Saimir Pirgu sukses në Tiranë, të ardhurat për fëmijët e sëmurë

Mar 7, 2016 | 15:50
SHPËRNDAJE
Saimir Pirgu duke përshëndetur publikun me shenjën e shqiponjës
Saimir Pirgu duke përshëndetur publikun me shenjën e shqiponjës

“Limiti i tij është qielli”. Kështu do të shpreheshin kritikët e huaj për Saimir Pirgun. E në të vërtetë, tashmë për tenorin shqiptar ka shumë pak dëshira të paplotësuara. Ka ngjitur skenat më të mëdha të botës, është vlerësuar nga emrat më të rëndësishëm të operistikës botërore, nga Pavarotti te Domingo…

Por, kur vjen në Shqipëri, ai është sërish ai djaloshi i qeshur, i pakrekosur, që nuk i thotë jo askujt që do të donte të bënte një fotografi me të… Koncerti i së shtunës mbrëma na tregoi se çdo të thotë kur talenti, puna, por edhe fati bëhen bashkë, se sa mirë mund të ndihesh kur përjeton diçka të bukur, se si ndihesh me shpirt të mbushur, se si do të doje ta ndaje me të tjerët, se sa mirë është që në Tiranë të ndodhin ngjarje kaq të rëndësishme artistike.

Saimir Pirgu gjate koncertit ne Tirane
Saimir Pirgu gjate koncertit ne Tirane

Pas suksesit në Tokio e Firence, për të vijuar me Moskën, Berlinin, Vjenën e Nju Jorkun, me këmbënguljen e tenorit, albumi i tij “Il mio Canto” mbërriti edhe në Tiranë, por jo thjesht në formën e një CD-je, por të një koncerti, që Saimir Pirgu e kishte shumë për zemër ta realizonte në vendin e tij të lindjes. Mbrëmjen e së shtunës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ishte i tejmbushur.

Ishin shumë pak 800 vende përballë dëshirës për të ndjekur koncertin e Saimir Pirgut. Ishin shumë më shumë ata që nuk siguruan dot një biletë. I shoqëruar nga orkestra simfonike e TKOB-së, nën drejtimin e dirigjentit italian Maurizio Barbacini, Pirgu solli për publikun shqiptar disa nga ariet e përfshira në albumin e tij “Il mio canto”. Ishin arie të shkëputura nga opera të Donizettit, Verdit, Massenet, Gounod e Cileas.

Një interpretim i mrekullueshëm i Pirgut, zëri i të cilit ndryshonte ngjyrë nga vepra në vepër, duke kaluar nga lirikja te dramatikja, nga Verter në Makbeth, duke krijuar te publiku një gjendje emocionale sipërore.

pirguZë i bukur, teknikë, por edhe interpretim. Ariet e interpretuara nga tenori u ndërthurën me pjesë simfonike të luajtura nga orkestra e TKOB-së, drejtuar nga mjeshtri Barbacini, një dirigjent karizmatik, që jo vetëm kishte gjetur gjuhën e përbashkët me orkestrën dhe me tenorin, por bëri për vete edhe publikun në sallë.

Pas interpretimit të 7 arieve, ishte e pamundur që publiku të largohej nga salla, pas duartrokitjeve të gjata tenori do të rikthehej në skenë, jo me një, por edhe me 5 arie të tjera. Këmbëngulja e publikut ishte aq e madhe, saqë me humor ai do të pyeste: Më thoni ju çfarë doni, se unë di plot!

 

Ne radhe per autografe
Ne radhe per autografe

Ndryshe nga pjesa e “parë”, gjatë së cilës u interpretuan arie më pak të njohura nga publiku, në të dytën, Pirgu iu “dorëzua” edhe dëshirave të sallës, duke interpretuar pjesë më popullore, që nga “La danza” e Rossinit, te “La donna e mobile” nga “Rigoletto” e Verdit, “Non ti scordar di me” apo “Nessun Dorma” nga “Turandot” e Puçinit.

Sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe, një koncert si ai i Saimir Pirgut nuk mund të mos mbyllej me një “Vincero!”.

Një “Vincero”, për gjithë sakrificën dhe punë e një djali, që dikur do të nisej vetëm me një valixhe nga Tirana, në botën e madhe, ku nuk e njihte askush, ndërsa sot është një nga emrat më të kërkuar në teatrot botërorë dhe pritet hero në vendin e vet.

Një çek prej 300 mijë lekësh për Pediatrinë

Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga shitja e albumit “Il mio Canto” të tenorit me famë botërore, Saimir Pirgu, shkuan në ndihmë të fëmijëve të sëmurë. Një çek prej 300 mijë lekësh, i firmosur nga tenori. Dje në mëngjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me tenorin Saimir Pirgu shkuan në ambientet e QSUT-së, ku i dorëzuan drejtoreshës së këtij institucioni, Ogerta Manastirliu, çekun e të ardhurave.

Saimir Pirgu duke firmosur çekun, dhuruar Spitalit Pediatrik
Saimir Pirgu duke firmosur çekun, dhuruar Spitalit Pediatrik

“Samiri këmbënguli që të gjitha të ardhurat që u mblodhën dje nga shitja e CD-ve t’i jepte si dhuratë pranë spitalit të fëmijëve. Nëse ka një nevojë të cilën ne mund ta plotësojmë, mendoni një projekt, diçka që mund ta bëjë edhe më të lehtë punën tuaj për fëmijët. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të nderuar mikun tonë, si dhe për të respektuar dëshirën e tij, që këto të ardhura të shkojnë për një kauzë kaq fisnike, sa edhe puna juaj”, u shpreh Veliaj.

Gjithnjë i ndjeshëm ndaj kauzave të tilla, çka e ka treguar edhe më parë, Saimir Pirgu do të vlerësonte punët e mjekëve, në veçanti të atyre që punojnë me fëmijët.

“Puna e specialistëve dhe buzëqeshja juaj çdo mëngjes, janë gjëja kryesore për fëmijët dhe për prindërit”, tha Pirgu. Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, falënderoi tenorin jo vetëm për kontributin financiar, por më së shumti për aktin, i cili është shumë inkurajues edhe për të tjerë.

Pas Tokios, edhe në Tiranë mbahet radhë për autografe

Nuk janë vetëm japonezët ata që rrinë në radhë për një autograf. Kur duan, shqiptarët, rrinë në radhë, që çke me të. Ishin qindra ata që kanë pritur të merrnin një autograf nga tenori Saimir Pirgu apo të bënin një fotografi me të.

radhaMe buzëqeshje të pakursyera, me shumë dashamirësi dhe modesti, Saimir Pirgu, nuk i thoshte jo askujt që donte të fiksonte atë moment. Pas përfundimit të koncertit, pas duartrokitjeve të gjata që e rikthyen atë 5 herë në skenë, Saimir Pirgu u ul në një kënd në hollin e TKOB-së për të dhënë autografe.

Ashtu si edhe në vendet e tjera ku ai ka dhënë koncertin “Il mio canto”, edhe në Tiranë, publiku pati mundësi të blinte albumin e tij. Një album me një çmim modest, krahasuar me cilësinë e tij, prej vetëm 1 mijë lekësh, i cili u ble në një numër të konsiderueshëm. Është një nga ato rastet e rralla kur askush nuk zihet me askënd, por pret në radhë me durim dhe si këmbim merr edhe një “faleminderit” nga tenori.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura