Saimir Kumbaro e Esat Musliu tregojnë skandalin me të drejtat e autorit: Nga Anagnosti te Dhamo, shpërblimi si autorë me 1000 lekë, agjencitë marrin miliona

Nov 22, 2019 | 16:07
SHPËRNDAJE

Në rrugicën “Sami Frashëri”, pranë pallateve “Agimi”, diktoj përtej dritares me hekura fytyrën e shqetësuar të regjisorit Saimir Kumbaro.

Saimir-Kumbaro

Sapo hyj në zyrën e Forumit të Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit që ai drejton, e gjej bashkë me kineastin Esat Musliu (zëvendësdrejtor), të zhytur në një pirg shkresash, saqë dikush mund të mendonte se janë duke xhiruar një film. Në fakt, historia që do të rrëfejnë do të ishte e denjë për një skenar, me një titull alla Milkani, “E pabesueshme, por e vërtetë”. Do të tregojnë sesi ndryshimet e ligjit “Për të drejtat e autorit”, bërë në 2016-ën nën drejtimin e ishministres Mirela Kumbaro, shkojnë kundër autorit, edhe sesi agjencitë që mbinë si kërpudhat pas këtij ligji, nuk kanë në fokus shpërblimin e krijuesit, edhe pse trumbetojnë të drejtat e tij.

Këtij Forumi, që siç Kumbaro tregon, deri në 2018-ën ka shpërblyer autorët sipas një sistemi të kënaqshëm, Sporteli Unik për Administrimin e së Drejtës së Autorit (SUADA, agjencia që shpërndan honorarët) i ka dhënë për këtë vit një shumë minimale prej afro 0.2 milionë lekësh, me të cilën nuk arrijnë të mbulojnë as mirëmbajtjen mujore të zyrës. Nga kjo shumë supozohet të shpërblehen edhe autorët, ku secilit prej tyre do t’u takonte një sasi qesharake, me të cilën e shumta mund të godisnin veten me një drekë, në një restorant të dorës së tretë.

Ne filmin 'Koncert ne vitin 36'
Ne filmin ‘Koncert ne vitin 36’

“Do të na duhej që Anagnostin, Dhamon, Llarjen etj., t’i shpërblenim me afro 1000 lekë. Ç’mund të bëjnë këta njerëz që i dedikuan jetën kinemasë së para ’90-ës me këto pare?”, thotë i irrituar regjisori Kumbaro. Ndërsa autorët (regjisorë, skenaristë drejtorë fotografie/operatorë etj.,) mbeten me lugën bosh, SUADA ka shpërndarë për agjencitë e licencuara nga ministria shuma të mëdha lekësh.

Vetëm GRAMMA, një agjenci e krijuar për administrimin kolektiv dhe mbrojtjen e të drejtave të prodhuesve ka marrë për këtë vit afro 9,4 milionë lekë (30 për qind të totalit të mbledhur të shpërblimeve), ndërkohë që sipas dy regjisorëve, roli i saj është “apendiks”, pasi çdo prodhues sot është në gjendje të mbrojë të drejtat e tij. Nga ana tjetër, edhe AKDIE (Agjencia e Administrimit Kolektiv e të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues) ka marrë këtë vit nga SUADA 10,4 milionë lekë, pra, 52 herë më shumë se FMAA. Regjisorët shprehen të pakënaqur edhe nga mënyra sesi janë ndarë shpërblimet midis autorit edhe ekzekutuesit/interpretuesit, ku të drejtat e këtyre të fundit, edhe pse janë rrjedhëse, dalin si parësore.

Kumbaro, Saimir

Krahas këtyre shqetësimeve që ata ndajnë në këtë intervistë për “Panoramën”, nuk lënë pa përmendur as piraterinë e vazhdueshme, si dhe monitorimin si një proces “të paralizuar”. “Kemi bërë disa kërkesa me shkrim, kemi takuar disa herë edhe ministren e re të Kulturës, Elva Margaritin, po ajo hesht, i shmanget përgjegjësisë, duke thënë: ‘Do ngremë grupe pune, do ta shqyrtojmë etj.’, tregon Musliu.

Të gjendur në një situatë të tillë, kineastët, që prej qershorit të këtij viti i kanë kërkuar QKK-së, që “të ndërpritet përdorimi i filmave shqiptarë, prodhim i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e re’ para 90-ës”. “Më mirë një vdekje e ndershme sesa një tallje e tillë”, shprehen regjisorët. Kumbaro shpjegon me detaje qorrsokakun e “Të drejtave të autorit”, ku me sa duket autori vjen i fundit…

Regjisori Esat Musliu, zv.drejtor i FMAA-së
Regjisori Esat Musliu, zv.drejtor i FMAA-së

Zoti Kumbaro, ndryshimet në ligj “Për të drejtat e autorit” kanë ngjallur shqetësim te ju si kineastë, por edhe si drejtuesi i Forumit të Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit, konkretisht, cilat janë problematikat që ju keni hasur?

Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me ndërhyrjet në ligjin “Për të drejtat e autorit”, doli mbi konventën e Bernës, ku i jepej e drejta ekskluzive autorit. Ajo krijoi 4 agjenci të çuditshme. Krahas nesh (FMAA) që ishim që prej 2002-shit (dhe “Albautor” të krijuar prej ’92-shit), që mbronim të drejtat e autorëve, befas hyri në lojë një tjetër agjenci e quajtur AKDIE, e cila mbron të drejtën e aktorëve dhe të interpretëve. Kjo agjenci, përmes kërkesës së artistëve, duhet të monitorojë sa herë është transmetuar, ritransmetuar apo përcjellë në publik vepra e interpretuar prej tyre. Diçka e tillë ekziston edhe në shtete të tjera, edhe pse në këto vende të drejtat e interpretëve, quhen të drejta dytësore. Përpos kësaj, ministria licencon edhe një tjetër agjenci, të quajtur GRAMMA, e cila pretendon të bëjë administrimin kolektiv dhe mbrojtjen e të drejtave të prodhuesve. Një agjenci, të cilën do ta konsideroja të padobishme, madje të dëmshme, pasi çdo producent, është në gjendje të mbrojë vetë prodhimin e tij. Administrimi i një prodhimi nga GRAMMA do të thotë se është kjo agjenci që i vendos çmimin prodhimit artistik, çka është njësoj sikur dikush të vijë e të vendos për ty çmimin, me të cilin duhet ta shesësh shtëpinë, që mund të jetë më i ulët nga sa ti mendon se vlen.

Si janë tarifuar kineastët pas ndryshimeve në ligj?

Ne kemi ndjekur një politikë të tillë, ku vlerësimi është bërë në bazë të numrit të filmave që një regjisor (skenarist, drejtor fotografie/operator) mund të ketë realizuar. Në bazë të kësaj, Viktor Gjikën e kemi klasifikuar si regjisor të kategorisë së parë, e po kështu është bërë edhe tarifimi, ku FMAA merr një përqindje, që shërben më së shumti për mbajtjen e zyrës në këmbë.

Kur kanë lindur pakënaqësitë?

Pakënaqësitë lindën në 2018-ën, me krijimin e Sportelit Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit. Më herët, autorët nuk kanë pasur probleme, madje, pas ndryshimeve në ligj, ata rinovuan kontratat me ne. Mirëpo, krijimi i SUADA-s solli probleme, veçanërisht për faktin se kjo agjenci tejkaloi kompetencat e saj. Pra, nëse SUADA pati si objekt të punës mbledhjen e shpërblimeve, ajo ka arritur në një stad ku pretendon se ka të drejtë të vendosë sesi këto shpërblime do ndahen, ku do shkojnë etj., çka nuk është e drejtë. Pra, edhe autorët janë të ndërgjegjshëm për çka po ndodh, dhe problem i tyre nuk është me FMAA, por për faktin se mundësitë e tyre janë limituar dukshëm, e për pasojë ka rënie në shpërblim.

fax

Përpos kësaj, ju thoni se ka një ndarje të padrejtë edhe për sa i përket raportit autor-aktor/interpretues, ç’do të thotë saktësisht kjo?

Po e shpjegoj më thjesht. Nëse unë si regjisor marr 10 për qind të shpërblimit, interpretuesi merr 30 për qind (edhe pse tek interpretuesit nuk futen vetëm aktorët. Për shembull, te “Rrugicat që kërkonin diell” unë kam pasur 4000 figurantë, pra, sipas ligjit, unë duhet të paguaj edhe figurantin e 4 mijtë, sepse edhe ai konsiderohet si interpretues. Kjo është absurde. Shpesh si justifikim përmendet se pas Konventës së Bernës, është mbajtur ajo e Romës, e cila rregullon normalisht të drejtat e ekzekutuese. Mirëpo, ky rregullim nuk bëhet duke kaluar të drejtat rrjedhëse të ekzekutorëve, si parësoret. Përpos kësaj, ka edhe parregullsi të tjera, si për shembull te muzika bëjnë një ndarje në muzikë dhe kompozitorë, në mënyrë që përqindja të ulet. Por muzika është produkt, si mund të konsiderohet si krijues/autor.

Pra, ju në thelb shpërndarjen e bërë sipas Nenit 138, ku 40 për qind e tarifës së shpërblimit i shkojnë Agjencisë Përfaqësuese të të Drejtave të Autorit (FMAA dhe ALBAUTOR), 30 për qind i shkojnë Agjencisë që përfaqëson të Drejtat e Intepretuesve (AKDIE) dhe 30 për qind i shkojnë Agjencisë që përfaqëson të Drejtat e Prodhuesve (GRAMMA) e konsideroni si të padrejtë?

Janë bërë manipulime të mëdha, për shkak të Ministrisë sonë të Kulturës, që përbëhet nga njerëz të pakulturë. Mjafton të mendosh një 30% të tarifës, që i shkon Përfaqësuesit të të Drejtave të Prodhuesve, që në këtë rast është krejtësisht i padobishëm, sepse të gjitha kanalet, platformat televizive etj., janë vetë producentë edhe i përfaqësojnë më së miri të drejtat e tyre. Atëherë, lind pyetja: Kjo Agjenci që ka marrë miliona të tëra, për kë i ka, sepse autorët nuk marrin asgjë. Emra si Dhimitër Anagnosti, Kristaq Dhamo Rikard Ljarja, mbeten thuajse të pashpërblyer.

Faksimile nga kërkesa e kineastëve, për të ndaluar shfaqjen e filmave të para ‘90-s
Faksimile nga
kërkesa e kineastëve,
për të ndaluar shfaqjen e filmave të para ‘90-s

Ju, edhe pas ndryshimit të ligjit, thatë se i keni rinovuar kontratat. A keni dijeni nëse edhe agjencitë e tjera mund ta kenë kryer një procedurë të tillë?

Çdo agjenci, funksionon në bazë të kontratave me artistët që mbron. Ne mbrojmë skenaristët, regjisorët, operatorët/drejtorët e fotografisë. Mbrojtja që i bëhej çdo autori para se të krijohej SUADA bazohej në kontratë dhe çdo mbrojtje bëhej me kërkesën e autorit. Ndërsa në dijeninë tonë, SUADA nuk ka asnjë kontratë, shkon dhe mbledh para nëpër institucione pa autorizimin e autorëve dhe s’di në bazë të çfarë monitorimi.

Para krijimit të SUADAs, si bëhej monitorimi nga ana juaj?

Para krijimit të kësaj agjencie ne kemi punuar normalisht dhe arritëm që deri nga viti 2017 të kontrollonim thuajse treçerekun e transmetimeve që bëheshin në Shqipëri, për këtë paguanim një kompani monitorimi. Në momentin që u krijua SUADA, MK dha urdhër që produktin ekonomik duhet ta mbledhë vetëm ajo dhe në fakt, ajo këtë e bën, por pa dhënë detaje, përmes një takse globale. Ndërsa ne e kishim të specifikuar se ku dhe sa herë është shfaqur një produkt i caktuar. Pra, jemi në një situatë absurde, pa rrugëdalje. Kemi bërë disa takime, i kemi nisur disa shkresa ministres së Kulturës, po ajo shmanget dhe hesht.

Nga ana tjetër, ju thoni se pirateria vazhdon?

Ka disa platforma televizive me emër, të cilat që prej këtij janari shfaqin pa autorizim produktin shqiptar dokumentar dhe atë të huaj. Jo vetëm që e shfaqin, por edhe e shesin nëpër kabllorë, të cilët janë shtuar shumë së fundmi. Jemi përpjekur t’i kontaktojmë, i kemi pyetur: Pse i vidhni? Na përgjigjen se për këtë do paguajnë SUADA-n, se kështu e kërkon ligji. Por ç’punë kam unë me SUADA-n, kur mua të drejtën për produktin ma jep neni 25.fax

Zoti Kumbaro, SUADA ka bërë shpërndarjen e 2019-ës për agjencitë e licencuara, ku afro 9,4 milionë i shkojnë GRAMMA-s, 10,4 milionë i janë dhënë AKDIE-s, 12,2 milionë Albautor-it dhe vetëm 0,2 milionë ju janë dhënë juve si FMMA…, si e keni pritur këtë?

Mund të them se, nëse më herët çdo gjë shkonte mbarë, tani kanë mundur ta shkatërrojnë çdo gjë. Ne nuk i kemi pranuar ato shuma qesharake që na ofron SUADA dhe jemi në konflikt të hapur me të, me shtetin, me ligjin. Me këtë shumë që na është dhënë, ne nuk mirëmbajmë dot as zyrën, pasi kërkon më shumë se aq, merreni me mend se çfarë u takon prej saj autorëve. As 1000 lekë të rinj. Pra, unë të shkoj t’i jap Kadaresë, për shembull, si skenarist, apo Anagnostit, Dhamos etj., këtë shumë. Ç’mund të bëjnë me to?

Të gjendur në një situatë të tillë, ju në qershor të këtij viti arritët në një vendim ekstrem, kërkuat nga QKK të ndalonte shfaqjen e filmave.

Ne, kineastët, që e mbrojtëm “me dhëmbë” filmin për të mos e lejuar ndalimin e tij, u mblodhëm në qershor të detyruar nga situata e krijuar, për ta bllokuar produktin shqiptar të para ’90-ës. Përmes një kërkesë zyrtare i kërkuam QKK-së të bllokojë transmetimin e filmit shqiptar, por askush nuk pyeti, kërkesa jonë u injorua. Ne i qëndrojmë asaj kërkese: Jemi të vjedhur si kineastë, ndaj refuzojmë që filmat tanë të shfaqen. Nuk na ka mbetur tjetër, veçse të ndjekim rrugën ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura