“Sami Frashëri” kremton 55-vjetorin, drejtoresha Dobi: Gjimnaz elitar

Dec 16, 2017 | 18:18
SHPËRNDAJE

Në tri vitet e fundit është listuar i pari sipas vlerësimit të “Kartës së Performancës” dhe po ashtu ka zënë vendin e parë për rezultatet e Maturës Shtetërore. Shkolla e mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet ka kremtuar 55-vjetorin e themelimit. Muaji dhjetor u shoqërua me aktivitete të njëpasnjëshme të cilat kulmuan të enjten mbrëma.

29684739

Përmes një mbrëmje gala, mbajtur në ambientet e sallës së madhe të Akademisë së Arteve, grupi i talenteve të shkollës ka dhuruar shfaqje për të pranishmit e shumtë që iu bashkuan festimeve në këtë përvjetor të 55-të. Në fjalën e rastit, drejtoresha Teuta Dobi renditi të gjitha arritjet e shenjuara ndër vite, të cilat i kanë dhënë emrin e mirë kësaj shkolle duke e shndërruar në një institucion lider në sistemin parauniveristar.

“55 vjet rrugëtim, 55 vjet gjimnaz elitar që ka nxjerrë nga gjiri i tij personalitete të njohura në art, shkencë, politikë e sport. Një gjimnaz udhërrëfyes drejt suksesit, një lider në sistemin parauniversitar. Sukseset në vite janë të shumta,mjafton të përmendim: Certifikatë mirënjohje nga Kryeministri dhe ministria e Arsimit për rezultate të spikatura në Maturën Shtetërore.

Në dy vitet e fundit jemi të parët për rezultatet e Maturës Shtetërore, me mbi 50% të rezultateve nota 9 dhe 10. Renditjen në vendin e parë në “Kartën e Performancës” së gjimnazeve publike, për të tretin vit rresht. Certifikatat e shumta me çmime të nxënësve në olimpiada dhe konkurse kombëtare e ndërkombëtare”, tha drejtoresha Dobi.

Në fillimet e tij, në vitin 1962, gjimnazi numëronte 800 nxënës, tashmë ky numër është dyfishuar,po ashtu edhe numri i mësuesve. Në kuadër të këtij 55-vjetori, muaji dhjetor u shoqërua me aktivitete të shumta, veprimtari artistike dhe një ekspozitë me piktura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura