Safet Gjici: Pas Kukësit marr vetëm Vllazninë

Aug 2, 2015 | 15:56
SHPËRNDAJE

Safet Gjici i shkel syrin klubit të Vllaznisë. Presidenti i Kukësit është dëshpëruar shumë pas asaj që ndodhi në ndeshjen e fundit ndaj Legias së Varshavës. Në pritje të vendimit të Komisionit të Disiplinës në UEFA, Gjici pranon për “Panorama Sport” se, nëse largohet nga presidenca e Kukësit, i vetmi klub që mund të marrë është Vllaznia.

Safet Gjici
Safet Gjici

Pas zërave më të fundit që qarkulluan dje, nisur nga deklaratat pas ndeshjes të presidentit për një rishikim të pozicionit me klubin e Kukësit, gazeta kontaktoi sërish dje Gjicin, i cili sqaroi gjithçka.

Reagimi
“Jam ende president i Kukësit dhe, ashtu siç jam shprehur në gazetën tuaj pas ndeshjes, do të mbaj një qëndrim përfundimtar për të ardhmen time pas vendimit të UEFA-s. Pra do të vendos nëse do të qëndroj apo jo në drejtimin e klubit të Kukësit. Vllaznia? Sinqerisht nuk kam biseduar me asnjë për mundësinë e investimit tim te ky klub, kështu që nuk mund të them tani për tani asgjë. Megjithatë, nëse marr klub tjetër pas Kukësit, e pranoj se vetëm Vllazninë mund të marr. Natyrisht, kjo dëshirë do të forcohet nëse edhe drejtuesit aktualë të Vllaznisë duan që unë të investoj te ky klub. Nëse kanë interes, atëherë jam gati të biem dakord për detajet. Gjithsesi, për momentin, asgjë nuk është e sigurt dhe, siç e thashë më lart, pres vendimin e UEFA-s”, u shpreh dje kreu i klubit të Kukësit.

Kësisoj, Gjici ka lënë të kuptojë se, në rast se Disiplinori i UEFA-s merr një vendim ekstrem për Kukësin, që do të thotë përjashtim nga aktivitetet ndërkombëtare për më shumë se një sezon, atëherë biznesmeni i suksesshëm do të investojë në një tjetër klub të Kategorisë Superiore. Tashmë ai e ka pranuar se, pas Kukësit, mund të kontribuojë financiarisht vetëm te Vllaznia.

Aktualisht klubi shkodran administrohet nga Bashkia e Shkodrës, në një kohë që ardhja e një donatori pritet me padurim nga tifozët e zjarrtë kuqeblu. Dje emri i Gjicit ka qarkulluar edhe në rrjetet sociale dhe tifozët e Vllaznisë, duke parë seriozitetin që presidenti i Kukësit ka, janë të bindur se, nëse ai drejton kuqeblutë, atëherë mund të arrijë suksese, duke rikthyer së pari titullin në Shkodër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura