Saimir Pirgu i sëmurë me bronkit, mjekët i ndalojnë interpretimin në Tiranë

Mar 30, 2018 | 14:21
SHPËRNDAJE

Të gjithë ata që mezi e kishin pritur 31 marsin për të parë “Lakuriqin e natës” nën interpretimin e Saimir Pirgut, do të duhet të zhgënjehen. Një bronkit akut e ka “gozhduar” tenorin në shtrat, duke ia bërë të pamundur ardhjen në Tiranë, në projektin e shumëpritur.

Saimir-Pirgu

Lajmin e jep vetë tenori, i cili shpreh keqardhjen që nuk do të jetë në Tiranë, ndërsa i uron suksese stafit dhe gjithë këngëtarëve që do të interpretojnë në këtë vepër. “Të dashur miq, kolegë, koristë dhe orkestrantë, gjithë trupës së TKOB-it si dhe gjithë publikut e artdashësve që më presin këto ditë në Tiranë.

Me keqardhje ju njoftoj se për shkak të një Bronkiti Akut dhe me konsultën e stafit mjekë- sor në Tokio, nuk mund të jem mes jush për operën “Die Fledermaus” ku kisha nderin të isha i ftuar. Me vjen jashtëzakonisht keq që nuk do të mund të këndoj përpara jush dhe ju kërkoj ndjesë nga zemra, duke ju premtuar se së shpejti do të rikthehem te ju. Urimet më të mira për shfaqjet gjithë trupës së TKOB-it, kolegëve të mi, mjeshtërve të Korit dhe Orkestrës, regjisorit Renato Zanella dhe dirigjentit Lazlo Gyuker.

Suksese, Suksese, Suksese, të gjithëve!”, shkruan Saimir Pirgu. Por ndërkaq, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ende nuk e ka njoftuar këtë ngjarje, duke vijuar të reklamojë shfaqjen “Die Fledermaus” me pjesëmarrjen speciale të tenorit Saimir Pirgu. “lakuriqi i natës”, një operetë nga Johann Strauss, do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në datat 31 mars dhe 1,2,3 prill në ora 19:00.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, në kuadër të “Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018”. Orkestra e TKOB-it do të drejtohet nga dirigjenti Lazlo Gyuker, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë Branimir Agovi, Denis Skura, Eva Golemi, Renisa Laçka, Armando Likaj, Vikena Kamenica, Vana Hoxha, Rrezarta Qevani, Erinda Agolli, Erlind Zeraliu, Armaldo Kllogjeri, Elson Braha etj. Regjia dhe koreografia do të realizohen nga koreografi Renato Zanella.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura