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke e mbajtur peng deri sa t’u kthente paratë, raporton “Panorama”.

Policia tha se është lajmëruar për ngjarjen nga qytetarë që banojnë pranë vendit ku ndodhet klinika e dentistit David P., dhe menjëherë është bërë i mundur lirimi i “pengut”. Ndërsa është arrestuar 32- vjeçari Erjon Basha dhe babai i tij, Qani Basha, 71 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë, për heqje të paligjshme të lirisë.

Policia tha se mes të dëmtuarit dhe autorëve ka pasur një mosmarrëveshje për një çështje pagese, që babë e bir pretendonin se nuk e kishin marrë nga ana e dentistit, ndërsa ky i fundit mohonte t’u kishte para borxh.

Pavarësisht se ka tentuar t’ua argumentojë për gati dy orë që mbahej peng, se paratë që i pretendonin ua kishte dhënë, autorët nuk e kanë lejuar të dalë nga klinika, deri në momentin që aty kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr.3.

HETIMI

Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se mbrëmjen e së martës, shtetasit Erjon e Qani Basha kanë mbajtur pa dëshirën e tij në ambientet e një klinike, shtetasin David P., 41 vjeç. Ngjarja, sipas Policisë, ka ndodhur në rrugën “Sami Frashëri”, në klinikën stomatologjike të shtetasit që u mbajt peng nga dy të dyshuarit.

Shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë një shumë parash, që babë e bir pretendonin se ua kishte borxh 41-vjeçari dhe e kërcënonin se nuk do ta lejonin të dilte nga klinika e tij pa u kthyer shumën prej 7 mijë lekësh të rinj.

Burimet thanë se sipas të dyshuarve, mes tyre dhe të dëmtuarit ka pasur një marrëveshje qiraje për ambientin ku ai ushtron aktivitetin dhe dentisti nuk i kishte shlyer të gjitha detyrimet financiare që kishte ndaj tyre.

Kjo ka qenë arsyeja që ata kanë shkuar në klinikën e tij dhe pasi e kanë lidhur, e kanë mbajtur dy orë brenda, duke i thënë se nuk dilte nga aty derisa t’u kthente paratë.

Pavarësisht se ndaj tij nuk është ushtruar dhunë, 41-vjeçari ka nisur të thërrasë e të kërkojë ndihmë.

Thirrje që janë dëgjuar nga disa qytetarë, të cilët të shqetësuar kanë lajmëruar Policinë në sallën operative.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura