Salma Hayek: Në Hollivud çava si një “bombë seksi”

Oct 1, 2012 | 15:13
SHPËRNDAJE

E ndarë mes Meksikës, SHBA-ve dhe Francës, Salma Hayek ndien të mos i përkasë asnjë vendi. Zhgënjimet e aktores, që për pak e çuan drejt braktisjes së kinemasë…

Jeta e Salma Hayek ka më shumë imagjinatë se vetë kinemaja. Ashtu si ajo e idhullit të saj, Frida Kahlo – rol për të cilin ajo u nominua për Oskar si aktorja më e mirë – trajektorja e saj vizaton një fat rebel që nis në krah të Vera Cruz në gjirin Campeche në Meksikë, ku ka lindur, për të vazhduar në Hollivud, ku ia ka dalë të kalojë shumë pengesa që mund t’i marrim me mend, për t’u vendosur në Paris, ku pasi u martua me François-Henri Pinault, ajo kalon një pjesë të vitit.
Urgjencë për të jetuar
Tri breza grash janë bashkuar nën një tendë në një ndërtesë në Soho: kozmopolitanizmi i familjes Hayek nuk e ka tretur shpirtin e klanit. Në mbrëmje vonë e gjejmë në një sallon shik me vështrim mbi Central Park. Ajo ju fton ngrohtësisht, e lodhur por e lumtur, e dashur, gazmore. Bujare me kohën dhe emocionet e saj, Salma Hayek, e bukur dhe e gjallë, nuk ngjan me asnjë aktore tjetër. Origjina e saj meksikane theksojnë pasionin e ethshëm dhe urgjencën për të jetuar me atë që ka zgjedhur.
Kam marrë dhurata që nuk i prisja
Tashmë ajo është kthyer në kinema, për mirë këtë herë, nga një filmografi e parregullt që nuk e mbushte më: “Jam zhgënjyer, e vendosur që nëse nuk më ofronin diçka me të vërtetë interesante, mendoja ta lija fare kinemanë, dhe t’i përkushtohesha sime bije, bashkëshortit dhe punëve të mia që më marrin shumë kohë.
Ishte François Henri që më shtyu të kthehesha në kinema. Besimi i tij tek unë më rrëmbeu. Ishte ai që ndezi zjarrin kur unë nuk besoja më… Kjo më ka ndodhur edhe me burrat… Po i afrohesha të 40-ave, nuk po takoja një njeri të mirë dhe kisha hequr dorë. François-Henri hyri në jetën time… Kam marrë dhurata që nuk i prisja më…
Kombësia: aktore
Tek “Savages” i Oliver Stone, ku ajo luante padronen e një karteli meksikan droge, ajo “vodhi” filmin dhe eklipsoi rishtaren Blake Lively. “Ishte lloji i rolit që kisha pritur gjatë gjithë jetës. Për të mos folur për Fridën, që e nisa, e mbështeta dhe isha bashkëproducente. Oliver Stone pati besim tek unë. Pika ime e fillimit? Imagjinoni që për të mbijetuar në atë botë burrash, Elenës i është dashur të shpikë një personazh që ishte armatura e saj. Nuk dihet ekzaktësisht se kush është ajo, një grua me maskë, e aftë të drejtojë një ushtri kriminelesh, por që rrëzohet kur bëhet fjalë për të menaxhuar një konflikt me vajzën e saj”.
Nëse Elena duhej deshifruar, për të kuptuar Salma Hayek, duhet të bashkosh pjesët e një “puzzle”, copëzat e të cilit janë shpërndarë ca këtu e ca atje, në Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë.
Duke i mbledhur të gjitha, të shfaqej imazhi i një luftëtareje, që nuk është qarë kurrë për fatin e vet: “Nuk flas kurrë për vuajtjet e mia, edhe pse unë jam një grua prej mishi e kockash, me problemet, konfliktet, paradokset e mia. E mbi të gjitha e kam shumë të vështirë të vë etiketa, – paralajmëron ajo. Jam meksikane në zemër, por jo në gjak. Kur jetoja në Meksikë, më konsideronin si një grua arabe, për shkak të origjinës sime libaneze.
Por kur mbërrita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, asnjëherë nuk isha ndier kaq shumë meksikane! Ndërsa sot, në Francë e dëgjoj vazhdimisht: “Ti mendon kështu, sepse je amerikane”. Në realitet, gjithmonë jam ndier pak e veçantë. Jam ndryshe. Asnjëherë nuk i përkas një vendi. Kjo nuk ka të bëjë fare me origjinën time, por me mua. Kombësia ime është aktore”.
E rritur mes bollëkut – i ati punonte me naftën-Hayek u bë një yll i televizionit meksikan, falë telenovelës “Tereza”. Në moshën 24-vjeçare vuri këmbën në Hollivud, ku nuk gjeti tokën e premtuar, por një fortesë të papushtueshme, ku përjetoi refuzimin: “Nuk kishte asnjë hapësirë për mua atje. Atje, një aktore latine nuk ka zgjedhje tjetër përveçse të luajë vajzën e mirë, prostitutën ose shpërndarësen e drogës. Atëherë unë pretendova të isha një bombë seksi, shpresa e shpëtimit tim, dhe më besuan”, thotë ajo duke qeshur.
E identifikuar nga regjisori Robert Rodriguez, me kokëfortësi, punë dhe talent, Salma Hayek doli nga getoja etnike, bëri emër dhe forcoi respektin me Fridën e adhurueshme. Aktorja ngre kokë dhe tregon çka ajo është me të vërtetë: një grua inteligjente dhe e gjallë, një aktiviste e palodhur që lufton për të drejtat e gruas, për mjedisin dhe kundër AIDS-it.
(“Madamme” – “Le Figaro”)

Pasionet
Parisi: Parisienët e kanë harruar që është qyteti më i bukur në botë.
Venecia: Jam tronditur nga ideja që ky qytet mund të zhduket. Ne shkojmë atje çdo përvjetor martese.
Kafshët: Kam mbledhur kuaj të plagosur në fermën time në Uashington, tempullin tim. Kam gjithashtu 10 qen, 4 lama, pula…
Frida Kahlo: Obsesioni im prej moshë 14 vjeçe. Në Los Angeles e kam lyer shtëpinë time në blu si Casa Azul (Shtëpia e kaltër) e saj në Meksikë.
Futbolli: Në Shtetet e Bashkuara isha e privuar. Futbolli amerikan është shumë i çuditshëm. Në Francë gjeta fëmijërinë time të arratisur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura