Salep, pije energjike, kakao e çokollata/ Tenderi i luksit i Albcontrollit të Ballukut

Mar 31, 2023 | 7:45
SHPËRNDAJE

Kapuçino, schweppes, pije energjike, çokollata, qumësht. Këto nuk janë produkte që kërkohen nga ndonjë bar në Bllok, por janë porosi me tender të veçantë nga një institucion shtetëror për të gostitur punonjësit e tij.

ballukuuu

Dhe institucioni që ka hapur këtë tender varet nga Belinda Balluku. Në kohën kur çmimet e ushqimeve po bëhen të papërballueshme për qytetarët për shkak të krizës dhe Kryeministri jep 5 mijë lekë lëmoshë për pensionistët në prag të zgjedhjeve, institucionet në vend nuk ndalen duke hapur tendera luksi.

Një i tillë është edhe ai që u hap nga Albcontrol, shoqëria shtetërore e cila menaxhon hapësirën ajrore shqiptare e drejtuara nga Laureta Omeri e besuara e z.kryeministres dhe ministres së gjithanshme Belinda Ballukut.

Në 20 mars 2023 Omeri ka hapur një tender me vlerë 8 milionë lekë për të blerë 16 produkte duke filluar nga uji deri tek schweppes, kapuçino, salepi, kakao e shumë produkte të tjera për punonjësit e këtij institucioni që paguhen me paga shumë më të larta se institucionet e tjera në vend.

Por, si i kërkojnë produktet? Punonjësit e Albcontrol kërkojnë që uji të jetë me shishe qelqi, qumështi të ketë me 3.5 yndyrë, çokollata të jetë e zezë dhe jo e bardhë, kafja të jetë profesionale me kokrra, salepi, çaji, kapuçino dhe sheqeri të jenë me pustina. Në të njëjtën kohë, punonjësit e superpaguar të Albcontrol kërkojnë edhe pije energjike gjatë orarit të punës, por edhe pije freskuese.

Siç del edhe në dokumentet e tenderit, kompania fituese duhet të marrë masat që sasinë e porositur ta shpërndajë në mënyrë të barabartë për të gjithë muajit e vitit 2023, në mënyrë që punonjësve të Albcontrol të mos u mungojë në asnjërën periudhë të vitit as qumështi me yndyrë, as çokollata e zezë dhe as kafja me kokrra. Pra gjithçka e programuar, për të mos u munguar asnjë e mire punonjësve të Albcontrol të cilët nuk e fusin dorën në xhep, pasi për ta mendon shoqëria shtetërore Albcontrol me në krye të besuarën e Belinda Ballukut.

Burimi: BalkanWeb

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura