Dëshmia e plotë/ Tahiri përballet me Shullazin: Pyesni Berishën se ai…

Oct 11, 2017 | 16:48
SHPËRNDAJE
Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi ditën e djeshme kërkesën e avokatit mbrojtës të Emiljano Shullazit, si edhe kërkesën e parashtruar fillimisht nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që ish-kryeministri Berisha të dëshmojë në gjyq për kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Konit.
shullazi dhe tahiri_4
Bëhet fjalë për ngjarjen e prillit të vitit 2016, kur Koni ishte kandidat për rektor. Ditën e djeshme, në seancë dëshmoi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili e nisi me akuza ndaj Prokurorisë dëshminë e tij. Sipas tij, Prokuroria duhet të thërriste Sali Berishën për të dëshmuar, në vend që “të merret me politikë”.
Madje, që në fillim të dëshmisë së tij, pati përplasje me gjyqtarin dhe dy prokurorët e çështjes. Në fund të dëshmisë së Tahirit, i akuzuar shpesh nga opozita për lidhje me Shullazin, ky i fundit kërkoi që Berisha të merret si dëshmitar, pasi pretendohet se ka qenë i pari që ka dhënë lajmin për kërcënimin e Mynyr Konit përmes një konference për gazetarët.
Gjykata e Krimeve të Rënda e pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës dhe Berisha pritet të thirret dëshmitar në seancë. Ishkryeministri pati thënë në prill të vitit 2016, se kandidati i atëhershëm për rektor, Mynyr Koni, ishte kërcënuar nga Shullazi që të tërhiqej nga gara, përndryshe do t’i merrnin peng të birin
DËSHMIA E TAHIRIT
Prokurori: Si e morët vesh ngjarjen e prillit të vitit 2016?
Saimir Tahiri: Në atë kohë, kam qenë ministër i Brendshëm. Përgjigjet për këto pyetje i kam dhënë një herë në Prokurori dhe unë u qëndroj atyre. Për kërcënimin jam vënë në dijeni nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe nuk e kuptoj se përse ai nuk thirret dëshmitar në këtë gjyq. Por kështu ndodh, kur Prokuroria nuk bën atë që duhet të bëjë, por merret me politikë.
Gjyqtari: Kursejini këto, zoti dëshmitar…
Saimir Tahiri: Kjo është dëshmia ime…
Gjyqtari: Po lërini këto tani…
Saimir Tahiri: Dëshminë time do ta jap si të doni ju?!
Gjyqtari: Vazhdoni, vazhdoni!
Prokurori: I mbani mend rrethanat se si u informuat për kërcënimin dhe nga kush kishte ardhur ky kërcënim?
Saimir Tahiri: U qëndroj deklaratave në Prokurori. Jam vënë në dijeni nga denoncimi publik i Berishës dhe pas kësaj kam vepruar. Kam thirrur në zyrë Konin dhe Kulen dhe më pas jemi mbledhur edhe me ministren e Arsimit, Lindita Nikollën, edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakon, drejtorin e atëhershëm të Policisë së Tiranës, Evin Hodajn dhe atë të Krimeve të Rënda në Polici, Ardian Çipën. Do thërrisja dhe Berishën, por ai nuk do të më përgjigjej.
Prokurori: Tentuat ta thërrisnit zotin Berisha në takim?
Saimir Tahiri: Jo, se nuk do të më përgjigjej.
Avokati: A ju përmendën të kërcënuarit emra të përveçëm në takim, që përkojnë me të pandehurit?
Saimir Tahiri: Mbaj mend që emrat e të akuzuarve janë përmendur. Jo të gjithë, por janë përmendur në kuadër të hamendësimeve nga Koni dhe Kule. Ato përputheshin me denoncimin e bërë nga Berisha. Menjëherë, proceduam me Policinë dhe kjo ishte ajo që mund të bëja.
Gjyqtari: Mësuat të dhëna të tjera rreth faktit të kërcënimit të zotit Koni dhe zotit Kule, për mënyrën apo edhe përmbajtjen e kërcënimit?
Saimir Tahiri: Nuk kam çfarë të them më. Për më shumë duhet të thërrisni Berishën, ai e bëri i pari publik këtë gjë. Se nga e mori vesh, unë këtë nuk e di.

ERALD DELIU/ PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura