Samiti i NATO-s në Varshavë dhe Shqipëria

May 26, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

pirro-ahmetajGJENERAL PIRO AHMETAJ

Në datat 8-9 korrik 2016 do të mbahet në Varshavë, Poloni, Samiti i 27-të i NATO-s. Është zgjedhur Varshava (Polonia) si vendi më i “gjetur”, për të risjellë kujtesën e mesazheve historike të simbolikës së shkatërrimit, të përvuajtjes dhe të qëndresës së këtij vendi ndaj “djajve të kuq”; vendi  që u pranua e para në NATO/BE dhe që ka admirimin dhe besimin e perëndimit për reformat e suksesshme; sepse po përjetojmë një kohë kur “ariu polar është zgjuar nga gjumi” dhe rreziku i Rusisë ndaj vendeve që zgjodhën të përfshihen në Aleancën e NATOs është më imediat se kurrë më parë; sepse vetë autoritetet e Varshavës e kërkuan mbajtjen e këtij Samiti në kryeqytetin e tyre si shenjë e solidaritetit aleat.

U zgjodh Varshava për t’i rikonfirmuar Rusisë qëndrimin e palëkundur të NATO-s për mbrojtjen e territoreve të vendeve aleate të saj. NATO nëpërmjet Samiteve ka transformuar vetveten në formë dhe përmbajtje, duke dominuar “biznesin e sigurisë globale” me strategji koncepte, struktura, infrastruktura, planifikimin, rregullat e angazhimit, si dhe modernizimin e “procedurave dhe kulturës” së komunikimit me vendet anëtare dhe partnere.

Traktati i Uashingtonit 1949 konsiderohet si “kutia e Pandorës”, pasi nëse ai “preket me themel”, do të vinte në pikëpyetje vetë Aleancën. Prandaj Aleanca u tregua e zhdërvjellët dhe pas mbarimit të luftës së ftohtë, miratoi 3 Koncepte Strategjike: në Samitin e Romës ’91, të Uashingtonit ’99 dhe Lisbonës 2010. Këto 3 koncepte përbëjnë “zgjidhje të mençura” për mbijetesën e NATO-s për angazhimet jashtë Nenit 5.

REFORMA POLITIKE E ZGJERIMIT TË NATO-S

Pavarësisht “rezistencës së Ariut të ngujuar”, bazuar në mjedisin pas viteve ’90, liderët e mirënjohur të NATO-s iniciuan në Samitin e Romës (1991) projektin politik të “dyerve të hapura” (Open Door Policy). Vendet e lindjes komuniste u vunë “në garë për t’u anëtarësuar sa më shpejt” në Aleancë. Ky Projekt ka shërbyer si mekanizëm për “demokratizimin e 12 vendeve të kampit të lindjes” në 5 fusha: Politike dhe Ekonomike, Ushtarake, Financiare, Ligjore&informacionit. Për fat të keq, përjashto rastin e Shqipërisë, për 11 vendet e tjera anëtarësimi në NATO ka shërbyer edhe si një “garanci shtesë” për t’u anëtarësuar në BE.

Dera e NATO-s “mbetet e hapur” për vendet aspirante dhe partnere, si ato të rajonit tonë, por edhe për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Nga ana tjetër, për të nxjerrë Rusinë nga strofulla e “paranojës së kërcënuar nga armiku”, NATO ka krijuar një “Komitet permanent konsultimi NATO-Rusi”.

Duke iu referuar gjendjes dhe perspektives së marrëdhënieve NATO-Rusi, analisti GK Chesterton thotë: “Ne bëjmë miq ose armiq, por fqinjët na i ka vendosur Zoti”.

ÇËSHTJE TË BUXHETIT DHE KAPACITETEVE

NATO është një organizatë ku fuqia e saj është një agregat sinergjik i fuqisë së 28 vendeve anëtare të saj. NATO nuk e ka ndryshuar nivelin e ambicieve të saj (që njihet si niveli 2 + 6), por nga njëri Samit në tjetrin ajo ka modernizuar sistemin e planifikimit dhe vendimmarrjes. Në Kosovë, Afganistan, Libi, Mesdhe, Gjirin e Hormuzit etj., NATO u faktorizua si struktura më e fuqishme ushtarake, si dhe “shpresa e vetme” për vlerat e lirisë, sigurisë dhe stabilitetit në botë.

Nga prezenca “zero” jashtë territoreve të saj në fillim të viteve ’90, ajo arriti në një total prej 170.000 trupa në terren në Afganistan (ISAF- 2012). Në disa Samite radhazi, por edhe në 2014-n në Uells, UK Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive, edhe pse nënshkruan solemnisht se do të rrisnin buxhetin dhe do të jetësonin Planin e Veprimit për Gatishmërinë (RAP) dhe Task Forcën e Gatishmërisë Shumë të Lartë të Aleancës (VJTF), një pjesë e vendeve aleate po shkojnë në Varshavë me angazhime të pambajtura.

Të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike të Anglisë (IISS-Military Balance 2016) tregojnë se vendet aleate po shpenzojnë mesatarisht 1.1% të GDP-së. Lista mbyllet me disa vende problematike, midis tyre edhe RSH, që në 3 vitet e fundit e kanë zbritur buxhetin nën 1% të GDP-së.

Ç’PRITET NGA SAMITI I VARSHAVËS?

Ky Samit i 27-të do të shërbejë si një mundësi e pazakontë për “Kryetarët e Shteteve” të vendeve aleate për të shkëmbyer këndvështrimet e tyre për rreziqet e mjedisit të ri të sigurisë, për gjendjen aktuale dhe perspektivën e Aleancës.

Rreziqet nga Lindja dhe Jugu. Samiti i Varshavës pritet të jetë historik për Aleancën, për shkak se ky samit mbahet në momente kur në kufijtë lindorë dhe jugorë të saj ka zhvillime të pazakonta, kur shkeljet e hapësirës ajrore dhe detare ndaj “Aleatëve e vijës së parë” (Norvegji/ Finlande, Poloni, 3 vendet Baltike, Turqi), konsiderohen si “më të rëndat që nga koha e luftës së ftohtë”, dhe kur marrëdhëniet NATO-Rusi, mbas ngjarjeve në Ukrainë, “janë të ngrira”.

Për këtë arsye ky samit pritet të rikonfirmojë qëndrimin e palëkundur aleat ndaj nenit 5 të mbrojtjes kolektive, sidomos ndaj vendeve në periferi të Aleancës që i përjetojnë më shumë këto rreziqe. Në 15 vitet e fundit, dhe sidomos 3 vitet e fundit nëpërmjet Doktrinës Putin-Medvedev 2013 dhe 2015, demonstrohet një rritje e ambicieve gjeopolitike të Rusisë dhe përcaktimi i NATO-s si një kërcënim kryesor ndaj saj.

Në rastin e “pushtimit” të Aeroportit të Kosovës (1999), tregoi se ajo “ishte ende gjallë”; në rastin e “pushtimit” të Gjeorgjisë 2009 demonstroi se po ringrihej në këmbë, ndërsa në rastin e Krimesë dhe së fundmi të Sirisë, ajo po demonstron se nuk ka ndër mend të bëjë lëshime për trofetë gjeopolitikë që i takojnë “Ariut Polar”. Buxheti i mbrojtjes së Rusisë ka pasur një rritje të shpejtë pas vitit 2000, kur për vitin 2016 ka arritur në 49 miliardë dollarë (rreth 3.8% të GDP), një shifër rekord pas luftës së ftohtë.

Në 4 dhe 9 maj 2016, ministri Mbrojtës së Rusisë, Sergei Shoigu, konfirmoi ngritjen e 3 Divizioneve të reja aktive me 10.000 trupa secili, të 5 Regjimenteve me raketa nukleare, si dhe në datën 17 maj, ngritjen e një Sistemi kundër raketor në Krime, sipas tij “në përgjigje të drejtpërdrejtë të intensifikimit të stërvitjeve (nënkupto rreziqeve) të NATO-s në kufijtë perëndimorë e jugorë dhe të sistemit raketor të Aleancës të inauguruar ditët e fundit në Rumani”.

Me gjithë rritjen e konsiderueshme, buxheti i mbrojtjes i Rusisë është 15 herë më i ulët se ai i SHBA dhe 20 herë më i vogël se buxheti i të gjitha vendeve të NATO-s së bashku. Por qëllimi i Rusisë është të krijojë perceptimin se bota po rikapet nga “ethet e luftës së ftohtë”; të riciklojë mitin e “Carëve/ Putinit të pavdekshëm”; të ushqejë “ushtrinë e nostalgjikëve jo vetëm brenda Rusisë”, të përdorë supremacinë e resurseve të gazit dhe naftës; të inspirojë “krizën e refugjatëve”, të lëkundë kohezionin në NATO dhe fusë vendet europiane në kriza politike.

“Një Rusi e dobët, është më e rrezikshme se një Rusi e fortë!” nënvizon Admiral James G. Stavridis, ishkomandant i Komandës Supreme të NATOs. Kina po ashtu, nëpërmjet fuqisë ekonomike (Rrugën e Mëndafshit) po përpiqet të “imponojë” norma të reja dhe të faktorizohet në sistemin global të sigurisë. Pra, ky Samit pritet të miratojë një direktivë “shtrënguese”, për të prodhuar buxhete dhe për rrjedhojë kapacitete të afta për të përmbushur nivelin e ambicieve të Aleancës, në kuadër të nenit 5.

Adresimi i rreziqeve që vijnë nga Jugu i Aleancës mbeten një çështje e rëndësishme për diskutim nga ky Samit. Rreziqet asimetrike, kriza e refugjatëve, ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, konfliktet civile, format hibride dhe rreziqet nga “vendet e dështuara”, si dhe rreziku nga i ashtuquajturi ISIS, dhe qasjet përkatëse mund të jenë disa prej tyre.

Pavarësisht se rreziqet e kësaj natyre janë jo tipike të natyrës së misionit të NATO-s, por më shumë të BE-së, ky samit do të diskutojë se çfarë mund të bëjë NATO në përballimin e kësaj sprove të vështirë. Vendet e Jugut do të synojnë të ndikojnë që qëndrimi i Aleancës të jetë më i vendosur për këto rreziqe. Aq më shumë që NATO dhe BE kanë një forum të përbashkët që diskuton në mënyrë permanente çështjet me interes të përbashkët dhe qasjet përkatëse. Edhe Shqipëria duhet të formulojë qëndrimin e saj për këtë çështje.

KONFIRMIMI I MARRËDHËNIEVE TRANSATLANTIKE

Samiti pritet të konfirmojë rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike dhe veçanërisht rolin jetik të SHBA-ve në Aleancë. Pa fuqinë ushtarake (përfshi nukleare) të SHBAve nuk mund të ketë një NATO të fuqishme për të zbatuar strategjinë e “frenimit”. Barra e buxhetit dhe kapaciteteve ushtarake të SHBA-ve në raport me 26 vendet e tjera europiane është rritur në rreth 80% me 20% nga rreth 60% me 40% që ishte para viteve ‘90, gjë që nuk: “tingëllon” e drejtë.

Në 10 vitet e fundit, nga autoritetet e SHBA-ve është kërkuar më shumë përgjegjshmëri në ndarjen më të drejtë të barrës. Kjo kërkon që udhëheqësit e vendeve europiane të NATOs, përfshi edhe Shqipërinë, të mos “bëjnë lodra fjalësh”, por t’u përmbahen angazhimeve që marrin në samite, ministeriale, NAC, dhe sidomos ato të samitit të kaluar të Uellsit për rritjen graduale në 2% të GDP në periudhën afatmesme.

SAMITI I VARSHAVËS DHE SHQIPËRIA

Presidenti Nishani ka theksuar se “Anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike pas themelimit të shtetit shqiptar”. Duke qenë pjesë e stafeve të “negociatorëve teknikë” në procesin e marrjes së ftesës, deri në nënshkrimin e “anëtarësimit të plotë teknik”, konfirmoj se Shqipëria përbën një “vend model”. Kjo pasi shumica e 11 vendeve të tjera, pas anëtarësimit e ulën nivelin e angazhimeve të tyre në raport me NATO-n.

Nga anëtarësimi në prill 2009 deri në shtator 2013, Shqipëria përmbushi Objektivat e Anëtarësimit Teknik në NATO; rriti buxheti e mbrojtjes deri 2 % të GDP në 2008 (184 milionë €), me mbështetjen e SHBA-ve realizoi Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM/SDR) dhe hodhi themelet e një projekti modern në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ndër reformat dhe produktet e mëdha përmendim: rritjen e kapaciteteve dhe kontributeve në operacionet ndërkombëtare (rreth 450 ushtarakë njëherësh në vitin 2008 dhe 2009); prezencën e 60 ushtarakëve në strukturat aleate të kohës së paqes; finalizimin e një “projekti shembullor” për demontimin e municioneve të trashëgimisë të regjimit komunist; alokimin e rreth 30% të buxhetit për projekte të modernizimit të FASH, si: vëzhgimi i hapësirës detare, anijet e patrullimit, helikopterët, forcat speciale, uniformat; qendra strategjike dhe kursi i lartë për sigurinë dhe mbrojtjen; Qendrën e simulimit; Dixhitalizimi i të dhënave të personelit, Muzeun dhe rritjen e imazhit të FA-ve, etj; u nënshkruan dhjetëra marrëveshje mirëkuptimi për Forcat Speciale, Inteligjencën, Protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar etj.

Për këto arritje të konsultuara dhe votuara me konsensus, dhe të certifikuara nga NATO, Shqipëria e meritoi përcaktimin zyrtar si “një ndër 5 vendet model në përmbushjen e detyrimeve në NATO”.

Në vitet e fundit, fatkeqësisht “Shqipëria ka rrëshqitur në fundin e listës të përmbushjes së angazhimeve në NATO”, për shkak të uljes drastike të buxhetit të mbrojtjes (më pak se 1% të GDP-së, dhe më pak se 90 milionë € në tre vitet e fundit); çintegrimit të sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes; prishjes së balancave kushtetuese në vendimmarrjet strategjike; mungesës së konsultimit dhe konsensusit për vendimmarrjet në fushën e sigurisë; politizimit të FA, si dhe shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.

DISA KONKLUZIONE

Gjykoj se jemi në kohën e duhur për të promovuar një debat gjithëpërfshirës në përgatitjen e qëndrimeve në këtë Samit. Në vijim, po artikuloj disa qëndrime të mundshme që mund të nxisin mendimet në pikëpamje profesionale dhe kontribuojnë ne qëndrimet zyrtare:

1 “ Shqipëria mbështet përpjekjet e Aleancës për t’u adaptuar dhe transformuar në përputhje me zhvillimet e mjedisit strategjik për të reaguar shpejt dhe me cilësi ndaj rreziqeve të mjedisit të sigurisë. Ajo do të vijojë të ndajë barrën, përgjegjësitë dhe do të kontribuojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Kosovë, Bosnjë- Hercegovinë, Gjeorgji, Ukrainë etj., dhe garanton solidaritet të “pakushtëzuar”, mbështetje dhe konsensus për të gjitha projektet dhe angazhimet e Aleancës në interes të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive.

2) Shqipëria ndjek me vëmendje dhe shqetësim veprimet e Rusisë në periferi të kufijve lindorë të Aleancës dhe bashkohet me Aleancën për rikonfirmimin e mbrojtjes kolektive për të gjitha këto vende aleate në Lindje, dhe është e gatshme që të kontribuojë, sipas rastit dhe mundësive, me kapacitetet e veta kombëtare për këtë qëllim. Po ashtu, Shqipëria mbështet qëndrimet e Aleancës për një qasje të përbashkët ndaj kërcënimeve asimetrike të sigurisë: “terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, shtetet e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, siguria e mjedisit, emergjencat civile, si dhe përballimin e krizës së refugjatëve etj.

3) Shqipëria çmon forcimin e marrëdhënieve transatlantike dhe rolin jetik të SHBA-ve në sigurinë dhe mbrojtjen kolektive. Ajo mbështet çdo iniciativë dhe projekt për zhvillimin e diplomacisë së efektshme dhe kapaciteteve aktive, në mënyrë që NATO të mbetet e aftë të mbrojë territoret e saj nga çdo kërcënim, në çdo kohë, dhe nga çdo drejtim që të vijnë; mbështet forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe strukturat e tjera të sigurisë globale;

4) Shqipëria konfirmon “votën e fortë PRO” dhënies së ftesës për pranimin e Malit të Zi në NATO, me bindjen se ky zgjerim i shërben sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovon përpjekjet e vendeve të tjera të rajonit, si të Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës, për plotësimin e kërkesave për anëtarësim. Shqipëria angazhohet se do të mbështesë me ekspertizë dhe eksperiencën e saj 7-vjeçare udhëtimin e këtyre vendeve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, si dhe zhvillimin e projekteve dhe kapaciteteve të përbashkëta “smart”, për vëzhgimin e hapësirës ajrore dhe policimin ajror, mbrojtjen kibernetike, luftën kundër terrorizmit, emergjencat civile etj.

5) Shqipëria është e vetëdijshme se buxheti i mbrojtjes mbetet “thembra e Akilit” për të përmbushur nivelin e ambicies së Aleancës. Është e ndërgjegjshme se ka pasur ulje të buxhetit të mbrojtjes në vitet e fundit. Angazhohet, se duke filluar nga vitin 2017, buxheti i mbrojtjes do të arrijë në 1.2 % GDP, duke u rritur në vijim me 0,2% të GDP çdo vit, me synimin e zhvillimit të kapaciteteve të afta për përballimin e sfidave të sigurisë së qytetarëve dhe shoqërisë, si dhe përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s.

6) Në kuadër të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Shqipëria ka lançuar dhe kërkon mbështetjen e vendeve aleate për ngritjen e një “Qendre Ekselence të NATO-s për Luftëtaret e Huaj”. Kjo qendër do t’i kontribuojë Shqipërisë, vendeve të rajonit, për sigurinë e NATO-s dhe më gjerë.

7) Shqipëria konfirmon angazhimin për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit në përputhje me sistemin e mbrojtjes kolektive, nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse në fushën e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare”.

Po e mbyll këtë artikull me fjalët e ish-Presidentit të SHBA-ve John Kennedy, në hapjen e Konferencës se Munihut për Sigurinë të vitit 1963: “T’i hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”! Jam shpresëplotë se në këtë Samit do të rikonfirmohet vizioni, vullneti, solidariteti, iniciativat, projektet, programet, mbështetja e nevojshme financiare për ngritjen e kapaciteteve të afta të përballjes së NATO-s me rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë, paqes, lirisë, prosperitetit dhe stabilitetit demokratik në hapësirën euroatlantike.

*Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës Opinionet e këtij artikulli janë tërësisht këndvështrime profesionale të autorit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura