Saimir Pirgu publikon “Il Mio canto” në 5 mars, në Tiranë

Feb 18, 2016 | 12:31
SHPËRNDAJE

“Duhet ta pranoj se shumica e ëndrrave të mia është realizuar tashmë dhe ndihem me fat për këtë.

Por ëndrra ime më e madhe është t’ia dal që të mund të ofroj gjithë çka kam për sa më shumë kohë që të jetë e mundur. Me pak fjalë, ëndërroj një karrierë të gjatë, të mirë e pa çmendurira”. Saimir Pirgu është një djalë me këmbë në tokë.

Saimir-Pirgu

Është ende tepër i ri për të menaxhuar aq mirë suksesin gjithnjë në rritje. Siç do të thoshte edhe vetë për të përmuajshmen muzikore “Amadeus”, shumë ëndrra ai tashmë i ka prekur me dorë.

Nxënës i Pavarottit e Domingos, madje me këtë të fundit ka kënduar në të njëjtën skenë, tenori shqiptar Saimir Pirgu ka shkelur tashmë në skenat më të mëdha operistike të botës me kryerole. Me një pamje të hijshme, buzëqeshje rrezëllitëse dhe optimizëm prej fëmije, ai është vazhdimisht në vëmendjen e mediave.

Historia e tij ngjall gjithnjë kureshtje: Nga një djalë i vogël që dëgjonte në një magnetofon të vjetër “Tri tenorët”, që i është dashur të bëjë punë të rëndomta për të përballuar studimet në Itali, në një prej tenorëve më të suksesshëm dhe të kërkuar të momentit.

“Po, është e vërtetë, pa ata tre burra (Pavarotti, Domingo Carreras), unë ndoshta nuk do të isha sot tenor”, i thotë ai me të qeshur gazetarit të “France 24”.

ALBUMI

Pas një periudhe të gjatë ecejakesh, nga njëra skenë në tjetrën, më në fund Saimir Pirgu u mbyll në studio, për të nxjerrë albumin e tij më të fundit, të titulluar “Il Mio canto”, i cili qarkullon tashmë në Itali, por do të ketë daljen botërore në 26 shkurt.

“Il Mio Canto” është hedhur në qarkullim nga “Opus Arte” dhe u prezantua në fund të janarit me rastin e interpretimit në operën “Traviata”, në Royal Opera House të Londrës. Në të përfshihen ariet më të bukura të shkruara për një zë tenori, shoqëruar nga një prej orkestrave më të mira në botë, Orchestra del Maggio Musicale Fiorentino, nën drejtimin e Maestro Speranza Scappuçi. “Bashkë me maestron, përzgjodhëm ato pjesë që i përshtateshin më mirë zërit tim.

Doja që t’i ofroja dëgjuesit mënyrën time të të kënduarit, prandaj edhe albumi titullohet ‘Il Mio canto’, si për të treguar se kush jam unë”, do të thoshte pak ditë më parë për “France 24” tenori shqiptar. Ka në të arie nga vepra të Verdit, Puçinit, Gounodit, Donicettit etj., të cilat janë interpretuar nga tenorët më të mëdhenj në botë e që tashmë janë bërë pjesë edhe e repertorit të Saimir Pirgut.

“Formimi italian i Saimir Pirgut, nisur fare i ri me mësimet e Vito Maria Brunettit, perfeksionimi me Luciano Pavarottin dhe zbulimi në moshën 22-vjeçare nga Claudio Abbado, ka modeluar artin dhe repertorin e tij, të cilin e ka ngjitur në skenat më të rëndësishme të botës. “Il Mio canto” është një homazh për artin, të cilit po i dedikon karrierën e tij traditës italiane operistike. “Il Mio Canto” nxjerr në pah timbrin e shkëlqyer, muzikalitetin e spikatur dhe aftësinë për t’i dhënë çdo arieje karakteristikat individuale e të veçanta”, nënvizon “Operaclick”.

MË TË FUNDIT

Ndër sukseset e tij më të fundit numërohen “Traviata” dhe “Rigoletto” në Royal Opera House, në Londër, “Rekuiem” i Verdit në Filarmoninë e Parisit, “Traviata” në Metropolitan Opera, në Nju Jork, “L’Elisir d’Amore” në Staatsoper, në Vjenë, “Flauti Magjik” në Teatro Alla Scala, në Milano, “Bohème” në Barcelonë, “Rigoletto” në Arena di Verona, “Requiem” i Verdit në Festivalin e Salsburgut etj., nën drejtimin e baketave më të famshme në botë, si Zubin Mehta, Claudio Abbado, Riçardo Muti, Mariss Jansons, Nikolaus Harnoncourt, Lorin Maazel, Seiji Ozaëa, James Conlon etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura