Sadiku: Bushi më bindi të luaj për Shqipërinë

May 10, 2013 | 12:19
SHPËRNDAJE

Loret Sadiku e ka ndarë mendjen që të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë. Mbrojtësi kosovar i Helsingborgut është në pritje të disa dokumenteve nga autoritetet e Suedisë, në mënyrë që t’i nisë ato për në Shqipëri, që të pajiset me pasaportë. Pasaporta e Shqipërisë është kusht që të luhet për Kombëtaren, por Sadiku 21-vjeçar nuk e di nëse ajo do të bëhet para ndeshjes eliminatore me Norvegjinë, që luhet pas një muaji. Sadiku është duke bërë karrierë në Suedi, ndërsa ka edhe pasaportën e këtij vendi. Ai ka tri paraqitje për U-21 të Suedisë. Sadiku luan për Helsingborgun, njërin prej klubeve më të mira në kampionatin e Suedisë. “Jam në pritje të disa dokumenteve nga Policia e Suedisë. Sapo t’i marr, do t’i nis për Shqipëri që të marr pasaportën e Shqipërisë. Kam vendosur të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë. Menaxheri i Kombëtares së Shqipërisë, Alban Bushi, më ka ndjekur nga afër në një ndeshje. Kam biseduar me të pas ndeshjes dhe jam bindur që të luaj për Shqipërinë në të ardhmen”, ka thënë Sadiku të mërkurën për “Kohën Ditore”. Ai ka shok skuadre te Helsingborgu mesfushorin me përvojë Ardian Gashi, që ka luajtur për Norvegjinë dhe Kosovën në disa miqësore. Sadiku thotë se me Gashin ka folur pak lidhur me Kombëtaren, ndërsa më shumë është konsultuar me familjen. “Klubin shumë shpejt do ta njoftoj se do të luaj për Shqipërinë. Edhe pse kam luajtur për U-21 të Suedisë, nuk do të kem ndonjë problem apo pengesë nga klubi apo Federata e Suedisë”, ka shtuar Sadiku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura