Sarri, mos luaj me zjarrin, Ronaldo po humb buzëqeshjen. CR7 i tërbuar në dhomat e zhveshjes

Feb 10, 2020 | 13:27
SHPËRNDAJE

Juventusi bën ndalesën e rëndë pikërisht në javën e gabuar dhe tashmë situata për kampionët në fuqi nuk është nga ato të bukurat, madje shqetësimet nisin të bëhen serioze dhe të mëdha. Vërtet skuadra po vuan në këto momente një mesfushë, e cila pa Matuidin, por me Rabionë duket shumë vulnerabël dhe rikuperon shumë pak topa. Por sigurisht që në bankën e të akuzuarve duhet të ulet i pari Mauricio Sarri. 

ronaldo sarri

Cili premtim është mbajtur deri tani? Asnjë… Ah po, ndoshta vetëm ai se me skemat e tij do të shihet vetëm një Kristiano Ronaldo ndryshe, shumë herë më goleador se ai i sezonit me Masimiliano Alegrin, ndonëse po flasim për një futbollist që për të 11-tin sezon me radhë kap kuotën e 20 golave në kampionat. Dhe duke mbetur te Sarri, Juventusi jo vetëm që nuk po dhuron spektakël, por po humb ato ndeshje që në 8 sezonet që është shpallur kampion, nuk do t’i humbte edhe sikur e gjithë skuadra të luante me një këmbë.

Nëse nuk mund të flitet për stimuj, pasi është një skuadër që paguan 200 milionë euro rroga në vit, ajo që dallohet qartë është dëshira për të luftuar që nuk ekziston në këtë grup sivjet. Trajneri Sarri mban përgjegjësi direkte dhe ajo që e vë në shënjestër atë është mbi të gjitha mënyra e tmerrshme e menaxhimit të Paulo Dibalës. Të lësh në stol lojtarin që gjallëron jo vetëm lojën e Juventusit, por në të njëjtën kohë liron Ronaldon nga markimet e mbi të gjitha i jep xhiro më të larta edhe mesfushës, është njësoj sikur të luash me zjarrin. Dhe nëse vazhdon e bën këtë, rrezikohet që jo vetëm “Zonja e Vjetër”, por mbi të gjitha ai vetë të digjet i pari.

1199538396.jpg.0

Për ta bërë më të rrezikshëm edhe këtë fakt, është turfullimi i Kristiano Ronaldos pas ndeshjes. Ashtu siç kishte ndodhur pas transfertës me Napolin, por askush nuk e kishte pranuar me zë dhe me figurë, Vojceh Shezni e tha hapur pas Veronës: “Ronaldo ishte i shfrenuar në dhomat e zhveshjes. Ishte shumë nervoz dhe ulërinte. Dhe është normale që ta bëjë këtë. Ai po shënon çdo ndeshje dhe po na ndihmon që ne të fitojmë. Por skuadra nuk po e ndihmon atë”. Pak fjalë, por që përveç lojës duhet të frikësojnë Sarrin për faktin që Ronaldo po nis të humbë buzëqeshjen te Juvja…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura