Saki komenton derbin e “Madoninës”: Duel europian, Milani energjik ndërsa Interi më dinak

Nov 9, 2021 | 14:36
SHPËRNDAJE

Derbi i Milanos është analizuar nga shumë ekspertë të sektorit. Mes tyre spikat “zëri” i Arrigo Sakit. 75-vjeçari, në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ka marrë përsipër të “skanojë” përballjen e ekipeve të Milanos që me paraqitjen e tyre ofruan një derbi me shije europiane.

SAKI

Çfarë shije ju la sfida Milan-Inter?

Mund të them që të dyja skuadrat e nderuan rëndësinë e ndeshjes. Kjo duhet thënë dhe nënvizuar. Publiku, që më në fund populloi shkallët e stadiumit, nuk u mërzit. Ju siguroj që edhe ky aspekt nuk është diçka e vogël. Personalisht u kënaqa më shumë gjatë pjesës së parë.

Një ide për Milanin e krijuat?

Kuqezinjtë e nisën furishëm ndeshjen dhe ishin me këmbën te gazi. Ritmin e tyre do ta përkufizoja si europian. Këtë e them në kuptimin që në Itali jemi mësuar me një futboll më të ngadaltë, pasi ekipet e zhvillojnë lojën me 6-7 lojtarë. Në Europë, ku luhet 11 kundër 11, ritmi është shumë herë më i lartë. Siç u pa, Milani bëri presion në thellësi të zonës së Interit e jo rrallë arriti të rifitonte topin.

Çfarë përshtypje ju lanë kuqezinjtë?

Me siguri kanë guxim. Pioli ka një skuadër të re, pa shumë eksperiencë dhe cinizëm, por ia del t’i kompensojë me entuziazëm këto mangësi. Ata sulmojnë, nuk kanë kurrë frikë. Dhe duhet pranuar se ky guxim mbështetet nga një organizim i shkëlqyer dhe një kolektiv shumë kompakt. Nëse e keni vënë re, në pjesën e parë të ndeshjes, kur kuqezinjtë mbanin shpesh topin, distancat mes lojtarëve ishin minimale: Të gjithë pranë për të ndihmuar njëritjetrin, për t’i garantuar shokut të tyre një pasim të thjeshtë dhe për të dyfishuar markimet në rast se vinin kundërshtarët.

Po për Interin çfarë mund të thoni?

Qëndruan në pritje duke menduar për ndonjë kundërsulm vrastar. Zikaltrit i shfrytëzuan gabimet individuale të Milanit dhe e goditën rivalin me lojtarët më cilësorë. Nga ana tjetër, treshja e mbrojtjes nuk merr thuajse fare pjesë në lojë, çka e detyron skuadrën të ndërtojë manovrën në inferioritet numerik.

Kjo është mangësi?

Interi është një skuadër e duruar dhe dinake. Tipike italiane. Motoja e tyre është e qartë: Fillimisht të mendojmë për të mos u ndëshkuar e më pas për ndonjë kundërsulm. Simone Inzagi ka lojtarë me teknikë dhe fizicitet të lartë që në afate të gjata rezultojnë vendimtarë.

Ndonjë këshillë për Simonen e keni?

Duhet të bindë skuadrën që të besojë më shumë në forcën e saj. Milani u mundua të propozojë futboll, ndërsa Interi mendoi si t’ia hidhte. Individët zikaltër patën raste të rëndësishme, kjo nuk duhet harruar sepse Barela dhe Lautaro i shkuan shumë pranë golit të dytë. Sidoqoftë, 1-1 nuk më duket rezultat i rremë.

Cilët do të veçonit nga të dyja skuadrat?

Tatarushanu u tregua shumë i zoti. Edhe prapavija e Milanit nuk luajti keq me përjashtm të Turesë. Tonali dhe Kalabria konfirmuan rritjen e javëve të fundit. Tek Interi më kënaqi Perisiçi, sidomos në pjesën e dytë kur e rriti ndjeshëm nivelin e lojës së tij. Edhe Barela më pëlqen shumë, por uroj të mos jetë dëmtuar sepse na duhet në kombëtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura