Samiti i Varshavës, Ruçi: Na bashkojnë vlerat perëndimore europiane

Jul 12, 2018 | 16:44
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi po merr pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore në Varshavë, si edhe në kremtimin e 550 vjetorit të parlamentarizmit në Poloni, në datat 12-13 korrik, i ftuar nga kryetari i Senatit dhe kryetari i Parlamentit të Polonisë. Ruçi shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla.

36961355_10156546100656692_1710126067391397888_n

Në fjalën e tij të mbajtur në Samit, ruçi vuri në dukje se Evropa Qendrore dhe Lindore përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit dhe një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë.

Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit.

Pavarësisht diferencave midis tyre, ato konvergojnë në një drejtim kryesor: vlerat evropiane. Evropianizimi i shoqërive tona është tipar i kohës.

Prandaj bashkëpunimet tona dypalëshe dhe rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë.

Ruçi falenderoi parlamentet e Polonisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Greqisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre për qëndrim pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm ishte një temë qëndrore e Samitit.

Kuvendi i Shqipërisë po punon për inkorporimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në hartimin e ligjeve, buxhetit, funksionet e mbikëqyrjes e përfaqësimit, si edhe dokumentat strategjikë, programet e masat e qeverisë.

Gjatë dy viteve të fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e reformës në drejtësi, unike në rajon, e cila synon të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë. Rezultatet e kësaj reforme janë të prekshme dhe mbresëlënëse.

Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për fuqizimin e mirëqenies dhe kohezionit social.

Vendi po rritet ekonomikisht me rreth 3-4 përqind në vit, duke rimodeluar zhvillimin ekonomik drejt hapjes së vendeve të punës, reduktimit të varfërisë dhe zgjerimit të shërbimeve publike, sociale e shëndetësore cilësore e të përballueshme.

Rezultat i reformave është ulja e ndjeshme e papunësisë, e cila, për herë të parë pas vitit 1990, arriti 12.5 përqind; ulja e varfërisë së matur me fuqinë blerëse, e cila është përgjysmuar gjatë gjashtë viteve të fundit: nga 62.5 në 32.8 përqind; ngushtimi i hendekut gjinor në tregun e punës dhe ecja drejt Mbulimit Shëndetësor Universal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura