“Sali Berisha nuk ia doli të imponohet përmes forcës”- Basha flet pas daljes nga prokuroria: Të vendosen përpara përgjegjësisë organizatorët e dhunës

Jan 14, 2022 | 15:41
SHPËRNDAJE

Kryetyari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një deklarate për media para Prokurorisë së Tiranës ku u morr në pyetje për ngjarjet e 8 janarit, bëri me dije se i kërkoi organit të akuzës vendosjen përpara përgjegjësisë të organizatorëve dhe ushtruesve të dhunës gjatë sulmit ndaj PD-së.

Gjithashtu kreu i PD u shpreh se 8 janari tregoi se Sali Berisha nuk mund t’u imponohet me forcë demokratëve. Sipas tij ish-kryeministri është bërë palë me kundërshtarët e kësaj force politike.

“Kërkoj zbardhjen dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të organizatorëve të dhunës, u them demokratëve që nuk do biem në këtë kurth ku dhe Sali Berisha është kthyer në një aleat të kundërshtarëve të Partisë Demokratike.

Në një kohë kur kjo prokurori do të duhet të gëlonte nga të arrestuarit e aferës së inceneratorëve, Sali Berisha me retorikën e dhunës është përpjekur ta pengojë këtë. Sali Berisha nuk ia ka dalë të imponohet përmes dhunës, demokratët kanë treguar se nuk mund të përdoren për interesat e një personi të vetëm.

Partia Demokratike është gati për t’i dhënë fund tranzicionit 30-vjeçar, kështu duhet ta shikoni dhe 8 janarin, si një përpjekje e pak njerëzve për të mbajtur peng Shqipërinë”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura