“Sali Berisha po konfirmon akuzat e DASH se është minues i demokracisë”/ Ervin Salianji: Ne nuk mund të fitojmë zgjedhjet pa partneritetin e SHBA

Dec 10, 2021 | 11:43
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Kur jemi vetëm një ditë larg Kuvendit të thirrur nga ishKryeministri Sali Berisha duke pretenduar se ka mbështetjen e më shumë se 4200 delegatëve, anëtari i kryesisë së PD-së Ervin Salianji e quan takimin e ditës së nesërme miting dhe jo kuvend legjitim.

Në një intervistë për gazetën “panorama”, Salianji shprehet se gjatë këtyre dy muajve lideri historik i PD-së ka shkelur me këmbë kontributin pozitiv që ka dhënë për Shqipërinë dhe se po konfirmon akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit se është minues i demokracisë. Sipas anëtarit të kryesisë së PD-së, lideri historik nuk e ka betejën me Bashën, por me Amerikën. Ndërkohë, ndonëse e quan miting dhe jo kuvend, ai nuk e mohon se atje do të ketë delegatë dhe demokratë të shqetësuar. Por për ta ai ka ftesën që t’i bashkohen kuvendit të thirrur nga kryesia më 18 dhjetor, për të bërë shkëputjen nga e kaluara e për të forcuar partneritetin me SHBA-në, në mënyrë që të mposhtin atë që ai e quan regjimin e Edi Ramës.

Jemi në prag të datës 11 dhjetor, kur është thirrur kuvendi kombëtar nga z. Berisha, i mbështetur edhe nga 4200 delegatë, sipas tij. Çfarë do të ndodhë një ditë më pas, më 12 dhjetor?

Njësoj do të vazhdojë aktiviteti opozitar, përballja me regjimin e Edi Ramës dhe po njësoj e gjithë pjesa tjetër e përpjekjes për të bashkuar PD-në në një kuvend. Nuk është Kuvend 11 dhjetori. Është një miting, një manifestim është një tubim, quajeni çfarë të doni, për të treguar se ka një mbështetje të caktuar. Pa diskutim nuk është ndonjë vështirësi që cilido në PD të grumbullojë njerëz. Prandaj PD bën përpjekjet që çdokush që ka kontribute në PD ta vlerësojë maksimalisht për të mos pasur asnjë rrjedhje. Ndryshe është me Berishën, që nuk është shënjestruar nga PD. Partia dhe demokratët i kanë dhënë çdo gjë, por ai është shënjestruar nga DASH për të gjitha arsyetimet që ata i kanë dhënë të qarta. Mjafton kjo lloj ndërprerje e vendosur nga SHBA që PD dhe demokratët të bëhen të gjithë bashkë për të ndihmuar partinë dhe demokratët dhe jo interesat personale të Berishës, pavarësisht dhimbjeve që mund t’u shkaktojë të gjithëve ai moment.

Z. Salianji, përse e quani miting? Pasi pas depozitimit të firmave në kasafortën/ zyrën e z. Paloka gjatë këtyre ditëve ka pasur lexime të emrave të delegatëve. Nëse kjo qëndron, atëherë kemi të bëjmë me një shumicë që kanë thirrur kuvendin.

Së pari, këto janë situata që të bëjnë për të qeshur: I kam dërguar në një kasafortë! E dyta, që emrat s’i japim sepse nuk duam t’i bëjmë publikë, po i bëjnë tani. Nuk i kanë pasur ato emra dhe kanë bërë një tollovi. Ndaj PD ka procedurat e veta ku depozitohen dhe verifikohen delegatët. Ndaj, është periudha 30-ditore. E zëmë se ekzistojnë, po i depozitojnë tani, ndërkohë që është thirrur Kuvendi më 11. 30 ditët fillojnë kur publikohet edhe emri i fundit. Pra, kuvendi i 11 dhjetorit nuk është legjitim. Nuk është kuvend. Kuvendi mblidhet nga institucionet. Se ashtu mund të vijë dikush që thotë do të bëj një kërkesë-padi dhe ia lë gjyqit. Por s’funksionojnë kështu institucionet. Nuk ka asnjë formë tjetër përveç zbatimit të procedurave. Të mos harrojmë se kjo betejë u nis për Statut, për një vendimmarrje personale. Duke qenë se firmat nuk i kishin, u dha kuvend nga kryesia dhe Kuvendi i PD-së do të ishte më 18. Mendon se ka shqiptar që e beson se nëse foltorja ka shumicën nuk do të vinte më 18? Po e tregonin aty forcën. Me një parti dhe një kuvend të ligjshëm. Në fillim tha se vendimmarrja e Bashës s’është vendimmarrje, se është marrë nga Basha. Ndërkohë, kur u mor nga Kryesia, që është organ kolegjial, tha se kryesia nuk vlen. Ndërkohë, kryetari i këshillit dhe tre sekretarët që janë me foltoren janë legjitimë. Është një gjë aq qesharake, kaq bajate dhe e turpshme, sa duhet të marrë fund një herë e mirë. Nëse më vjen keq për gjithçka, çdo demokrat ka dhënë për Berishën, është që po hedh poshtë të gjithë kontributin pozitiv që ka dhënë në Shqipëri. Ai po bën fakt një prej argumenteve të DASH dhe këtu tregohet se përse është superfuqia, duke e dizenjuar si minues të demokracisë. Kjo që po bën sot është tentativë për të minuar demokracinë, duke tentuar të vendosë ngado mina për të krijuar një realitet paralel që nuk ekziston. Për të thënë gjithçka që nuk e ka thënë dhe për të treguar se pushtetin real në PD e paska pasur të madh. Dhe për këtë arsye, se e paska pasur këtë pushtet që po e tregon dhe influencon, është bashkëpërgjegjës dhe më shumë përgjegjës për çdo humbje. Në 2015-ën, 2017-ën dhe në vijim. Të gjithë drejtuesit politikë i ke në foltore. Tregohet qartë vendimmarrja.

Pra, ju mendoni se Lulzim Bashës i nis kontrata me demokratët këto muajt e fundit, pas vendimit për Berishën?

Unë bashkohem me të gjithë demokratët që bëhen bashkë për të luftuar ndaj Ramës. Ajo që unë mendoj është se Basha, përgjegjësinë e vet të marrë me votë nga anëtarët e PD-së, do duhet ta shpërblejë besimin e tyre nga ky moment e mbrapa, që nuk ka dualizëm dhe nuk ka asnjë formë tjetër për t’u shmangur.

Z. Salianji, a ndalohen demokratët të përdorin logot dhe kartat e PD-së?

Cilido që përdor logon, vulat apo firmat që janë të falsifikuara, që nuk lëshohen nga institucionet, pa diskutim që përbën vepër penale dhe duhet të marrin përgjegjësinë sipas ligjit, pa asnjë ekuivok. Nuk mundet askush. Si mendoni ju: unë ndihem kongresmen, edhe të prodhoj një kartë kongresi të SHBA-së?! Kush ma jep mua atë.

Ata janë delegatë, janë zgjedhur…

Delegatët, së pari, që dihet kush janë, i di institucioni. Së dyti, kartën e lëshon institucioni. Kush janë këta njerëz që paskan këtë pronësinë për të certifikuar se kush janë delegatët dhe anëtarët. Dhe kjo tollovia me delegatët është e pavërtetë, sepse shumica është e qartë, e pozicionuar për Kuvendin e 18 dhjetorit. Mbi 70% e delegatëve nga të dhënat që kam unë janë për të ardhur në datë 18. Ku janë fizikisht njerëzit që lexohen? Se letra dal edhe unë ju lexoj sa të doni.

Por nëse nuk janë, atëherë do kundërshtonin nëse nuk do ishin!

Kanë kundërshtuar. Dje pashë që dikush ishte përfaqësues i Tom Doshit. Në Rrogozhinë thanë që s’jemi ne që kemi firmosur. Pastaj kush e di që çfarë emrash lexojnë. Megjithatë nuk mund të them që aty nuk ka njerëz të shqetësuar. Aty ka delegatë, ka demokratë që janë të shqetësuar, të cilëve iu them se, ashtu siç kemi bërë beteja dhe kanë sakrifikuar, siç edhe unë që jam bashkuar me PD-në në opozitë, pa diskutim që duhet ta shikojmë të vërtetën në sy. PD nuk mund të fitojë dot pa partneritetin e SHBA-së. Nuk mundet të zgjatet cikli duke bërë luftë në PD. Ishin zgjedhjet për kryetar të partisë në qershor dhe vetë Berisha mbështeti Bashën, tani si është kjo histori?!

Çfarë do të ndodhë më 18 dhjetor në kuvendin që është thirrur nga kryesia e PD-së?

Në Kuvendin e 18 dhjetorit duhet të vijë çdo demokrat. Nëse është me foltoren, nëse mendon ndryshe, nëse nuk është me asnjë prej palëve, por është demokrat. Është malinjitet që është një betejë mes Berishës dhe Bashës, kjo është një betejë për të ardhmen e PD-së. Kjo është një betejë nëse PD vjen në pushtet apo tentativë për ta fundosur për interesat e një grushti njerëzish që kur kanë qenë në pushtet, as nuk u kanë hapur telefonin dhe as nuk u kanë zgjidhje te legalizimet dhe as nuk i kanë ndihmuar në pronësinë e pronarëve të ligjshëm. Ne duhet të mbajmë kostot e tyre duke mos thënë të vërtetat? Jo, ne duhet të ndahemi nga çdo trashëgimi e keqe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura