Sarandë, shpërthim në disko. Dyshohet për zjarr të qëllimshëm

May 22, 2015 | 13:11
SHPËRNDAJE

Shpërthim në diskon e njohur “Afrika” në qytetin e Sarandës. Pak ditë pas çeljes së sezonit turistik në jug të vendit, diskoja u përfshi nga flakët në rrethana ende të pazbuluara.

Zjarrfikëset duke shuar flakët në disko “Afrika

Mësohet se rreth orës 17:00, në breg të detit, në lagjen 4 të Sarandës, u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Më pas, banorët e zonës panë flakët e fuqishme që përfshinë ndërtesën e diskos dhe ambientet e tjera pranë saj. Zjarri i përmasave të mëdha erdhi i menjëhershëm, aq sa krijoi vështirësi edhe për mjetet zjarrfikëse.

Sipas burimeve nga banorë të lagjes, diskoja në momentin e shpërthimit, të pasuar më tej me zjarr, ka qenë e mbyllur. Forcave zjarrfikëse iu desh gati 1 orë për të shuar flakët që kishin përfshirë diskon.

Edhe forcat e Policisë së Komisariatit të Sarandës kanë shkuar në vendngjarje edhe pse fillimisht, në kushtet e krijuara, ishte i pamundur hetimi. Pas shuarjes së flakëve, ekspertët kanë nisur të kryejnë veprimet në vend, për të saktësuar shkaqet e shpërthimit. Pista e parë që ngre Policia e Sarandës është e një shpërthimi të qëllimshëm me lëndë plasëse.

Hapja e sezonit turistik dhe nisja e jetës së natës në Sarandë dyshohet se ka provokuar konkurrencën. Ndërkohë, deri në gjetjen e provave konkrete, po dyshohet dhe një zjarr aksidental, i provokuar nga ndonjë bombolë gazi. Disko “Afrika”, një nga diskot më të frekuentuara në qytetin e Sarandës gjatë verës, mësohet se është marrë me qira nga një banor nga fshati Bajkaj, Dritan Muho.

Ky i fundit është marrë në pyetje nga Policia, por ka deklaruar se nuk ka pasur probleme me persona të tjerë. Disko ku ndodhi ngjarja ditën e djeshme funksion prej gati 10 vitesh në qytetin e Sarandës. Ajo frekuentohet gjatë verës nga turistët që kalojnë pushimet në qytetin buzë Jonit.

Me gjithë periudhën e gjatë të funksionimit të saj, nuk ka pasur më parë ndonjë ngjarje të tillë. Policia e Sarandës tha se është herët për të nxjerrë konkluzionin, pasi ndërhyrja e fuqishme e zjarrfikëseve për të shuar flakët mund të ketë dëmtuar dhe provat. Prandaj, sipas grupit hetimor, vetëm ditën e sotme do të dalin me një përfundim se çfarë ndodhi në këtë fillim sezoni: a u dëmtua qëllimisht diskoja verore apo bëhet fjalë vetëm për një aksident që provokoi hedhjen në erë të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura