Sarandë, kriza greke “mbyt” importin e mallrave në Port

Aug 26, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

Kriza dhe bllokimi i lejeve të ndërtimit në Sarandë ulin importin e mallrave në Portin e Sarandës. Që nga fillimi i vitit, të dhënat tregojnë rezultate negative, për sa i përket përpunimit të trageteve. E kundërta mund të thuhet për mjetet lundruese me turistë, të cilët janë në shifra rekord.

Drejtori i Portit Detar në Sarandë, Sotir Davella
Drejtori i Portit Detar në Sarandë, Sotir Davella
Drejtori i Portit Detar në Sarandë, Sotir Davella, në një intervistë për gazetën “Panorama” tregon shifrat.

Si është situata në Portin e Sarandës?
Nga analiza e treguesve si 7- mujor në Portin Detar sh.a. të Sarandës rezulton që volumi i punës në kalatën e Limjonit ku përpunohen mallrat kemi një ulje të volumit të punës krahasuar me vitin e kaluar. Një vit më parë, përpunuam 10 anije të tonazhit të rëndë, ndërsa sivjet janë përpunuar 4.

Kjo ndodh për shkak të ndonjë mangësie në administrim?
Jo. Nga ana e Portit nuk ka asnjë mangësi, por së pari është problem efekti i krizës dhe së dyti, bllokimi i lejeve të ndërtimit në Sarandë, si kudo, ka sjellë këtë ngërç. Në Portin Detar të Sarandës vijnë për t’u përpunuar anije që sjellin mallra nga importi, si çimento, dërrasa, hekur, që kanë të bëjnë direkt me ndërtimin. Në Portin e Mallrave në Sarandë në përgjithësi nuk ka eksporte mallrash, por importohen mallra ndërtimi.

Po për sa i përket numrit të turistëve…
Përsa u përket turistëve, sepse ky port është port turistik në radhë të parë, kemi një rritje prej 16.642 turistësh në krahasim me një vit më parë. Nga Porti Detar Sarandë, me mbarimin e kalatës kryesore, është rritur edhe volumi i prekjeve nga anijet e mëdha turistike, si kroçiera e jahte. Anije turistike nga 83 në vitin 2014, tani kemi 115. Anije të mëdha turistike, nga 8 vitin e kaluar, sivjet kemi 13. Jahte nga 87 vitin e kaluar, kemi 227 këtë vit. Në total, volumi i përpunimit në kalatën kryesore turistike është 122.5 % dhe volumi i të ardhurave në masën 110 %.

Nga vijnë anijet turistike në Portin e Sarandës?
Anijet turistike në Sarandë vijnë nga të gjitha vendet e Europës, nga Kroacia, Italia, Franca, Gjermania. Prenotime nga anije të mëdha për në Portin tonë janë deri më 15 nëntor. Më të shumta janë në muajt shtator, tetor dhe fillim nëntori.

Një grup turistësh për sa kohë përpunohet në port?
Grupet turistike në Portin e Sarandës nuk vonojnë fare, pasi organizimi këtu është me grupe lehtësuese. Grupet e turistëve nuk kalojnë nga terminali për vulosje. Këtu vulosen vetëm listat e turistëve. Grupet zbresin në tokë dhe janë në dispozicion të guidave, duke u shpërndarë nëpër autobusë për në destinacionet e përcaktuara, sipas kërkesave të tyre. Dua të theksoj se risia e këtij porti për fluksin e turistëve nga deti është se këtu nuk përpunohen vetëm turistë ditorë, por përpunohen edhe turistë 10-15 ditorë, siç janë ata polakë dhe suedezë. Ata vijnë me aeroplan në aerodromin e Korfuzit dhe prej andej vijnë këtu me prekje ekstra, që do të thotë se ata mund të vijnë edhe natën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura