Saimir Kodra: Në këtë realitet, vetëm humor të zi mund të bësh

Jul 24, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE


Realiteti që ai sjell në televizion, edhe pse i përthyer në nota humori, mbetet i hidhur, sepse denoncimi i fenomeneve është filozofia e emisionit të tij. Dy vite pasi ka ndryshuar ekran, Saimir Kodra na tregon më shumë për punën e tij, si e sheh veten në marrëdhënie me politikën, planet e reja në familje dhe hobet e pathëna të stinës së verës..    

 Si moderator profesionist, çfarë bilanci i bën realitetit shqiptar, në mbyllje të këtij sezoni televiziv?
Realiteti shqiptar? Sa e vështirë është t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Nuk do të mjaftonin net dimri për të folur për kontradiktat e pafundme që gjen në të, për kontrastet që i has brenda së njëjtës hapësirë, për dilemat dhe zgjidhjet që të ofron, zgjidhje që janë jo pak herë në kundërshtim me moralin e çdokujt, për disnivelet e tmerrshme që sheh përditë në mënyrën si të gjykojnë, dhe me mënyrën si duan të jenë të gjykuar. Realiteti ynë është një xhungël e tmerrshme, vetëm po të bësh safari e shijon pak. E më pas duhet të dalësh prej andej, ose të arratisesh.

Si është të bësh humor mbi fenomene e ngjarje të trishta, në ç’mënyrë e nxisni alegrinë televizive me Gent Zenelajn?
Në fakt, humor mund të bësh me një ngjarje që e sajon vetë nga e para, ku personazhet janë ashtu dhe ata që do ti. Ne, në përgjithësi, me Gentin përdorim ironinë dhe sarkazmën. Lind pyetja: Ç’humor mund të bësh me një familje të varfër që s’ka ku të përplaset as miu? Por ne kuptohet e japim mesazhin me Gentin nëpërmjet ironisë, që “kjo familje nuk do të hajë vetë se është në dietë”. Jo pak herë qëllon të bëjmë edhe  humor të zi, por që është e vetmja mënyrë therëse për ata që duhet të reagojnë në lidhje me fenomenin.

Për cilën ndodhi të fundit je aq i çuditur sa të thuash “Ça thu?!”…
Jo pa qëllim emisionin që unë drejtoj prej dy vitesh në “Agon Channel” e kam quajtur “Ça Thu?!”, sepse këtu për çdo gjë që dëgjojmë, pa diskutim do të thuash: Ça thu?! Me të vërtetë?!

Sa ka ndikuar çështja e pronarit  Francesco Becchetti në punën tuaj?
Sa ka ndikuar tymnaja që ka ngritur kjo qeveri? Është e habitshme, por unë në natyrën time vdes për të tilla situata, më bëjnë më aktiv, më rrisin humorin dhe sensin e ironisë. Pra ka ndikuar, por në kah të kundërt nga ajo ç’ka prisnin disa që të ndodhte me mua apo me të gjithë të tjerët, pra stafin që punojnë në këtë televizion.

Pas kësaj, si e parashikoni sezonin e ri televiziv?
Me plot denoncime të qytetarëve për hallet e problemet e tyre, me plot kamera të fshehta, skupe, lajme, me një bashkëpunim gjenial me Gentian Zenelajn, me stafin e papërsëritshëm të “Ça Thu-së”.

Në shënjestrën e emisionit tuaj janë dhe politikanët. Si e komenton fitoren e Erion Veliajt dhe humbjen Grida Dumës?
Në fakt, ndodh shpesh që në emision të merrem me politikanë, t’i kem pjesë të humorit ose ironisë sime, por sinqerisht jashtë pune nuk më pëlqen fare të merrem me politikë ose të bëj politikë, por pyetja juaj është interesante dhe do t’i përgjigjem si mendoj unë. Në Tiranë fitoren e Erionit e shoh me shumë pozitivitet. Erioni është djalë punëtor, ku pa diskutim do të ketë mbështetjen e qeverisë për të vënë në jetë projekte në shërbim të Tiranës. Do të doja shumë që t’u largohej ndërtimeve të mëdha e të fokusohej te parqet, rrugët, kopshtet, uji etj. Ndërsa për Grida Dumën, mendoj atë që mendoi populli i Durrësit.

Ti vetë do të tentoje dhe një herë të garoje në politikë?
Sot nuk tenton dot, sepse sot duhet të të thërrasin e të thonë: “Kemi menduar për ty, të vëmë të parin ose të dytin në lista”.

Në verë ju shkëputeni nga studiot televizive dhe afroheni më shumë pranë familjes. Ku do të pushoni?
Në Dhërmi te Pastarela, vendi më i bukur, më i pastër, më i dashur. Më tërheq pa fund peshkimi, megjithëse çdo vit e më shumë po shkatërrohet deti nga dinamiti dhe peshkimi pa kriter i peshkarexhave afër brigjeve.

Cilat janë pasionet e tua jashtë televizionit. Ku bashkoheni dhe ndaheni me bashkëshorten në hobet tuaja?
Pasionet? Dikur kisha shumë dhe i aplikoja, tani kanë mbetur vetëm në memorien time. Më pëlqen sot e kësaj dite fluturimi me parashutë me Alketin, zhytjet në det me Iglin, garat me makina me Edvinin, gjuetia me Nexhen. Besoj se e kuptuat që me bashkëshorten time të dashur jemi diametralisht kundër. (qesh)

Jeni prindër të një djali, keni planifikuar ta zgjeroni familjen me fëmijë të tjerë?
Asht le në andër, pra ka lindur që në ëndër sepse Aleksandër është emri i djalit tim, të cilin e kam parë në ëndërr ashtu siç është tani i bukur, si babi vet, dhe inteligjent si mamaja e vet, apo e kundërta? Jam si çdo prind që e adhuron dhe e do pa fund fëmijën e tij. Aleksandri ka kohë që kërkon një motër. Si mendoni ju, t’ia prish qejfin djalit?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura