Saga, si u eliminuan gjithë burrat e Blloshmëve

Mar 22, 2018 | 12:23
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ 

Të pushkatuar, të zhdukur, të vdekur në burg, të burgosur, të emigruar… Ky ka qenë fati i burrave të Blloshmëve gjatë diktaturës komuniste, një derë e madhe, me kullë në Bërzheshtë, me rrënjë që dokumentohen që në betejën e Fushë-Kosovës më 1389. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit promovoi dje në ambientet e Akademisë së Shkencave librin “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist” me autor Bedri Blloshmin, ish-i burgosur politik. Një vepër voluminoze prej rreth 650 faqesh, e cila u promovua dje jo pa qëllim.

Aktiviteti i kushtohej ditëlindjes se poetit martir, Vilson Blloshmit, i cili, nëse nuk do të ishte pushkatuar nga komunizmi më 17 korrik të vitit 1977, bashkë me mikun e tij, Genc Leka, do të mbushte 70 vjeç! Libri është konceptuar si një kronikë e bazuar në dokumente historike, arkivore dhe dëshmi për historikun e derës së Blloshmëve. Bedri Blloshmi është kujdesur që t’u qëndrojë larg komenteve subjektive, duke lënë vetë dokumentet që të flasin. Ndaj, edhe ky botim është shumë i pasur me materiale arkivore, që dëshmojnë për vetë personazhet e përshkruara në të.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Ai lë librin të flasë. Madje, edhe në promovim Blloshmi do të fliste shkurt. Ai u shpreh skeptik për vendosjen në vend të drejtësisë nga ana e shtetit, ndaj edhe shkroi këtë libër, vijim i të tjera veprave të mëparshme, për “të kthyer nderin e humbur të Blloshmëve”. Sipas drejtorit ekzekutiv të ISKK-së, “Edhe sot e kësaj dite familjet e të dënuarve nuk janë rehabilituar. Ka qenë e gozhduar narrativa kur flasim për këto çështje. Të përndjekurit politikë trajtohen me një lloj bezdie si “ata që kërkojnë para”. Por nuk është aspak çështja e parave. Këto familje vazhdojnë të mos jenë të rehabilituara, nuk u është kthyer imazhi atdhetar dhe patriotik që kanë pasur në histori dhe për inerci vazhdon ajo pjesë deklasimi e kohës së komunizmit.

Vazhdon me mijëra mënyra, përmes teksteve shkollore jokorrekte dhe sidomos filmave artistikë dhe dokumentarëve, që përbëjnë akte provokative shumë të rënda në kohën e të drejtave dhe lirive të qytetarit, garantuar me Kushtetutë”. Sipas Tufës, saga e Blloshmëve është vetëm një nga ato të parashikuara nga ISKK, që ka filluar dy vjet më parë me të merdanëve në Korçë e do të vijojë me të tjera dinasti nga Jugu në Veri, me kontribute të mëdha në altarin e kombit.

Gjatë promovimit të librit “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”
Gjatë promovimit të librit “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”

“Aristokracia, familjet e mëdha, bejlerët, që kur i shqipton nën ndikimin e retorikës komuniste krijon një lloj dyshimi, që dhanë diçka konkrete për kombin, kur ishte nevoja, sepse vetvetiu vegjëlia nuk kishte ç’të jepte. Ata ishin prijës në luftëra dhe projekte të mëdha në 2 shekujt e fundit”, tha Tufa. Në librin e sapo botuar, autori ka renditur burrat më të shquar të derës së Blloshmëve.

Ishin të gjithë të shkolluar në Stamboll, Grac të Austrisë, Torino etj., intelektualë dhe prijës. Të tillë ishin Hajdari, Selahudini, Hakiu, Shahini, Azisi etj., të gjithë me funde tragjike. Të gjithë të pushkatuar apo vdekur burgjeve të diktaturës. Një vend të rëndësishëm zë pa dyshim dosja e të vëllait, poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi. Janë ndjekjet, spiunimet, emrat e punonjësve operativë me pseudonimet përkatëse, dëshmi, procesverbale, dosja hetimore, pyetje-përgjigjet, akuzat, vendimi i gjykatës, deri në ekzekutim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura