Sali Butka në përshkrimin e Sabri Godos, patrioti që dha dy djem dëshmorë

Jan 24, 2020 | 11:17
SHPËRNDAJE

Kongresi i Lushnjës i vitit 1920 është pa dyshim një nga ngjarjet politike më të rëndësishme të shekullit të kaluar. Për Shqipërinë e pasigurt, të kërcënuar për t’u copëtuar dhe eliminuar nga harta gjeografike si shtet më vete, do të niste një kthesë historike.1

Kongresi i hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920 dhe u mbyll më 31 janar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike.

Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar, si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.kongresi

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e Parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. Një ndër pjesëmarrësit në këtë Kongres ishte edhe Sali Butka, të cilit shkrimtari Sabri Godo do t’i kushtonte librin “Plaku i Butkës”. Në një fragment nga ky libër përmendet pjesëmarrja e tij në Kongres e mbi të gjitha, një fjalim frymëzues i mbajtur në Ditën e Flamurit.plak

Sali Butka në Kongresin e Lushnjës

Sabri Godo

(fragment nga libri i Sabri Godos “Plaku i Butkës”)

Në Kongresin e Lushnjës, Sali Butka shkoi si delegat i Kolonjës dhe u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, atje ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Plaku shkoi në qytetin ku do të mblidhej Kongresi Kombëtar gati një muaj më përpara, si mik i Ibrahim Karbunarës. Ditën e 28 Nëntorit, ai mbajti një fjalim në mitingun e organizuar në Lushnjë, me rastin e Festës së Flamurit.

Ja kronika e asaj dite të 28 Nëntorit 1919:

“Mëngjesi… u gdhi i stolisur me flamurë kombëtarë, i gjithë qyteti ishte në festë; në ora 10:00 u bënë tedeumet si në kishë e në xhami, mandej populli u grumbullua përpara godinës së nënprefekturës.

Në këtë moment u këndua himni kombëtar…

Mbasandaj doli Sali Butka, i thjeshtë në shprehje, por kuptimplotë. Saliu tha midis të tjerash: “Mua më janë vranë dy djemtë për çlirimin e atdheut, por kurrë nuk u dëshpërova, sepse ata bënë detyrën si gjithë patriotët e tjerë që ranë dëshmorë. Sot jam kryelartë, kur shoh që ëndrrat e tyre dhe të gjithë shokëve të tyre, si Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji e të tjerë, u plotësuan.

Në këtë moment, Sali Butka prek flamurin kombëtar me dorë dhe e puth”. (Arkivi i Institutit të Historisë, A-V73) Plaku përshëndeti me vargje Kongresin Kombëtar të Lushnjës, Këshillin e Lartë dhe qeverinë që dolën nga ky kongres:

Uronj Këshillën e Naltë
Me faqe të bardhë daltë
Dhe me një Shqipëri të plotë!
Shpirti im kështu më thotë.

Më pas Sali Butka lëshoi kushtrimin për çlirimin e Vlorës dhe Sazanit nga pushtuesit italianë me vargjet:

Për Sazanë dhe për Vlorën
Do të vritemi të tërë!

Vargje nga libri me vjersha i Sali Butkës, “Ndjenja për Atdhenë”, botuar në Korçë në shtypshkronjën “Dhori Koti”, viti 1920.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura