Sami Repishti: “Hetuesi i At Zef Pllumit më ka torturuar për 14 muaj”

Dec 4, 2015 | 20:08
SHPËRNDAJE

Askush më shumë se një ish-i dënuar në burgjet e komunizmit, i torturuar nëpër dhomat e hetuesisë nuk mund ta ndiejë dhimbjen e plagëve të vjetra dhe fyerjen kur mëson se xhelatët e tij tashmë varin në gjoks “Medalje mirënjohjeje”.

Shyqyri Çoku/ Sami Repishti
Shyqyri Çoku/ Sami Repishti

Një ndër ta është edhe Sami Repishti, të cilin fati i keq e çoi në duart e hetuesit Shyqyri Çoku, një të dekoruarve, që Repishti e kujton qysh në kohët kur atë e thërrisnin “Rreshter Shyqi”, e ua thyente drurin në kurriz të dënuarve. Në një intervistë për “Panorama” ai tregoan se e ka njohur atë që u bë xhelati i tij edhe më parë, në moshë të re dhe e cilëson si tip rrugaçi.

“E kam njohur që kur ka qenë i ri, por nuk kam pasur shoqërim me të. Ishte tip rrugaçi. Nuk besoj se ka luftuar me armë në dorë për arsye të moshës”- thotë Repishti.

Ai tregon se “Kanë qenë vëllezërit Gavoçi, kaporiona komunistë në Shkodër, dhe dajat e tij që e kanë promovuar për të bërë karrierë në Sigurim. Personalisht kam ngrënë disa shkopinj dhe grushte e shkelma pothuajse të përditshme për afër 24 muaj hetuesie”.

Askush më shumë se një ish-i dënuar në burgjet e komunizmit, i torturuar nëpër dhomat e hetuesisë nuk mund ta ndiejë dhimbjen e plagëve të vjetra dhe fyerjen kur mëson se xhelatët e tij tashmë varin në gjoks “Medalje mirënjohjeje”.

Një ndër ta është edhe Sami Repishti, të cilin fati i keq e çoi në duart e hetuesit Shyqyri Çoku, një të dekoruarve, që Repishti e kujton qysh në kohët kur atë e thërrisnin “Rreshter Shyqi”, e ua thyente drurin në kurriz të dënuarve. Në një intervistë të shkurtër ai kujton njohjen me të, si “u katapultua” ai në radhët e Sigurimit, edhe pse me gjasë nuk ka shtënë kurrë me armë në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shkrimtari dhe historiani Sami Repishti ka qenë ndër të parët që iu kundërvunë regjimit që u instalua në Shqipëri në vitin 1944. Ishte një ndër themeluesit e Organizatës së Rinisë Demokratike në Shkodër. Në maj të vitit 1946 mori pjesë në procesionin e varrimit të arqipeshkvit imzot Gaspër Thaçi. Disa muaj më vonë, në 22 tetor 1946, arrestohet me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Iu nënshtrua torturave për 24 muaj me radhë, deri në dënimin e tij me 15 vjet heqje lirie. Më 28 nëntor 1947 dërgohet në Burgun e Madh dhe më tej në kampin e Vloçishtit, në Beden të Kavajës, më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Pojan të Korçës, rikthehet në burgun e Shkodrës. Pas daljes nga burgu, më 1956, ka punuar në gjithfarë punësh, deri në ditën e arratisë, në 22 gusht 1959. Pas shumë peripecish, në fillim në Jugosllavi, pastaj në Itali, mundi të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u angazhua në njohjen e çështjes shqiptare në Perëndim dhe denoncimin e komunizmit.

Zoti Repishti, po flitet shumë këto ditë për dekorimin e veteranëve të LANÇ, mes të cilëve edhe ish-hetues, punonjës të Sigurimit, prokurorë etj. Një ndër ta edhe Shyqyri Çoku, dhunën e të cilit ju e keni vuajtur vetë mbi shpinë. Cili ishte ky njeri?

Krimineli Shyqyri Çoku ka qenë major i Sigurimit në vitin 1990. Ai e ka filluar karrierën e tij të fëlliqtë në Sigurimin e Shkodrës si “Rreshter Shyqi”. Ai ka qenë një nga nënoficerët më të këqij që na e ka bërë jetën varr në burg, me rrahje dhe keqpërdorim të shumëllojshëm. Ka një gojë shumë të fëlliqtë, që ai e përdorte për të ofenduar gratë, nënat, motrat tona pa pushim. Ai ka rrahur me dru çdo të burgosur, që i hipte në kokë pa leje ose autorizim. “I keq për natyrë”, së bashku me nënoficerët Elez Mesi, Dul Rrjolli dhe Dulaq Lekiqi që më kujtohen edhe sot.

E keni njohur para se ai të bëhej “xhelati” juaj?

E kam njohur që kur ka qenë i ri, por nuk kam pasur shoqërim me të. Ishte tip rrugaçi. Nuk besoj se ka luftuar me armë në dorë për arsye të moshës. Kanë qenë vëllezërit Gavoçi, kaporiona komunistë në Shkodër, dhe dajat e tij që e kanë promovuar për të bërë karrierë në Sigurim. Personalisht kam ngrënë disa shkopinj dhe grushte e shkelma pothuajse të përditshme për afër 14 muaj hetuesie.

Në një koment tuajin ju përmendni se ai, veç të tjerash, kishte zaptuar edhe shtëpinë e një figure të njohur, kush ishte ai?

Shtëpia ku ka banuar ka qenë e re dhe pronë e tregtarit Dan Hasan Dani, ish-i burgosun politik (vëllai i deputetit Riza Dani që u pushkatua në vitin 1947). Familja e tij u dëbua dhe jetonte në një shtëpizë të huaj.

Veç Shyqyri Çokut, kush e ka thelluar ferrin tuaj gjatë dënimit?

Kriminelët në atë kohë në Shkodër kanë qenë një “legjion”. Ai që më ka torturuar më shumë dhe më keq ka qenë ish-gjenerali i Sigurimit, Zoi Themeli, nga Korça, një monstër që nuk ngopej me tortura kundër nesh. Ai ka vrarë edhe Av. Muzafer Pipën, duke e djegur me hekur të skuqur në kurriz (sipas dëshmive në gjyqin e Koçi Xoxes).

Ju përmendët disa emra, a është dënuar kush për krimet e veta?

Asnjë nga këta kriminelë nuk është trazuar, arrestuar ose dënuar, as edhe familjet e tyre. Kanë vdekur të qetë dhe me pensione në krevat.

Ç’menduat kur patë listën e të dekoruarve?

Nuk e kam lexuar dekretin, as edhe emrat. Por një shok i imi më njoftoi se emri i tij në listë ashtë nr. 326.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura