“Sars Covi i dyte. Triumfi dhe vdekja”- Një tregim aktual i doktorit dhe shkrimtarit të njohur Flamur Topi

Nov 7, 2020 | 21:04
SHPËRNDAJE

flamur-topiNga Flamur Topi

Më kot mburren amerikanët me Boinget e tyre, por edhe evropianët me Airbusët! Të shumtën, ata mund të mbartin një mijë pasagjerë në bordet e tyre. Kurrë, asnjëherë, ata nuk do të mundin të konkurojnë “Lakuriqin e Natës”, transportuesin gjigand të mikrobeve dhe viruseve. Në barkun e stërmadh, një avion i tillë mund të mbartë miliarda pa numërim virusesh dhe mikrobesh çfarëdo!

Bash, këta avionë, në muajt e fundit kishin dendësuar fluturimet në qiellin kinez të Wuhanit. Në të vërtetë, transportuesit supergjigandë për tu ulur dhe ngritur, nuk kishin aspak nevojë për një pistë si ato të aerodromëve njerëzorë. “Lakuriqët e natës” mund të ngriheshin vërtik nga çfarëdo terreni, sado i thyer të ishte. Nëse për ngritje, një avioni njerëzor i duhej të ndizte tërë motorrët e të lëshohej furishëm me gjithë shpejtësinë maksimale në tërë gjatësinë sa të hante syri të pistës së aerodromit, krejt ndryshe prej syresh, “Lakuriqët” nisur nga çfarëdo terreni shkëmbor a të butë, të gjelbër, fitonin në çast shpejtësinë e lartësinë që u nevoitej.

Këtë avantazh aspak të zakonshëm, po shfrytëzonte Sars Covi i dytë për transportin e miliardave pa numurim për në “Pistën Natyrale të Wuhanit”, përzgjedhur përpikmërisht në një kodrinë, që ndodhej midis pazarit të lagësht dhe laboratorit të kërkimeve bakteriologjike.

Brenda laboratorit, prej vitesh, si në burg, mbaheshin të mbyllur me dhunë miliarda sarsër të familjeve të ndryshme. Nëse që nga epidemia e viteve 2002-2003, Sars Covit të parë nuk i gjendej nami e as nishani, brenda aparateve specialë hermetikë të laboratorit, mbaheshin ende gjallë luftëtarë sarsistë të gardës së tij.

Ndonëse vrisnin mendjen për tu dhënë shpjegim fluturimeve të pandërprera as ditë e as natë të avionëve transportues “Lakuriqi i natës”, askush në Wuhan, nuk po mundej të zbulonte të vërtetën!  Dhe është e kuptueshme. Pritej! Sarsërit punonin në heshtje dhe sekret të plotë. Kur ndonjërit prej rojeve, duke i besuar bashkëbiseduesit, i shkonte padashur goja, i bëhej gjyqi aty për aty dhe brenda pak sekondave, ekzekutohej pa më të voglën mëshirë!

Të besuarit e Sars Covit të parë, i dinin arsyet e forta të atij transporti  të pazakontë. Qëllimi i Sars Covid të dytë ishte mbushja e tërë sheshit te pamate, me miliarda pa fund e numërim, ushtarësh sarsë.

***

Por ndonëse zbarkimi vazhdonte prej muajsh pa më të voglën ndërprerje, u bë e qartë se ideja për t’a mbushur hapësirën e pafund me trupat e ushtarëve sarsër, qe thjeshtë krejt e pamundur. As edhe njëherë dhe për këtë askush nga prijësit nuk kish dyshimin më të vogël, nuk do të mund të mbushej kurrë e në asnjë kohë! Arsyeja qe fare e thjeshtë, fare e kuptueshme…Ishin shumë shumë të vegjël, aq sa edhe mikroskopët e zakonshëm nuk i shquanin dot. Secili syresh zinte aq pak vend, sa nuk kish aparat e as përmasa matematikore njerëzore t’a llogarisnin…

***

Është e mundur të numërohen ndonjëherë kokrrizat e një ranishteje të tërë? Ja kështu, qenë shtresuar dhe mbivendosur ata, miliardat e pafundme të sarsëve ushtarë. Stiva të tëra gjallesash të pështira njëra mbi tjetrën. Megjithë zbarkimet e parreshtura as ditë e as natë dhe kështu prej gati një viti të avionëve “Lakuriqi i natës”, sërish stivat mezi mirrnin lartësi.

Në një kuotë të caktuar, në qendër të “pistës”, nisën punimet për ngritjen e një përmendoreje. Kjo e papritur i shtoi më shumë misteret e pikëpyetjet për atë përqëndrim  sarsësh kurrë të parë deri atëherë. Përse zbarkime të njëpasnjëshme që s’rreshtnin as ditë e as natë dhe kështu prej muajsh të tërë? Po monumenti? Përse dhe për kë? Ç’pritej të ndodhte?..

E fshehta torturuese u mësua mënëfund. Bëheshin përgatitjet për një ofensivë mbarëbotërore! Ishin nxjerrë mësime të vyera nga lufta e pafat e Sars Cov njëshit, 17 vjet më parë! Sulmuan nxitimthi, pa u menduar gjatë, pa më të voglën përgatitje dhe sulmuan pak vende; së brendshmi vetë Kinën, por edhe Tajvanin fqinj, Honkongun, Tajlandën, Vietnamin dhe krejt rastësisht përfunduan deri në Kanadanë e largët. Për kaq shtrirje, rezultate vërtetë të trishta! Vetëm 8000 të infektuar dhe ca më keq akoma, 800 vdekje. Nuk bëhej bilanc më i keq dhe më pezmatues për një agresor shumë dhe shumë miliardësh!

Sars Covi i dytë, më i ri se i pari, më dinak, më trim, më kurajoz, më shumë lakmitar, kish shpjegimin e vet për atë dështim katastrofik. Sars Covi i parë, nisi ofensivën e gjërë në moshën kur prijësa të tjerë të botës së tyre mikrobike e të viruseve, dalin në pension dhe tërë barrën ua e lejnë më të rinjve! E megjithatë, me tërë zhgënjimin, pakënaqësitë, vërejtjet dhe rezervat e shumta, lypsej nderuar! Kish bërë aq sa kish mundur, aq sa dinte dhe fundit, nuk kish qenë fajtor i drejtpërdrejtë për asgjesimin tragjik të ushtrive shumëmiliardëshe.

I nxehti më i madh i 250 viteve të fundit në Korrikun e 2003-shit, ua hëngri kokën! Ngritja e përmendores për Sars Covin e parë dhe fjalimi historik që do të mbante me këtë rast, do të rriste pa më të voglin dyshim, moralin e trupave në prag të ofensivës mbarëbotërore, të pa parë kurrë më parë.

***

Monumenti i dukshëm veç për sytë e tyre, po ngrihej pak e nga pak, madje tepër ngadalë ; mezi po përftonte lartësinë e projektuar nga arkitektët viruse, megjithë punimet e pandërprera ditë dhe natë dhe muajsh të tërë! Ngadalësia kish natyrisht shpjegimin e vet. Nuk qe aspak monument i zakonshëm! Që nga themelet e deri në majën më të lartë, do të ndërtohej dhe ngrihej me trupa të gjallë të sakrifikuarish sarsë!

Për shkak të dimensioneve më të vogla që mund të përfytyrohen të të sakrifikuarve, Sars Covi ishte i bindur që më parë se kështu do të ndodhte. Dinte po kështu se do t’u duhej të prisnin gjatë, shumë gjatë, edhe për një mijë arsye të tjera për nisjen e një lufte botërore. E kish ndarë mendjen njëherë e mirë. Do të priste me plot durim dhe krejt pa u mërzitur, sikurse deri tani, për plot 17 vjet, çastin e madh të shumë ëndërruar…

***

Mbërrin më në fund dita , ora dhe minuta e saktë e inaugurimit solemn!

Kur Sars Cov dyshi dhe suita e tij një miliardëshe, zbriti nga avioni mbretëror “Lakuriqi i nates”, hapësira gjigande e stërmbushur nga mizëria e pafund e sarsëve ushtarë, oshëtiu fort nga thirrjet e fuqishme.

Hijerëndë,  kryelartë, i krekosur, mendjemadh, krenar, përshkoi me çape të ngadalshme, pa u nxituar, korridorin e hapur midis trupave, që të shpinte drejt monumentit.

Coha e zezë që e mbulonte, valëvitej lehtas dhe e bënte më të mistershëm, më të frikshëm e kërcënues të panjohurin, që do të zbulohej pas pak.

Prijësi, ndën vështrimin gati gati të hipnotizuar e të ethshëm të shumë e shumë miliardave, u ngjit hijerëndë në podiumin e ngritur shumë pranë monumentit. Masa e pafundme e ushtarëve sarsër, që shtrihej tej tutje, gjer në horizontin e largët, tani në heshtje të thellë pas brohoritjeve të fuqishme për Kryekomandantin e Përgjithshëm, s’pipëtinte. Prisnin gojëhapur dhe me padurim fjalën e tij.

-Ushtarë trima, ju përshëndes!-thirri fort Sars Covi i dytë, me krahun e shtrirë drejt përpara.

-Urra! Urra! Urra!-jehoi përgjigjja e fortë shurdhuese e miliardave.

-Jam këtu për të nderuar kujtimin e të paharruarit, prijësit legjendar, Sars Cov i parë!

Plot 17 vjet më parë, edhe pse në moshë të thyer, guxoi dhe sulmoi egërsisht vendlindjen e vet, Kinën, dhe vendet për rreth! Mundi të shkojë tepër larg sandejmi. Gjer në Montreal të Kanadasë. Por mosha natyrisht e bëri të sajën! Nga nëntori i vitit 2002 deri në korrik të 2003-shit  infektoi plot 8000 persona dhe u mori jetën 800 vetëve! Natyrisht, mjaftueshëm për atë kohë, për atë fillim. Mjerisht, për fatin e tij të zi, e mori me aq shumë ngè, sa mbërriti krejt pa e vënë re, vera e llahtarshme e 2003, i nxehti përvëlues më i madhi i 250 viteve të fundit! Torturuar nga temperaturat skajshmërisht të larta, të tharë, të plasaritur më shumë se toka, të etur në palcë për një pikë ujë, u dogjën në diellin përvëlues të mesditës si cironka! Miliarda pa numërim, nisën të shtriheshin të pafryma në truallin e huaj armik!…

Në mbarim të korrikut 2003, nuk mundi të mbesë gjallë as edhe një vëlla sars! Në fund, fort i dëshpëruar, shpresë humbur, edhe ai vetë! Zoti i madh nuk qe me të!…

Heshti një copë herë. Në sheshin e pamatë kish pllakosur heshtja e thellë. Miliardat s’pipëtinin. Dëgjohej gjer dihatja e mundimshme anksioze e sarsëve ushtarë. Ishte bash çasti për të zbuluar monumentin. Sars Cov dyshi u dha sinjalin atyre që prisnin.

Mbulesa e zezë nisi të rreshqasë poshtë, të bjerë dalngadalë e të zbulojë pak e nga pak monumentin, që kish fshehur gjer atë çast për mizërinë e të padukshmëve.

Për shkak të rëndesës që rritej, e tërë mbulesa shkoi gjer në fund dhe të pranishmëve iu zbulua i plotë, Sars Covi i parë!

Nëse në të gjallë e zbukuronin ngjyra të praruara gjembash të zgjatur, që e bënin të përngjasonte aq shumë me një minë detare kundër anijeve dhe nëndetseve, skulptorët viruse i paraqitën turmës një koronë të errët, gri në të zezë, gjë që natyrisht i përshtatej monumentit të një të vdekuri të madh.

Sars Covi i dytë u ul në gjunjë. Si të komanduar edhe miliardat e pasosuara.

Në pozicionin e ri, u duk se monumenti u rrit në përmasat e veta dhe u lartësua. Turmat qëndruan një copë herë të gjunjëzuar, kohë gjatë së cilës, një mendim më i zymtë, më i trishtë dhe më i kobshëm se tjetri, i përshkuan mendjen dhe shpirtin Prijësit…

Jo! Kurrë jo! Nuk kish për të ndjekur të njëjtën rrugë si Sars Covi i parë! E nderonte vërtetë në sytë e shumë shumë miliardave, por së brendshmi e qortonte ashpër paraardhësin për udhëheqjen e gabuar taktike të luftrave. Fundi, fliste për dështimin e rëndë të Sars Covit të parë për të shtrirë sundimin  vdekjeprurës në mbarë botën njerëzore!

U përmend! Ishte ende në gjunjë! Po kështu turmat mizëri! Nuk duhej zgjatur më! I dha hov të menjëhershëm trupit. U ngrit! Në çast edhe shumë miliardat.

Në heshtje të thellë, kokëulur, si qenie të përvuajtura e të nështruara, e ndoqën pas anëtarët e shtabit madhor. Fillonte pas pak mbledhja e rëndësishme.

***

Sars Covi i dytë i dha një të shtyrë globit mbi tryezë, që nisi të rrotullohej. Përpara syve të çakërritura e plot ankth të anëtarëve të shtabit madhor, parakaluan me shpejtësi kontinente, vende, shtete, kryeqytete, qytete, detra, oqeane, vargmale gjigande, bota e tërë!

-Do të jemi, do të bëhemi zotër të plotfuqishëm të gjithë Planetit, sepse unë, me gjithë respektin e nderimin për të ndjerin, nuk jam ai, Sars Covi i parë! Kam plane të mëdha ambicioze! Plane gjigande! Nuk do të kënaqem kurrë me pak!…

Jo 8000 të infektuar në 9 muaj, por vetëm në një ditë të vetme!  800 të vdekur në një ditë, po ashtu! Gjatë këtyre 17 viteve, nuk kemi qëndruar duarkryq! Zbuluesit tanë më të mirë, shpërndarë në tërë botën, kanë mbledhur informacione të shumta dhe të hollësishme për gjendjen reale të shërbimit mjekësor botëror!…

Mbi bazën e këtij vëzhgimi vërtetë profesional, do të gjejmë një botë të dobët, krejt të papërgatitur! Zhdukja krejt e papritur dhe e paparashikuar e Sars Covit të parë në fund të Korrikut 2003, e përgjumi Planetin! Pandehën se e mbyllën me shumë pak humbje njerëzore dhe të vetëkënaqur kryqëzuan duart! Kaq lehtë e morën sa vetë, kujdestarja e madhe e shëndetit botëror, O.B.SH, hoqi dorë nga vazhdimi i kërkimeve për vaksinën e re antisarsër, hapat e parë për të cilën qenë zemërdhënëse!..

– Ivok!- iu drejtua gjeneralit të trupave zbuluese, aty pranë tij.-Në ç’përfundim kanë arritur repartet tuaja të zbulimit për gjendjen botërore të rezervave sanitare; maskave, dorezave, dezinfektantëve, gjer edhe veshjeve speciale mbrojtëse ndaj infektimeve virale?

-Repartet e mia të zbulimit kanë vërejtur një gjendje të mjerueshme botërore të mjeteve mbrojtëse, që sapo përmendët, por edhe të aparaturave speciale të frymëmarrjes së drejtuar! Do të gjeni Imzot, një Planet të dorëzuar qysh tani, sa pa nisur lufta!

-Ashtu?-bëri të habiturin Sars Covi i dytë.- Çudi! E përse ky lëshim i përgjithshëm?

-Thjeshtë sepse, gati gjysma e popullsisë së botës, Kina, Tajlanda, Laosi, Vietnami, Indonezia, Honkongu, Tajvani, thuajse nuk u prekën nga epidemia e vitit 2003! Është e vërtetë se Sars Cov njëshi mbërriti deri në Toronto të Kanadasë, por vetëm kaq! Nuk mundi të fitojë qoftë edhe një betejë në atë vend të madh! Po të pjestonim numrin e përgjithshëm të popullsisë së vendeve të prekura afër dy miliardëshe, me numrin e të infektuarve dhe të atyre që humbën jetën, do të dilte një shifër me shumë e shumë zero përpara, pra e pallogaritshme për tu konsideruar!

– E drejtë Ivok! Është e vërtetë se monopolin botëror të prodhimit të maskave dhe dorezave plastike e zotëron tëresisht Kina?

-Si urdhëron imzot! Kina zotëron monopolin botëror të prodhimit të materialeve sanitare!

-Ç’thonë zbuluesit? Cila është gjendja e rezervave të tyre?

-Kanë një rezervë botërore disa mujore! Nëse do të mbahemi, nëse do të rezistojmë të paktën njëqind ditë nga fillimi i Pandemisë, paralizojmë dhe bëjmë nul, tërë shërbimin mjekësor në Planet! Mirreni me mend imzot! Edhe vendi më i zhvilluar i botës, Amerika, nuk i prodhon vetë, si  më parë!  Për të mos e besuar, i porosit  në shifra marramendëse në Kinë! Gjithnjë në mes, janë interesat e biznesit! Kapitalistët e mëdhenj super miliarderë duan të fitojnë qoftë edhe centin për një maskë, për një palë doreza! Përfytyroni se ç’Botë, ç’Planet të mjerë do të gjejmë! Të dobët e krejt të çarmatosur! Kërdinë do të bëjmë!…

-Të lumtë Ivok!  Më bëre vërtetë me krahë! Kurse tani, përveç anëtarëve të Shtabit, gjithë të tjerët të shkojnë pranë trupave të tyre dhe atje të presin urdhërin tim më të fundit…

***

-Zotërinj të Shtabit, sapo mora vendimin për t’i shpallur luftë jo një vendi të vetëm apo një grupi vendesh, por Planetit, Botës mbarë! E thashë edhe më parë! Kemi mësuar shumë nga tragjedia dhe dështimet e rënda të Sars Covit të parë! Nuk do të sulmojmë njërin vend pas tjetrit, por të gjithë njëherësh dhe menjëherë! Nuk do t’u japim mundësinë dhe rastin as për të marrë frymë. Dhe ka vetëm një rrugë shumë të sigurtë e të shpejtë përhapjeje: Fluturimet ajrore! Qiejtë i përshkojnë mijëra avionë! Brenda pak orësh mund të shkosh sot nga një cep i Botës në tjetrin. Pra, ju po e kuptoni planin tim taktik! Të pushtojmë tërë aeroportet e s’andejmi hyjmë në thellësi të çdo vendi veçmas! E dini fort mirë nga eksperienca e jetës. Dy a tri vatra zjarri të njëkohëshme mposhten lehtësisht, por nëse bëhen të shumtë, nuk të mbetet veçse, me duar të kryqëzuara t’i shohësh nga larg…

Aeroporti i Wuhanit do të jetë stacioni i parë që do të pushtojmë! Prej andej, shpërndahemi në mbarë Kinën e lehtësisht pastaj, në tërë Botën! Drejtë aeroporteve do të shkojmë jo në rremujë të plotë, të nxituar, të paduruar dhe të ç’organizuar! E di mirë se menaxhimi i miliardave sarsër ushtarë  është i vështirë, por bash për këtë do të dëshmojmë qysh në orët e para të ofensivës, një rregullsi shembullore! Kyçi i artë i triumfit tonë do të jenë pikërisht qetësia, vetëpërmbajtja, disiplina dhe rregulli i plotë!

Prijësi i lartë mbaroi fjalën, por askush nga anëtarët e Shtabit nuk lëvizi nga ndejtëset, sikur të kishin ngrirë në atë pozicion. Qenë pushtuar të gjithë nga emocionet e forta të një lufte  mbarëbotërore, që do të shpërthenin pas pak. Gojëhapur kishin ngulur vështrimin tek Sars Cov dyshi dhe po prisnin. Vetëm atëherë, prijësi u kujtua që nuk u kish dhënë ende leje të ngriheshin.

-Mund të shkoni! Takohemi pak përpara mesnatës, në paradën e përcjelljes së trupave për në frontin botëror të luftimeve!…

Anëtarët e shtabit shkrinë! Të lehtësuar, teksa mirrnin frymë të çliruar, u ngritën dhe gjysmë të përkulur, plot përunjësi dhe nderim, lanë sallën e mbledhjeve të Shtabit, ndjekur nga vështrimi i ngultë dhe hetues i Sars Cov dyshit, jo më pak të prekur dhe mallëngjyer se ta! Nuk ish pak de! Një orë më vonë do të mësynin një Planet të tërë!

***

Parada e përcjelljes! Largoheshin përgjithnjë nga Wuhan! Gjallë ose vdekur, askush nuk do të mund të kthehej më! Merren me mend emocionet e mëdha të të gjithëve. Trupat e zgjedhura, përfaqësuese të miliardave pa fund, në kuadrate të rregullta, parakaluan përpara tribunës së udhëheqjes së lartë, përmes oshëtimës së fuqishme të thirrjeve të sarsërve ushtarë, por edhe spektatorë! Madje, në sytë e këtyre të fundit, mund të shquaje lehtësisht përlotjen e mallëngjimit të thellë.

Përtej tribunës, kuadratet e rregullta të sarsëve ushtarë, që sapo kishin mbyllur parakalimin, priteshin nga një rradhë e pasosur avionësh transportues “Lakuriqi i natës”. Sapo që bordet e tyre mbusheshin plot e përplot, ngriheshin me utërimë në qiellin gjysmë të errësuar të Wuhanit dhe me shpejtësi zhdukeshin përtej horizontit ende të përflakur të perëndimit të vonë, duke u humbur nga sytë ndjekësve të shumtë kuriozë.

E tërë flota ajrore e “Lakuriqëve të natës” kish vetëm një drejtim! Aeroportin lokal dhe ndërkombëtar të Wuhanit dymbëdhjetë milionësh prej nga, brenda pak orësh, transferoheshin në të tjerë avionë të fluturimeve ndërkombëtare ose të atyre lokalë, brenda për brenda Kinës!…

***

Nëse një luftëtar sars e krahasoni apo përngjasoni me të tjerë ushtarë, gaboheni! Ata janë krejt ndryshe! Makina ekzekutuese perfekte! Të programuara për të asgjesuar dhe vrarë! Ata kurrë nuk presin urdhëra nga të tjerë. Veprojnë fillikat të vetëm! Nuk ndryshojnë aspak prej një terroristi njeri! Tani, përfytyroni fuqinë e jashtëzakonshme asgjesuese të miliardave pafund! Asnjë ushtri njerëzore nuk mund të krahasohet me ta! Përveç numrit të forcave luftarake, pikë në të cilën ata janë të paarritshëm, sepse asnjë ushtri në planet nuk e kalon shifrën e një miliard ushtarëve, sarsët kanë një tjetër avantazh të jashtëzakonshëm. Janë thuajse asgjëja! E padukshmja vetë! Krejt të pavëne re! Dhe nuk ka tmerr më të madh se të përballesh me të pashikueshmen, që në të njëjtën kohë të sheh, përgjon dhe kontrollon çdo lëvizje, gjest apo veprim tëndin!…

Përfytyroni tani, miliarda terroristë krejt të padukshëm, shpërndarë në tërë aeroportet e Planetit, imbarkuar njëkohëshëm me qindra mijërat e pasagjerëve të të pesë kontinenteve!

Deri në këtë moment kritik nuk dihej asgjë dhe për këtë shkak, as flitej e as diskutohej për ta! Përfitonin kështu nga shkujdesja e pritshme e çdo pasagjeri. Dhe gjendeshin ngado! Në duart, në rrobat, këpucët, valixhet, çantat e dorës; fytyrë, hundë, flokë, në këndin e gojës, shumë pranë syve; në ndejtëset e avionit, revistat e shoqërive ajrore, koridoret e gjata të avionëve, banjot, kudo!…

Në zbritje, i qepeshin çdo pasagjeri, deri në adresimin final të tij: shtëpi, hotel, azil, kudo mundeshin…

Rrethi i të prekurve zgjerohej pafundësisht. Teksa pasagjeri, i porsambërritur në shtëpinë e dashur, përshëndetej dhe përqafohej plot mall me të afërmit, sarsët hop! Bënin kercimin e madh!

E dinin që më parë, gati e ndjenin instiktivisht, se duhej të kalonin me çdo kusht tek gjithë të tjerët e familjes dhe po atë ditë, ose maksimumi të nesërmen, në të tjerë e të tjerë, të afërm, miq, shokë, të njohur. Përhapja ngjasonte shumë me fenomenin e rrathëve të ujit pas hedhjes së një guri brenda tij. Fill një rreth e pastaj një i dytë, i tretë…
***
Fund Dhjetori. Shumë pranë festës botërore të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri. Krejt e sigurtë se, pa u mbyllur java e parë e Janarit të 2020-tës, ata do të qenë bërë zotër të plotfuqishëm të Botës!

Në të 14-tën ditë të pritjes, rreth datës 6 Janar 2020, agresioni sarsian do të shpërthente në mbarë Planetin. Fuqishëm, furishëm, krejt papritur, në befasi të plotë, pabesisht, pa paralajmërimin më të vogël, duke e gjetur Botën ende të përgjumur, euforike, për shkak të festimeve zhurmë mëdha e të hareshme mbarë popullore!

U kuptua, u muar vesh shpejt, se njerëzimi do të përballej me një armik skajshëm agresiv.

Të sëmurët e parë nisën të mbërrinin në spital në gjendje tepër, tepër të rëndë. Thuajse gati të asfiksuar. Me frymëmarrje skajshëm të vështirësuar, që u siguronte pacientëve vetëm një sasi minimale oksigjeni jetik.

Një përkeqësim i këtillë i gjendjes vetëm brenda pak orësh, nuk qe parë kurrë më parë! Pamjet e rënda u sollën shpejt ndërmend mjekëve filmimet e fshehta nga fronti i Wuhanit dy tri muaj më parë; të ecurit e vështirësuar e të ç’ekulibruar të pacientëve, që pa bërë as njëqind metra tutje, përplaseshin përtokë, të pafrymë!…

U qartësua shumë shpejt! Qenë sulmuar krejt në befasi e në front të gjerë nga të padukshmit viruse të familjes së sarsëve! Vetëm tani dhe as një ditë a dy më parë, u kujtuan se u mungonin mjetet e mbrojtjes individuale; veshjet antivirale, maskat, dorezat, dezinfektantët. Dhe ashtu, të paveshur sigurshëm, me pak maska, me pak doreza, mangësi veshjesh profesionale dhe dezinfektantësh, hynë në luftë me të panjohurin e padukshëm dhe për këtë shkak mjaft të frikshëm! Skajshëm të rrezikshëm!…

Ishte vetëm beteja e parë e një lufte të gjatë që nuk dihej me siguri se sa mund të zgjaste… sa do të zgjaste…

***

Mars 2020. Muaji i tretë i luftës së egër me hordhitë miliardëshe të Sars Cov dyshit! Gjendja në Planet është rënduar së tepërmi. Spitalet, gati gati po dorëzohen përpara mijërave pacientë që paraqiten në repartet e urgjencës.

Nuk ka me shtretër për të gjithë! Ka më shumë pacientë të shtrirë në krevate portative, koridoreve dhe sallave të çfarëdoshme, se sa të shtruarve në dhoma normale, me të paktën paisje minimale mjekësore; instalime aparaturash të furnizimit me oksigjen të lëngshëm, monitore të ndjekjes permanente të punës së zemrës, tensionit, frymëmarrjes…

Një rrëmujë e plotë! Mjekë, infermiere, sanitare, që gati përplasen me njëri tjetrin në ecejaket plot ankth dhe tension përmes hapësirash tepër të ngushta. Thirrje të parreshtura me zë të lartë për këtë apo atë medikament, sistemesh perfuzioni, serumesh, gjak, shiringash, matës të oksigjenimit të gjakut dhe gjer urinoresh… Kërkesë ngulmuese për të vizituar të paktën me stetoskop një të moshuar, ardhur në pavion që në mëngjes herët! Thirrje plot tension e mjekut për t’ju gjendur pranë të paktën një infermiere, atij vetë dhe të moshuarit në çastet e fundit…

O Zot i madh, o Perëndi! Ç’po ngjiste vallë kështu? Kish ardhur befas, papritur e kujtuar, fundi i Botës? Provë e madhe dhe e sigurtë se Bibla dhe Kurani nuk mund të kishin gabuar kurrësesi në parashikimet e tyre profetike!

***

Në ditët që pasuan, situata u rëndua skajshëm! Sirenat e ngjethëshme që s’rreshtnin të autoambulancave (prisnin vargan, përpara portave të bllokuara të spitaleve, nga mjete të tjera të çfarëdoshme transporti), e bënin edhe me dramatike e dridhëruese atmosferën edhe ashtu mbytëse!…

U kuptua shpejt se nuk do të mundej të ndihmoheshin të gjithë! Do të duhej personel mjekësor disa fish më i lartë, shtretër të sëmuresh po ashtu, aparate speciale  të “frymëmarrjes së drejtuar”, gjithçka! Gjithçka e shumëfishuar disa herë!…

Dhe nisi, filloi procesi i dhimbshëm, tragjik, gati gati kriminal, i përzgjedhjes!

Të pashpresët, ose më pak shanse për t’ia dalë mbanë, përgjithësisht të moshuarit, i linin mënjanë, diku, pa më të voglën vëmendje dhe përkujdesjeje! Të tjerët, rëndë po ashtu, por me shpresa të vakëta, i shpinin në dhomë; zakonisht në shtratin e porsalënë të lirë nga i moshuari, që sapo kish dhënë frymën e fundit…

Dhe kur mendonje se ishin vetëm ditët e para të luftës me armikun e panjohur, të egër dhe ca me keq akoma, të padukshëm…

Po e ardhmja ç’fshihte? Ç’drama njerëzore priteshin të ndodhnin?

***
E prisnin në këmbë të vinte. Karriket i kishin poshtë vetes, por askush nuk guxonte të ulej.

Nga çasti në çast do të vinte Ai, që befas ishte bërë më i madhi prijës i kohërave, Kryekomandanti i ushtrisë shumë e shumë miliardëshe të të padukshmëve, që kish vënë ndën këmbë një Botë të tërë, Sars Covi i dytë!

Hyri, pasi enkas, i kish lënë të prisnin disa orë, aq sa  nuk po mundeshin më të mbaheshin në këmbë! Të gjithë anëtarët e lartë të Shtabit të Luftës, shfrynë të lehtësuar; jo vetëm se mënëfund do të mund të uleshin e të mblidhnin veten, por edhe kureshtarë për të mësuar arritjet më të mbrame.

-Uluni!-iu drejtua prerazi me një fjalë të vetme.

Euforik, krenar, mendjemadh, narcist, i fryrë, kapadai, fluturak, në gjendje të sigurtë e të plotë të delirit të madhështisë, u ul në poltronin e Prijësit më të lartë e më të fuqishëm të të gjitha kohërave dhe të të gjithë Botës!

Nuk foli menjëherë sapo u ul. Humor ngritur, lehtësisht buzagaz, vështroi ngrohtësisht, njëri pas tjetrit me rradhë, tërë anëtarët e lartë të Shtabit.

Një çast, plot shkathtësi, i dha një lëvizje rrotulluese Globit Tokësor, si javë më parë.

Përpara syve të të pranishmëve kaluan disa herë rradhazi pamjet e Kontinenteve, vendeve, oqeaneve, detrave, vargmaleve gjigande, të gjitha në ngjyra të larmishme, në të cilat dominonin e kaltërta e ujrave dhe e kafta e lartësive malore dhe e vetë Tokës.

-Mënëfund, jemi zotër të plotfuqishëm të të gjithë Botës, si askush tjetër më parë!

I tërë Planeti është ndën këmbët tona!- foli, sapo që Globi pakësoi shpejtësinë e rrotullimit.

Pa shihni, anëtarë të nderuar të Shtabit të Luftës, pamjet që n’a vijnë nga e  tërë Bota, të filmuara nga vetë armiqtë tanë, të transmetuara 24 orë në 24, nga Televizionet më të mëdhenj botërore, Agjensitë më prestigjioze të lajmeve, Internetit dhe ç’tjetër jo?!…

Anëtarët e Shtabit ngulën sytë në ekranin gjigand, brinjë Prijësit.

Nisën të paraqiteshin sheshet stërmëdhenj të kryeqyteteve më të njohur të Botës.

Nju Jorkut, Uashingtonit, Londrës, Madridit, Berlinit, Milanos, Parisit, Brukselit, Moskës

San Paolos, Melburnit…

Të gjitha të shkreta, të zbrazura, të vdekura; pa njeri të gjallë, pa makina, autobuze, tramvaje, trena, biçikleta…

Pastaj rrugë, rrugë, vetëm rrugë, shëtitore, parqe, qendra lojrash për fëmijë, krejt të boshatisura si në grahmën e vdekjes.

-Zotërinj të Shtabit, lypset të krenohemi e mburremi me të madh!  Burgosem brenda shtëpive të madh e të vogël dhe nuk është çfarëdo mbyllje… Merreni me mend! Kemi pamundësuar tri ceremonitë më të mëdha të jetës njerëzore, duke tronditur fort, mërzitur, pikëlluar dhe pse jo edhe revoltuar qindra miliona familje në mbarë Botën: Martesat bashkëshortore, lindjen e fëmijëve dhe natyrshëm ato mortore!…

Frika e skajshme e infektimit  nga njëra anë dhe  ligjet e rrepta të karantinës së plotë në anën tjetër, nuk u japin as më të voglën mundësi!…

Ngado, ruajtës të rreptë dhe të pamëshirshëm të rendit;  policë të panumurt, gjer forca ushtarake…

Në orët dhe ditët e para të karantinës, si minjtë, bastisën dyqanet e ushqimeve, marketet dhe supermarketet. Që tani, vetëm tre muaj nga pushtimi ynë, kanë nisur t’u mungojnë gjer letrat higjienike!..

I madh dhe i vogël, 24 orë në 24, mbërthehen para ekraneve të televizorëve, ku orë e minutë, mirren vetëm me ne! Sars! Covid 19! Sërish Sars!…Si asnjëherë tjetër, komunikojnë në skype, duke refuzuar haptas dhe gjerësisht studiot televizive, gjithnjë për shkak të tmerrit prej nesh!

Bota nuk është si më parë! Gjithçka ka ndryshuar! Gjer pamja e njerëzve! Maskat jane bërë fytyra e tyre e dytë! Nuk ka me rëndësi nëse je i bukur a i shëmtuar, sepse tani, të gjithë duken krejt njëlloj, si vëllezër binjakë…Kemi ndërhyrë dhunshëm gjer në marëdhëniet intime! Jo më puthje dashnorësh, buzë më buzë, por maskë në maskë! Jo më marrëdhënie seksuale ballas, fytyrë në fytyrë! Është kërkuar me ngulm, nga seksologet, gjer edhe nga veterinerët dhe zootekniket, të studjojnë me vëmendjen dhe seriozitetin më të madh, marrëdhëniet animale, për t’u rekomanduar pastaj çifteve, pozicionet më të sigurta!…Ja pra, deri ku i kemi detyruar të shkojnë, për shkak të frikës dhe tmerrit të madh nga ne!

Pas shesheve dhe rrugëve krejt të zbrazura, familjarëve të izoluar brenda shtëpive dhe apartamenteve të tyre, studiove televizive, marrëdhënieve dashurore të çifteve të rinj, pamjet  ndryshuan rrënjësisht! Shpejt u bë e qartë se, Udhëheqësi absolut, më i madhi i kohërave, do të përqëndrohej në temën aq shumë të preferuar e te dashur për të!…

Në ekran nisën të pasqyroheshin armatimet më të fundit të Botës njerëzore:

Avione luftarake të modeleve të ndryshme, bombardues të rëndë kryesisht; aeroplanmbajtëse gjigande, nëndetëse, raketa balistike ndërkontinentale, bomba atomike, bomba me hidrogjen, neutron e ç’tjeter jo, por edhe parakalime zhurmë mëdhenj forcash të armatosura gjer në dhëmbë!

-Shihini! Armë të tmerrshme vrasëse, që do të kishin llahtarisur këdo, por kurrë jo ne, ushtritë shumë-shumë miliardëshe të sarsërve tanë!…

Asnjë armë, sado e thjeshtë, që nga pistoleta e deri tek bombat shfarrosëse atomike, me hidrogjen, neutron etj, etj, nuk u vlen asnjë grimë kundër nesh! Gjithçka, çdo lloj arme e municioni, ua kemi zhvlerësuar, zeruar e bërë nul!…

Përkundrazi, janë sarset tanë që u futën brenda armiqve njerëz, kudo janë! Dhe ju e kuptoni arsyen e kësaj supremacie absolute tonën, shkakun se përse mbajmë sot ndën thundërr një Botë të tërë!

Së pari, sepse jemi krejt të padukshëm! Më të vegjël se mikrobet e zakonshëm…

Së dyti, sepse pa dyshimin më të vogël, kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi përgjithnjë, ushtria supergjigande, më e madhja e kohërave dhe e Botës! Nuk është krijuar ende nga njerëzit një makinë që të mund të llogarisë shifrën ekzakte, qoftë edhe të përafërt, të ushtrive dhe ushtarëve tanë sarsër!

Dhe e fundit! As sot dhe as kurrë ndonjëherë, një ushtri njerëzore, nuk do të mund të zëvendësojë pashtershëm ushtarët e humbur në luftë! Qeniet tona ultramikroskopike shumëzohen parreshtur, në mes të betejave dhe luftrave! Ne kurrë nuk shterrojmë! Vetëm rritemi dhe shumëfishohemi në përmasa të paimagjinueshme!

Nga ana tjetër, duhet të pranojmë edhe pikat tona të dobëta! Nuk u rezistojmë dezinfektantëve alkoolike, temperaturave të larta ekstreme, lagështirës dhe ajrosjes!

Dhe mos pandehni se ushtarët tanë sarsër do t’a gjejnë shtruar! Me t’u futur brenda në trup, do të përballen egërsisht me ushtritë mbrojtëse! Leukocitet dhe gardën e tyre Limfocitet Ti, luftëtarë të zot dhe trima të mëdhenj! Ne i njohim shumë mirë, sikurse edhe ata, po ashtu! Që nga lindja e jetës mbi këtë dhè e gjer më sot, ndeshemi  ashpër deri në eleminimin e plotë të njërës palë, apo tjetrës.

Sapo n’a kanë mbërritur live, pamjet më të fundit të betejave për jetë a vdekje, midis sarsërve tanë dhe mbrojtësve të Trupit…

Sy shqyer nga kurreshtja dhe padurimi, vështrimi i anëtarëve të Shtabit të lartë së Ushtrisë, u mbërthye në ekran…

-Jemi brenda në Trup!-nisi të shpjegojë Sars Covi i dytë. Trupat tona miliardëshe, sapo kanë mbrritur në grykët e një të riu 20 vjeçar. Deri tani, nuk janë vënë re nga trupat mbrojtëse. Me shpejtësi, sarsërit tanë po u drejtohen fortesave bajame. Ah, ja tek ia behu i pari roje leukocit, tani edhe një i dytë, i tretë! Sa shpejt u shumëfishuan, thua se qenë fshehur e maskuar brenda bajameve…

Brenda pak minutave, palët kundërshtare u gjenden ballë për ballë! Në njërën anë disa miliardë sarsër ushtarë e, në tjetrën, dhjetra milionë leukocite.

I tërë Shtabi mbajti frymën. Pritej nga çasti në çast përplasja e fortë. Nuk bëheshin dot pamje më anksioze dhe emocionuese se ato!

Sarsërit sferike, në njërën anë, me do gjemba a zgjatime të ngjashme me ato të minave detare; të gatshëm të lëshoheshin furrishëm me tërë shpejtësinë dhe forcën e mundëshme drejt barrikadës së trupave të gjallë të rruazave të bardha, në anën tjetër;

Distanca  sa vinte e po shkurtohej, ca e nga ca, për shkak të lëvizjes së matur e të kujdeseshme të të dy palëve.

Pas një heshtjeje të tendosur pak sekondëshe,  befas u dëgjua një sokëllimë e egër dhe e mprehtë, një kushtrim lufte i komandantit sarsian  dhe fill, thirrja për t’u hedhur në sulm drejt barrikatës.

O perëndi! Ai lëshim, ajo rrokullisje e fuqishme vetëtime, kaq e shpejtë dhe e vrullshme ishte, sa cilido do të duhej të priste shembjen sa të hapësh e mbyllësh sytë të qëndrestarëve leukocite,  por barrikada rezistoi, u mbajt në këmbë, me gjithë të rënët e rradhëve të para, çpuar  mes për mes nga gjëmbat e mprehtë me helm, të tyre.

Shumë shpejt, palët hynë brenda njëra tjetrës, u përzien, u kacafytën trup më trup dhe antarët e Shtabit të lartë nuk po mund të orientoheshin më, në atë rrëmujë dhe pështjellim të plotë!

Qindra, mijra trupa, që rrëzoheshin e binin parreshtur njëri mbi tjetrin, të shpuar mes përmes nga gjembat e mprehtë, majat e shpatave, heshtave, shigjetave…

Pirgjet e të rënëve, të të vrarëve dhe të të plagosurve, nisën të mbushnin fushën e kuqereme, të pamatë, të grykëve,  por në vend të qetësoheshin  deri diku, luftimet  u ndezën më të ashpra dhe më të përgjakëshme!

Për orë të tëra, askush nuk do të mund të thonte me siguri se cila palë po triumfonte dhe

cila po e humbiste luftën, kaq rrëmujë e pështjellim i vërtetë ishte, por diku nga mbrëmja, ngjarjet nisën të qartësohen…

Leukocitet, po i mposhtnin agresorët sarsër,  rradhët e të cilëve po shterronin me shpejtësi!

Në agimin e hertë, pushtuesit e egjër, ngritën flamurin e bardhë të dorëzimit pa kushte!

-Mjaft më! Ndërprisni lidhjen direkte! –thirri skajshëm i mërzitur dhe i dëshpruar Sars Covi i dytë. Edhe pse e dinja, si do të përfundonte kjo ndeshje, ngaqë ushtarët tanë kishin hyrë brenda trupit të fuqishëm dhe me imunitet të lartë të një të riu, sërish pamjet ishin dëshpruese…

Tani, anëtarë të nderuar të Shtabit, ju ftoj të ndiqni sërish live, pamje gati të njëjta,  por kësaj rradhe brenda trupit të një të moshuari! Shumë shpejt do të bindeni, se përse ia vlen të mirremi kryesisht me ta, sepse veç moshës së shtyrë në vite, pleqtë nga ana tjetër, janë një koleksion i vërtetë dhe i gjallë sëmundjesh! Secili syresh vuan nga të paktën dy, tre, apo më shumë sëmundje!…

Pamja, që iu servir live, qe mbresëlënëse! Ballë për ballë, një ushtri shumë miliardëshe sarsërish të rinj, të bëshëm, të freskët e të fuqishëm dhe në anën tjetër disa dhjetra milionë leukocitesh të plakur, të dobët kockë e lëkurë, në dukje të plogët e të pafuqishëm, të zbehtë si mehite, që mezi  qëndronin në këmbë… Dukej se, do të mjaftonte të shtyturit me të lehtë, për t’i  rrëzuar sakaq në tokë…

-Po ju ndihmoj të kuptoni gjendjen e tyre të mjerë! Janë leukocitet e këtij të moshuari, që sapo ka mbushur të nëntëdhjetat! Pa shihini, nuk kanë fuqinë më të vogël të mbajnë mburojën dhe shpatën, pale të ndeshen! Sidoqoftë, instikti i tyre i lashtë, do t’i shtyjë të luftojnë deri në frymë të fundit…

Sarsërit tanë nuk kanë ç’presin më! Në gjendjen ku janë katandisur këta të mjerë, le t’i eleminojnë në pak minuta!

Nuk do mend! Urdhër prijësi dhe jo çfarëdo, por i Sundimtarit numur një të Planetit!

Si valë të fuqishme deti të egërsuar në mes të stuhisë dimërore, sarsët u lëshuan me të thirrura të forta, të egra, drejtë barrikatës së leukociteve të moshuar!

Ndodhi ajo që pritej! Rradhë të tëra rruazash të bardha u rrëzuan përdhe, çpuar mes përmes nga gjëmbat e helmet! I njëjti fat, për ata që i zëvëndësuan dhe për të tjerë e të tjerë dhe në fund, ngelën dy leukocite, mbase më të moshuarit…

Sars Covi i dytë, urdhëroi të ndalen në çast luftimet dhe jeta e luftëtarëve të kursehej.

-Juve nuk do t’ju vras! Do t’u le të gjallë të shihni batërdinë, fundin e tmerrshem të zotërisë suaj, që muarrët përsipër të mbroni dhe gjithë këto, t’ua tregoni, si dëshmitarë të besueshëm, tërë Botës!…

Luftëtarët u panë sy më sy. E kuptuan njëri tjetrin. E dinin ç’duhej të bënin.

-Nuk na duhet! Shpërfillim faljen e vrasësit të pamëshirshëm të miliona njerëzve në Botë!Vërtetë jemi në fund të jetës sonë dhe nuk kemi fuqi për të vrarë edhe një sars të vetëm, por aq forcë sa për të vdekur me nder e për të mos u turpëruar, e  kemi!

Të moshuarit leukocite u vendosën ballë për ballë. Një çast të shkurtër, të shpejtë, pa u dhënë rast dhe kohë rojeve sarsër të bënin diçka, nxorrën si vetëtima kamat nga brezat e tyre dhe goditën në të njëjtën kohë njëri tjetrin!

Sars Covi i dytë ulëriti në kupë të qiellit! Si mundej, Perandori i të gjithë Botës, të sfidohej turpërisht, përçmueshëm nga dy leukocite të moshuar, dy rruaza të bardha, skeletër, që mezi ia mbrrinin të mbusheshin me frymë e të qëndronin në këmbë?!…

-M’i hiqni, m’i zhdukni në çast, këto pamje! Në çast, po, po, ndërprisni transmetimin live nga trupat njerëzore!…Nuk kanë lindur gjer tani dhe as do të lindin edhe për një mijë vjet të ardhshëm, qenie marrafrymëse, që të më sfidojnë e turpërojnë mua, Perandorin gjigand të një rruzulli të tërë…

Le të vazhdojmë atje ku e kishim lënë!-iu kthye pas pak, diçka më i qetë, antarëve të Shtabit të cilët ndërkohë që ai ulërinte, përbetohej e kercënonte me të madh, nuk po dinin ku të fshihnin kokat për të dalë jashtë sferës së shikimit hetues të të çmendurit, Sars Cov i dytë, mbretit të mbretërve të Tokës mëmë…

-Si cdo qenie e gjalle ne kete jete, edhe ne, ultramikroskopiket, kemi kundershtaret tane te egjer! Armiq të medhenj, të papërballueshëm! Vaksinat!  Vaksinën anticovid posacerisht, për të cilën e tërë Bota po përpiqet t’ia mbërrijë! Janë po ashtu antikorpet! Kundërtrupat natyralë të të sëmurëve me Covid!…

Por edhe këtij armiku të egër, sapo kemi nisur t’i shmangemi, duke ndryshuar veten vazhdimisht! Vaksina e pritshme, do të dështojë në mënyrë spektakolare për arsyen më të rëndomtë, sepse gjer atëherë, ato nuk do të ndeshen me sarsët e parë, mbi bazën e të cilëve edhe u prodhuan, por me sarsët e tanishëm, krejt të ndryshuar, fare të rinj!

Shkurt, antikorpet e porsaformuar, do t’u shkojnë pranë, mbase edhe do të përshëndeten miqësisht me sarsërit tanë, duke u përngjasuar aq shumë me koronat saprofite të mushkërive dhe do të bëjnë tej tutje, pa iu prekur një “fije floku”…

Veçse, ka një ndryshim të madh situata e tanishme nga ajo e Sarsit të viteve 2002-2003!

Është prekur, është agresuar një Planet i tërë, të gjithë janë bërë një së bashku kundër nesh! Janë mijëra laboratore kërkimesh shkencore në garë me njëri-tjetrin, se kush do t’a prodhojë i pari vaksinën më cilësore!

Jo vetëm u kemi marrë jetën, jo vetëm i kemi mbyllur brenda si në burg,  papërjashtim të gjithë, të madh e të vogël; presidentët, kryeministrat, supermiliardierët, gjer lypësit mjeranë; jo vetëm mbyllëm kufinjtë ndërkombëtarë dhe fluturimet ajrore jetike për njerëzit;  jo vetëm kemi paralizuar thuajse gjysmën e prodhimit botëror dhe për këtë shkak shpunësuar qindra milionë njerëz, duke ua nxirë jetën; jo vetëm kemi rritur ndjeshëm vuajtjet psikike, ankthin, depresionin gjer vetëvrasjet; jo vetëm i kemi pamundësuar njerëzve çdo lloj zbavitjeje; teatër, kinema, gara ndërkombëtare makinash e motocikletash, çdo lloj tjetër gare sportive, por i kemi detyruar të ndërmarrin gjer veprime absurde e qesharake sa më vjen të gajasem!

Në karriket dhe stolat e stadiumeve të futbollit, në vend të shikuesve, kanë vënë kartona, flamuj shumë ngjyrësh, që valëviten parreshtur dhe i tërë ky dekor shëmtirë në një sfond zanor thirrjesh spektatorësh, të regjistruara që më parë! E tërë kjo, për t’u krijuar futbollistëve iluzionin falls të një ndeshjeje kinse reale dhe të besueshme! Pa shihni pra, ç’u kemi bërë! Zëvendësuar njerëzit me kartona, flamuj dhe në ndonjë rast me fotografi tifozësh!…

E megjithatë, Bota, Planeti, njerëzit, kanë pasur edhe ndonjë të mirë prej nesh!- shtoi me plot ironi dhe qesëndi Sars Covi i dytë, tek i ftonte anëtarët e magjepsur të Shtabit Madhor të ndiqnin pamjet e pritshme!…

Në kontrast të plotë me tërë pamjet e mëparëshme të zymta e anksioze, në ekranin e gjerë u shfaq sërish rruzulli tokësor.

-Janë pamje të drejtëpërdrejta të servira nga NASA! Agjensia amerikane e aeronautikës dhe e hapësirës, e armikut tonë më të madh botëror, Shteteve të Bashkuara të Amerikës!…

Toka mëmë dukej më e bukur se kurrë! Një rruzull i kaltër, skajshmërisht i kthjellët!

Po atë çast, NASA, transmetoi, mesa dukej për krahasim, pamje të mëparëshme të Planetit që, për shkak të ndotjes së shfrenuar, dukej si i mbuluar prej një tisi të hollë mjegulle, e cila bëhej pengesë për të dalluar qartë kontinentet, vendet, oqeanet, detrat, vargmalet e lartë.

Pas pak, ne ekran u rikthyen pamjet e drejtëpërdrejta të emetuara nga anija kozmike.

-Duke mbyllur këdo e gjithçka brenda, duke stopuar prodhimin industrial botëror, duke paralizuar totalisht lëvizjen e makinave dhe të çdo gjëje tjetër ndotëse, mjedisi botëror për herë të parë gjatë 100 vjetëve, është më i pastër se kurrë!… Bash, këtë ajër të pastër e të kulluar, që njerëzit kudo në rruzull do të kishin dëshiruar me shpirt të thithnin me plot dëshirë, për ironi të fatit, ua kemi pamundësuar, duke i izoluar brenda shtëpive dhe apartamenteve të tyre!…

Ca më keq akoma! Të sëmurët me Covid 19, për shkak të vështirësive të mëdha dhe të paimagjinueshme të frymëmarrjes, me gjithë dëshirën e madhe për të thëthitur bash këtë ajër të kulluar e të pastër si asnjëherë tjetër, nuk arrijnë, nuk munden, nuk kanë forcën e mjaftueshme!

Dhe rikthehen sërish tek aparatet e frymëmarrjes së drejtuar, në maskat gojëhundë, që lëshojnë me presion drejtë mushkërive currile oksigjeni industrial të lëngshëm, por jo mjerisht për ta, ajrin natyral të gjelbrimeve, pyjeve, kodrinave, maleve, detrave, oqeaneve…

-Me fëmijët çdo të bëjmë? Do t’i sulmojmë edhe ata?- pyeti një nga anëtarët e Shtabit.

– Jo! E kemi thënë qysh në fillim! Nuk kemi asnjë interes  të mirremi me fëmijët dhe të rinjtë! Për shkak të imunitetit të fuqishëm, do t’a kishim të vështirë përballjen me ta!…

Ua përsëris! Objektivi ynë kryesor janë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë! Duke bërë batërdinë me ta, tmerrojmë gjithë të tjerët! Ja shihni këto pamje të një  kortezhi mortor në Lombardi të Italisë!…

Në ekran nisën të shfaqeshin pamjet e rënda të një kollone pa fund kamionash transporti ushtarake, mbushur plotpërplot me kufoma të freskëta, që sapo kishin humbur betejën me ushtarët sarsër të Cov dyshit!

-Janë të gjithë, vrarë prej nesh! Në të gjithë Lombardinë nuk gjejnë vend të lirë për t’i varrosur dhe po i çojnë  në krematorium, për t’i djegur! Dhe kur mendon se vdekja e tyre ka qenë e tmerrshme, pa asnjë të afërm pranë dhe pa njohur gjer në çastin e fundit mjekët kurues, veshur si kozmonautë dhe fytyrë fshehur, si të zbritur nga një planet tjetër!…

Por edhe ca më keq akoma! Askush nga të afërmit nuk është lejuar t’i shoqërojë! Ja, kaq i madh është tmerri nga ne! Jam i bindur se, asnjëri prej viktimave, nuk mund të ketë parafytyruar një fund më të hidhur, më të tmerrshëm dhe më tragjik se ky!

Dhe nuk janë pak! Çdo ditë në Itali, Francë, Angli, Spanjë, Belgjikë, SHBA, Amerikën Latine, Afrikë, Azi, vdesin për secilin vend veçmas, 900 gjer në 1000 pacientë në ditë! Nëse ndodh, që një ditë të mbyllet me 300 a 400 vdekje më pak, këtë për ironi të fatit, e vlerësojnë si një “fitore” të rëndësishme kunder nesh!

Ja, deri në ç’gjendje i kemi katandisur, kur jo më larg se një vit me parë, edhe vdekja e 20 a 30 veteve do të pasqyrohej gjerësisht në tërë rrjetin gjigand të Mass Medias Botërore dhe Internetit!

Nuk po zgjatem më shumë! Kjo është situata. Kjo është gjendja. Deri këtu kemi mbërritur. Gjykova t’u informoj.  Por nuk do të flejmë në dafina. Pak ditë na ndajnë nga Prilli. Koha dalëngadalë do të nisë të ngrohë. Nuk jemi të sigurt si do të jetë vera e sivjetme. Askush nuk siguron se temperaturat nuk kanë për të qenë të larta si ato të 2003-shit! Po ashtu, askush nuk siguron se Bota, nga dita në ditë, nuk do të ketë në zotërim vaksinën e efekteshme kundër nesh. Po luftojnë për këtë shkencëtarët e tërë Botës dhe herët a vonë do t’a prodhojnë!…

Pra, nga njëra anë vera e nxehtë, në anën tjetër vaksinat e mundshme! Deri atëhere, kërkoj nga ju, qindra milionë të infektuar deri dhe miliona të vdekur, sepse edhe nëse do të jemi detyruar të tërhiqemi, t’u kemi shkaktuar njerëzve aq shumë dëme dhe në të gjitha drejtimet, sa kur të përmendin emrin tonë,  gjaku t’u shkojë në fund të këmbëve! Të jemi, të bëhemi, tmerri i tyre i përjetshëm!

Tani shkoni në frontin e luftës, në krye të ushtrive tuaja të lavdishme! Do të pres me padurim, lajme të rëndësishme prej jush! Lajme të mëdha!…

Dolën në heshtje njëri pas tjetrit…

Të gjithë në ankth! Vera e nxehtë në prag, përgatitjet e ethshme të të gjithë Botës për vaksinën antikov, do të bëheshin pashmangëshmërisht, makthi i madh torturues i tyre! Vallë, do të kishin fat të ngjashëm me paraardhësit, sarsët e vitit të zi 2003?!…

***

Qershor 2020.

Tërë vendet, njëri pas tjetrit, me optimizëm të përmbajtur, nxitojnë të njoftojnë një ulje të lehtë të rasteve me infeksion nga Covid19 dhe më pak vdekje!

Të paktën pesë vende, kanë dhënë lajmin e madh se vaksinat e prodhuara prej tyre, po japin rezultate të pritshme në provat e para në njerëz!

Virulenca e sarsërve të Covdyshit ka rënë ndjeshëm në Evropë, por hë për hë, janë në kulmin e rrezikshmërisë së tyre në Amerikën latine, në Azi, Afrikë, Shtetet e Bashkuara te Amerikes!…

E megjithatë, Sars Cov i dytë është tejet i alarmuar dhe në panik, pavarësisht arritjeve në kontinente të tjerë! Udhëheqësi i madh, Kryekomandanti i ushtrive pa numurim të sarsërve, Mbreti i Rruzullit tokësor, sheh prirjen e përgjithshme, tendencën, ndjen instiktivisht të ardhmen e afërt…

Siç po shkojnë punët, zor se do të mund të mbahen e rezistojnë deri në fund  të Verës!…

Kohët e fundit, më shpesh se kurrë, i shfaqet, veçanërisht në mesnatë, vegimi si një fantazëm e  frikshme e Sars Covit të parë që, teksa i tund gishtin m’u përpara syve të çakërritur nga tmerri, i përsërit ngultazi gjer në dhembje e padurim frazën e mërzitshme: “Kujdes, shumë kujdes, vëlla i vogël! Temperaturat po ngrihen! Po ngrihen dita ditës! Stacionet meteorologjike botërore njoftojnë kobshëm se edhe kjo verë do të ngjasojë me Verën time të 2003-shit! Do të bëjë nxehtë, shumë nxehtë, vëllai im i vogël! 45 gradë në hije… 55 në diell… 55…55…”

Dhe “ Mbretit të Botës” i del gjumi me tmerr! E sheh veten të mbushur me djersë të ftohta edhe pse jashtë, ka nisur të fryjë flladi paksa i ngrohtë i mesit të natës…

***

Dhjetor 2020

-Astra Zeneca, Johnson and Johson,Sanofi,Moderna,Sinovac,Pfizer,Biontech,Curevac, Sputnik…

Teksa shqiptonte emra, që po i degjonin për herë të parë, antarët e lartë të Shtabit panë paksa të habitur e të hutuar njëri-tjetrin. Sars Covi i dytë iu duk skajshëm i coroditur. Tepër rrallë e kishin parë në atë gjendje. Thuajse i rrjedhur nga trutë!

Duke ua kuptuar gjendjen, Sarsi buzeqeshi hidhur e plot trishtim.

-Nuk po flas percart!  Keni të drejtë teksa dëgjoni tërë këta emra dhe më vështroni paksa cuditshëm! Janë emrat e vaksinave të reja kundër nesh dhe në ndonjë rast të prodhuesve të tyre, armiqve tanë më të mëdhenj!

Një Botë e tërë, po punon ethshëm ditë e natë për to! Shpejt do të përsosen dhe mbase një gjë e tillë, do të afrojë fundin tonë të pashmangshëm! Nuk e kisha besuar kurrë se kërkuesit, shkencëtarët dhe mjekët, do të përparonin kaq shumë dhe kaq shpejt!

Dhe ka vetëm një fajtor të madh, për këtë përshpejtim mbarë botëror! Po, po, vetëm një dhe ai jam pikërisht unë! Mos u habisni, mos u trondisni dhe as mallëngjeheni, bijtë e mi të dashur!

Duhej të kisha mësuar më shumë nga historia njerëzore! Kush ka synuar të pushtoje tërë Botën, e ka pësuar! Kështu Napoleoni, kështu Hitleri… Duhej të isha mjaftuar me dy gjigandët, Kinën dhe Indinë…

2021 do të jetë skajshëm i vështirë për ne! Një Botë, një Planet i tërë i bashkuar kundër miliardave tona panumrim, zotërues tashmë i armëve vdekjeprurëse për ne, vaksinave!…

Pas fjalëve të Prijësit, hija e rëndë e pikëllimit dhe trishtimit, errësoi portretet tashmë të shpërfytyruara të antarëve të lartë të Shtabit!

Për plot një vit, kishin qenë zotër të plotfuqishëm të të gjithë Botës! Tmerri i papërshkruar i tërë njerëzisë! I kishin mbyllur brenda si në burg, kishin boshatisur dhe shkretuar qytete të tëra, ndërprerë prodhimin, mbyllur shkollat, qendrat e clodhjes dhe argëtimit, mohuar sportdashësve stadiumet, pezulluar fluturimet ajrore, ndarë shtetet dhe njerëzit nga njëri-tjetri, detyruar dhunshëm të shfaqen në publik me një gjysmë fytyre, me hundën e buzët e bukura të dashurisë gjithnjë mbuluar nga maska cfardo! E cfarë nuk kishin bërë! Por më e rënda se gjithcka tjetër; u kishin marrë shëndetin, jetën! Miliona të infektuar! Të vdekur!…

Prijësi, sapo u përshkroi të ardhmen e zymtë dhe krejt të pa sigurtë, madje gjer fundin e mundshëm të tyre!

U ngritën me plot mundim nga kolltuqet e tyre të rehatshëm sikur të kishin shtuar befas mjaft peshë, ndonjë edhe i përlotur…

Edhe sa vite jetë u kish mbetur?…Pyetja e hidhur u lexohej qartazi në fytyrat e hirnosura, mbytur qysh tani nga dëshpërimi i thellë…

 

EPILOG

Fund Gushti… Viti i bekuar 2021!

Për ngazëllimin e një Bote të tërë, pas humbjeve skajshëm të renda, në luftimet e egra për jetë a vdekje me antikorpet fitimtare të Vaksinave Anticov 2021, kish filluar tërheqja gjigande e sarsërve! Kësaj rradhe, jo sikurse erdhën, si zotërinj; me Boinger, Airobuser, helikopterë, anije, tragete, kroçiera!…

Varganët e pasosur, pa krye e fund, të stërlodhura, të dobësuara, të ngathëta, të depresuara, anksioze, por gjithësesi me shpirtin mbushur plot mllef, urrejtje e ligësi, kishin nisur udhëtimin pa kthim drejtë Poleve, ku krejt njëlloj do t’i priste zhdukja e plotë, e sigurtë dhe e pashmangëshme!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura