Sanitarja, çiçikovja e sistemit

Jan 13, 2021 | 19:04
SHPËRNDAJE

ELIZABETA MUSTA*

elisabeta

Rëndom në historinë e njerëzimit në kohë krizash ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhin pazare me jetët njerëzore. Jo rastësisht romancieri i madh i letërsisë ruse, Nikolai Gogol krijoi personifikimin e batakçillëkut me personazhin e Çiçikovit, i cili me intuitën e vet  në degradimin e një sistemi mesjetar përfitonte të ardhura përmes shitjes si të gjallë, të fshatarëve të vdekur,  në defterët e feudalëve.

Pak muaj  më parë fenomenin e Çicikovit  e risolli në kujtesë  të publikut dhe ish ministri i Shëndetësise Ilir Beqja, duke ironizuar opozitën  për treguesit fiskalë, pikërisht ky politikan që rilindi më fort se kurrë strategjinë e korruptimit vertikal të sistemit nga kupola drejtuese ekzekutive, deri  tek stafi i bluzave të bardha.

Dje transmetimi me zë e figurë i rastit të sanitares ne Spitalin Covid 2, që kërkonte para në emër të mjekëve dhe infermierëve për kurimin e pacientes me Covid, dëshmon qartaz dështimin e sistemit edhe nga fakti i qarkullimit të çicikovëve shumë herë të veshur me kostum civil nëpër zyrat e institucioneve të shëndetësisë, por jo në pak raste dhe me bluza të bardha në terrenin spitalor.

Por disa pyetjeve  te thjeshta në situata të vështira si kjo e Pandemisë, nuk u jipet dot një  përgjigje me PO ose JO. Pra si mund tu përgjigjemi njerëzve se a kanë kërkuar dhe a kërkojnë mjekët para tek familjarët, për kurimin e të afërmve me Covid?

Mund të ketë me dhjetëra dhe me qindra raste kur familjarët kanë shpenzuar miliona lekë për shërimin e pacientëve, por eksperienca e përballjes çdo ditë me pacientët Covid në sistemin ambulator, më shtyjnë të jap këtë përgjigje  këmbëngulëse: Unë  jam e bindur vetëm tek një JO e fortë …

Nuk ka mjek dhe infermiere  që të kërkojë t’i jepen para për të nisur terapinë intensive kur pacienti mbërrin në ambulancë me temperaturë dhe me  Didimerin në nivele të lartë.

Në qindra raste si këto mjeku,ja dhe infermieri,ja, reagojnë me humanizmin dhe profesionalizmin e tyre në mënyrën më të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetën e pacientit, Me çdo kusht dhe krejt i pakushtëzuar nga pagesat nën dorë. Gjithkush mund të më gjykojë si avokatja e djallit, por atë, pra djallin, kërkojeni tek Pradat dhe Nusretët e politikës dhe pushtetit.

Korrupsionin në kurriz të jetës së pacientëve nuk e ushqejnë bluzat e bardha, por instrumentat dhe mjedisi aspak normal i ngritur në spitale me produktet fake të PPP
Epidemia e Covid 19 nxori zbuluar keqmenaxhimin e politikave të sistemit për faktin se, përqendrimi i trajtimit mjekësor të pacientëve u përqendrua  tek spitalet, duke sjellë në këtë mënyrë dhe përqendrimin e shpenzimeve të familjarëve në një qark të mbyllur dhe monopol i disa ekspertëve, që më së shumti u rreshtuan si  përkrahës të politikës dhe jo  profesionistë të sistemit

Keqmenaxhimi i situatës së Covid 19 ka çuar ne një rënie kolapsi të infrastrukturës në njerëz, aparatura dhe ilaçe në spitalet Covid që sot me të drejtë nga shqiptarët janë në fokus të gjykimit dhe kryqëzimit  Mbingarkese pacientesh mungese personeli e trajtimesh bazike qe fillojnë nga ilaçet kronike te te sëmurëve deri te ushqimi e uji i pijshëm, ngrenë dhe premisat   e një korruptimi aktiv të njerëzve në sistem.

Nëse do të kishte një shpërndarje horizontale të trajtimit mjekësor dhe kompetencave mes shërbimit spitalor dhe specialistëve të parësorit,  sistemi nuk do të përballej edhe me këtë kosto të lartë të perceptimit për një mjekësi të korruptuar. Dështimi i ka rrënjët tek strategjia e gabuar e spostimit të rolit të mjekëve të familjes në trajtimin e kësaj epidemie.

Prej kohësh shëndetësia në vendet e Evropës i ka dhënë prioritet mjekëve te familjes si  epiqendra e menaxhimit mjekësor të pandemisë Covid 19.

Ka disa shpjegime parësore për këtë situatë jonormale

1 . Mjekët i familjes e njohin shumë me mirë pacientin dhe i dinë mire rreziqet që e presin fizikun e tij ose të saj,  mund e presin pas  infektimit me Covid 19 
2. Ndjekja e te sëmurëve në të gjithë dinamiken e treguesve shëndetësore dhe sëmundjeve kronike të pacientit nga mjeku i familjes qe nga fillimi i infektimit do te shmangte rendimin e gjendjes  në shumë nga të sëmurët, duke shmangur mbingarkimin e spitaleve Covid 

Në shumë raste, ne nuk mundëm dhe nuk ditëm te përfshihemi ne menaxhimin e pandemisë. Nuk mundëm sepse u lamë pa asnjë strategji të shërbimit të integruar të mjekut të familjes me atë spitalor në rastin e trajtimit të kësaj epidemie. nga ana tjetër kur të gjitha stafet mjekësore në Evropë e më tej u përfshinë nga vala e trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertizave online, ne u lamë jetimë në aftësimin e potencialeve tona.

Sot kur secili prej nesh është trajnuar me mundësitë e veta, ne po u shërbejmë dhjetëra pacienteve ne muaj me kujdes të veçantë për secilin dhe po me aq efektivitet,  sa shume rrallë, te sëmurët përfundojnë në spitalet Covid.

Ndërkohë  që mungesa e mjeteve mbrojtëse ndaj virusit i vuri mjekët përballë stuhisë së infektimit,  ku me dhjetëra prej tyre patën pasoja të rënda e deri në humbjen e jetës. Kur koleget tanë u infektuan ne krye të detyrës, ne të tjerët u privuam nga tamponët për depistim.

Aktualisht vaksinimi duhet te fillonte nga ata qe janë kontakti i parë me të sëmurin që në ditët e para kur ngarkesa virale është e lartë dhe, që nuk janë mjeket e spitaleve Covid por mjeket e familjes kur të sëmurët paraqiten më së pari.

E pra, e parë në këtë prizëm, atë të procesit  zinxhir, ku të gjitha hallkat janë gati për tu këputur, rasti i sanitares se Covid 2  është vetëm ujku që përfitoi nga mjegulla e keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë  në drejtimin e sistemit më bazik të një shteti funksional.

*Mjeke e Shërbimit Parësor Kamëz

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura