Sara M: Vajza e trafikuar tregon Historinë e saj përmes grafikave

Dec 1, 2014 | 14:57
SHPËRNDAJE

Ajo nuk e ka emrin Sara M. Është pseudonim. Po të bëhej i ditur emri i saj i vërtetë, me siguri do t’i hapeshin telashe edhe më të mëdha se ato nëpër të cilat ka kaluar kur ka qenë e trafikuar. Sot, Sara M. është në mbrojtje. Megjithatë, edhe ashtu “e izoluar” arriti ta tregojë historinë e saj përmes grafikave në konkursin kombëtar të narracionit përmes novelave grafike, mundësuar nga Ministria e Kulturës

Në një “botë tjetër”, në atë që ka qenë dikur o që po në këtë realitet, diku tjetër, vijon të jetë, nuk është e vështirë të dashurohesh. Sidomos nëse ke aq zbrazëtira të shkuara, saqë mbushja ka vetëm një zgjidhje, të të duan. Të kuptosh pastaj këtë të fundit është një rrugë drejt së cilës po u nise, jo gjithnjë kthehesh i gëzuar. Ndjesitë a historitë personale të dashurisë e jo vetëm, njerëzit zgjedhin t’i shprehin në format që u vjen më e lehtë. Ajo që e ka quajtur veten Sara M. është shprehur në grafikë. Të ishte për të ndoshta nuk do mendonte se do të bëhej ndonjëherë pjesë e një konkursi, por ja që të qenët pranë një shoqate OJF, që është në mbrojtje të saj, e çoi në rrugën e duhur. Konkursi kombëtar i narracionit përmes novelave grafike që realizoi Ministria e Kulturës, e bëri Sarën të shpaloste për të gjithë atë çka kishte vuajtur vetë. Në fakt, atë që së pari e mendoi shpëtim, dashuri. E dhunuar qysh fëmijë, mbase më shumë psikologjikisht se fizikisht, por mjaftueshëm dëmshëm sa për t’i lënë shenja në “sy”, Sara vendosi të skicojë figura që i shpërfaqnin gjendjen shpirtërore, por edhe rreziqet ku e çuan ndjenjat. U trafikua. Ledhat e para kur i dashuri i saj nisi ta trajtojë si “bukuroshen e Durrësit” i pëlqyen aq shumë, sa nuk e vuri në dyshim drejtësinë e vendimeve që po merrte për t’u larguar nga Shqipëria. Mund të tingëllojë skenar i njohur e histori e stërdëgjuar, aq shumë kanë ndodhur. Mbase, kush nuk ka dëgjuar nga afër histori të tilla, i duken ende pjesë e librave o filmave, por e vërteta është që në secilën nga këto histori ka film brenda, ashtu sikundër filmat janë të mbushur me jetën e vërtetë të këtyre vajzave. Sapo shkoi në emigrim, atje ku mendoi se e priste një jetë e re, Sara M. e kuptoi menjëherë të vërtetën. Megjithatë, ndryshe nga shumë vajza moshatare, që mungesa e përvojës o hutimi i ambientit të ri të shkaktojnë, ajo arriti të veprojë në kohë. I denoncoi trafikuesit dhe i shpëtoi rrjetit të tmerrit. Veçse, kjo gjë e ka bërë që sot duhet të qëndrojë  pothuajse e fshehur, sado që shoqata “Të ndryshëm, por të barabartë”, që është marrë me rastin e saj, po e ndihmon të integrohet sërish në shoqëri. E ka gjetur zgjidhjen edhe për këtë. Të merret me art është koha më e bukur e Sarës. I ka shërbyer si terapi. Përveç të tjerash, pati mundësinë të bëhej edhe pjesë e një konkursi të zhvilluar për herë të parë në Shqipëri “Narracioni i legjendave përmes novelave grafike”. Asaj nuk i duhen çmimet e para, është njësoj e gëzuar edhe me certifikatën e mirënjohjes, që mori nga ky konkurs. Sara e fitoi betejën e saj, tani mundet vetëm ta tregojë në mënyrën që mundet, përmes artit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura