Sabit Brokaj rrëfen për Dritëro Agollin: Batutat në takimin me pronarët, pas votës kundër ligjit 7501

Jun 1, 2020 | 13:10
SHPËRNDAJE

sabit agolli

Dritëro Agollin nuk e bënte të guximshëm pushteti. Ai ishte nga ata njerëz, që do ta thoshte atë që besonte kurdoherë, në çdo rrethanë. Por Dritëroi kishte atë mënyrën e vet të të thënit të gjërave.

Ai u binte ballazi, duke i shtuar ca nota humori, që njerëzve u pëlqente. Ndaj edhe ishte aq popullor dhe i pranueshëm e i respektueshëm nga të gjitha ngjyrat politike.

Mjeku dhe ish-politikani Sabit Brokaj kujton raste pa fund nga njohja me Dritëroin, në rrafshin personal, por edhe në situata të lidhura me karrierën politike. Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, nën kujdesin e së bijës së shkrimtarit, Elonës, ai tregon një nga ato situatat, prej të cilave mund të dilte vetëm Dritëroi.

Bëhet fjalë për Ligjin e Pronave 7501 dhe përballjen me një grup pronarësh në Derviçan. Dritëroi kishte votuar në favor të pronarëve të vjetër dhe përplasjet për këtë çështje nuk ishin të vogla.Sadije-dhe-Dritëro-Agolli-në-ditën-e-dasmës89090-9

Po ashtu, Brokaj, si mjek dhe njeri i afërt i familjes, tregon edhe për vitet e fundit të jetës së Dritëroit, të cilat ai i përballoi me një guxim dhe kthjelltësi si askush tjetër. (vijon nga numri i kaluar)

SABIT BROKAJ

NJË KURAJË E RRALLË

Dritëroi si poet, shkrimtar, person publik dhe politikan, është i mirënjohur në të gjithë vendin. Nuk ka krahina, në të cilën të mos ketë shkuar dhe të mos miqësohej me njerëzit e të mos bëhej i dashur për ta. Me cilindo, pavarësisht nga krahina, profesioni, intelektual, punëtor e fshatar.

I hapur e miqësor, ndjeshmëria njerëzore, gatishmëria për të ndihmuar cilindo nevojtar, ishin tiparet thelbësore të tij. Në cilindo rast, Dritëroi është vetvetja, nuk ka situatë që ai të mos gjejë një përgjigje të zgjuar.

Me mprehtësi, jo rrallë me humor e me ndonjë thumb “të ëmbël”, krejt të papritur për cilindo, ai del nga situata. Më kujtohet një nga ngjarjet e veçanta, në të cilën kam qenë me të. Në gjysmën e parë të viteve 1990, u kërkua nga banorë të Komunës Dropull takim me Dritëroin. Për takimin kishte shumë interes, dihej që problemi më i rëndësishëm e delikat do të ishte pronësia mbi tokën.

Sipas Ligjit 7501, ata bëheshin pronarë të tokës, ndërkaq kishte shumë kundërshtime, pasi pronarët e vjetër realë kërkonin t’u njihej e drejta atyre. Për këtë arsye po vonohej zbatimi i ligjit ose i bënte ata të pasigurt. Momenti ishte delikat për Dritëroin, edhe pasi ai në Parlament kishte votuar për pronarët e vjetër dhe jo për Ligjin 7501.

Mbërritëm në Derviçan pasdite vonë. Banorët, si kudo, e pritën shumë ngrohtë. Para takimit, Dritëroi më tha: “Fjalën e hapjes mbaje ti, ndërsa unë do t’u përgjigjem pyetjeve”. Natyrisht që pyetja qendrore ishte problemi i pronësisë mbi tokën. Pasi u diskutua gjatë dhe u teprua me argumente pro e me rezervat mbi zbatimin e tij, u krijua një situatë nervoze dhe atmosferë e mërzitshme.

Në atë moment ndërhyn Dritëroi:

“Ju siguroj, – tha ai – për zbatimin e ligjit edhe këtu”, duke u shprehur kësisoj kundër atij ligji, për të cilin ai kishte votuar kundër. Për sa i përket diskutimit lidhur me pretendimin e pronarëve të vjetër, Dritëroi tha se, sipas ligjit, vendoset një kufi për rastet kur prona u takon pronarëve të vjetër e ku bëhen pronarë të rinj.

“Mos e teproni me vjetërsinë e pronarëve të vjetër, se të gjithë pronarët janë kalimtarë në këtë jetë. Dhe në mënyrë tallëse, ai tha, – Po të niseshim nga vjetërsia, pronarët e vjetër të tokës do të mbeteshin pronarë banorët e parë të tokës, pra, majmunët. Ata janë banorë dhe pronarë të parë të vërtetë”.

Dritero-Agolli1-433x300-300x208

Pas një pauze që dukej se u duhej atyre për të kuptuar Dritëroin, duartrokitjet e mbyllën këtë takim. Banorët donin ta mbanin për darkë dhe ishte e vështirë t’i refuzoje ata, pasi, siç e pamë, ishin bërë gati. Nga kjo situatë na nxorën biznesmenët minoritarë dhe gjirokastritë, që, për të kënaqur sa më mirë Dritëroin, na çuan në Janinë. Aty na pritën edhe miq grekë, ku njeri prej tyre ishte shkrimtar dhe publicist i njohur.

Ai kishte qenë tetë herë në Tiranë, ishte mik me Dritëroin dhe i dashuruar me Shqipërinë. Ai shprehte shpesh keqardhjen, madje edhe zemërimin për shkatërrimet që i ishin bërë vendit në vitet ‘90. Dhe gjatë darkës që ishte shumë e pasur, pjesa kryesore e bisedës ishte përsëritja deri në bezdi e këtij fakti, shkatërrimeve dhe dëmtimeve në Shqipëri.

Në një moment, shkrimtari grek dhe miqtë e tij thanë, miqësisht, që nuk do të vinin në Shqipëri pa e rregulluar atë, por Dritëroi nuk reagoi. Në fund të darkës, Dritëroi kërkoi kafe ekspres. Kafja që u shërbye (kafe greke) nuk u pëlqye, atëherë miqtë grekë na çuan në disa lokale, por kafe të vërtetë ekspres nuk kishte. Së fundmi, Dritëroi kërkoi të na çonin në hotel. Në ndarje nga miqtë, Dritëroi u kujtoi atyre se, edhe në Shqipërinë e shkatërruar, miqtë mund të vinin, ishin të mirëpritur si përherë.

Sabit Brokaj
Sabit Brokaj

“E ju marrtë dreqi, na bezdisët me opinionin shkatërrime e shkatërrime, derisa nuk begenisët të vini në Shqipërinë e shkatërruar. Por ja, dhe këtu në Greqinë tuaj, një kafe të mirë nuk gjen i ziu njeri, kurse në Shqipëri kafen dhe rakinë i kemi ruajtur të mira, ndaj edhe miqtë le të vijnë, se edhe neve do të na kënaqin, pasi shkatërrimet vetë i bëmë dhe vetë do t’i rregullojmë”.

DRITËROI DHE SHËNDETI I TIJ

Pa mëdyshje, do të thosha se shumë vite jetë, ose jetë cilësore, janë falë kujdesit të Sadijes. Dhjetë vitet e fundit të jetës së Dritëroit ndoqa nga afër gjendjen e tij shëndetësore.

Meqenëse ai nuk ankohej për gjendjen shëndetësore, ndjekja dhe ekzaminimi mjekësor vështirësohej. Sikur të mos ishte Sadija observuese, shumë e vëmendshme dhe e ndjeshme, vizitat mjekësore mund të ishin shumë të rralla dhe gjendja shëndetësore nuk do të ndiqej aq mirë. Pasi e bindëm të bënim një bilanc tërësor të shëndetit të tij, u kryen ekzaminimet dhe analizat për të gjithë organet.

Në fund të ekzaminimeve u kënaqa që tri organet jetësore të prekshme nga alkooli (dihej që Dritëroi prej vitesh konsumonte alkool) nuk ishin prekur, ndërkaq që organi më i dëmtuar ishte mushkëria, si pasojë e duhanpirjes së shumtë dhe shumëvjeçare.

Kur më pyeti Dritëroi për gjendjen, i thashë me siguri që: “Ke pasur qeliza cerebrale, disa miliarda mbi normë, që megjithëse alkooli ka dëmtuar shumë prej tyre, juve ju kanë mbetur miliarda që ju lejojnë jetë cerebrale normale, madje krijuese. Të njëjtin arsyetim do të thosha për mëlçinë dhe zemrën”.

Natyrisht që e di mirë, por ky konkluzion që i thashë pati efekt jo të mirë, pasi e shfrytëzoi si argument që të rrallonte ekzaminimet mjekësore. Në krijimtarinë e tij, Dritëroi ndoshta ka shkruar më shumë se kushdo mbi vdekjen, ka biseduar me të, pasi kanë pirë raki me të dhe më ka thënë që e ka sfiduar vdekjen. Njerëzit e ditur e kanë të ndërgjegjësuar paktin jetësor që vdekja është e pashmangshme.

Kjo i bën ata, dhe Dritëroi është midis tyre, që mos të kenë fobi për të. Por njëkohësisht edhe të mos ankohen për sëmundjen ose të përballojnë dhe shqetësimet që për njerëzit e zakonshëm janë të frikshme dhe të padurueshme. Për këtë arsye, ekzaminimet mjekësore kërkoheshin dhe lidheshin vetëm me pretendimet dhe shqetësimet që konstatonte “doktori i shtëpisë, Sadija”.

Me rëndimin e gjendjes kërkohej edhe trajtimi në kushte spitalore, por Dritëroi kundërshtonte përherë. Ai mund ta pranonte sëmundjen, por asnjëherë psikozën e të sëmurit. Ndaj ankesat e tij ishin të pakta, ngaqë përpiqej t’i përballonte.

Madje, kohët e fundit, megjithëse ai duhej të merrte oksigjen dhe vështirësia në frymëmarrje ishte e dukshme, ai nuk ankohej për frymëmarrjen e vështirë, por për bezdinë që i krijonin tubat e vegjël të oksigjenit në hundë. Edhe në këtë periudhë shumë të vështirë të jetës, kur shumica, për të mos thënë të gjithë të sëmurët, e kalojnë me ankth e me shumë ankesa, ai edhe momentin e vizitës mjekësore e kalonte pothuajse si një takim të zakonshëm jomjekësor, ku biseda zhvendosej shpejt nga sëmundja në probleme të tjera shoqërore, politike, me shqetësimin e njeriut të vërtetë, që gjithë jetën vëmendjen dhe shqetësimin e pati për popullin dhe vendin e tij. Në mijëra e mijëra njerëz që kam njohur unë, ashtu siç ai ishte i veçantë në kurajën dhe guximin e tij si personalitet publik e politik, ashtu ai ishte ndër më të rrallët, në kurajën dhe përballimin e sëmundjes së tij.

“Si e mbrojti Dritëroi kaldajistin që ‘vidhte’ qymyr”

FLUTURA GREVA

Ajo ka punuar për vite me radhë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe komunikimi i saj me Dritëro Agollin ishte i përditshëm. Janë me qindra episodet që ajo ruan në kujtesë nga bisedat me Dritërorin, por ajo ka vendosur të ndajë një prej tyre, ku dëshmohet edhe një herë humanizmi i tij.

NJË EPISOD DOMETHËNËS

Unë kam pasur fatin të punoj pranë Dritëro Agollit, këtij shkrimtari dhe njeriu të veçantë, në vitet kur ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Unë në atë periudhë kam drejtuar Bibliotekën e Lidhjes.sadije+-dritero

Lidhja e Shkrimtarëve, në ato vite, kishte një frymë liberale dhe mjaft të hapur për kohën, po të kemi parasysh peshën ideologjike që rëndonte mbi të gjithë shoqërinë. Kjo frymë vihej re në të gjithë klimën që krijohej në këtë institucion.

Mjaft të kujtoj sesi, një herë në muaj, të gjithë punonjësit duhet të mblidheshin në bibliotekë për ‘Orën politike’, si quhej atëherë një lloj forme e edukimit politik. Ishte urdhri nga lart që çdo punonjës ishte i detyruar të merrte pjesë në këtë “Orë”. Por, në të vërtetë, në Lidhje ajo shndërrohej në diskutime të ndryshme arti e letërsie, që nuk kishin fare lidhje me argumentin ideologjik që duhej studiuar. Dhe këtë drejtim ia jepte përherë Dritëroi, duke e kthyer me humorin e tij karakteristik në një orë të këndshme bisedash artistike.

Kam shumë kujtime nga ajo kohë, por, me këtë rast, po veçoj një ngjarje, e cila dëshmon se sa shumë e thyente Dritëroi mentalitetin mbizotërues dhe sa të veçantë e bënte mjedisin ku ne punonim.

Në një periudhë, kur më kishin angazhuar me Bashkimet Profesionale, Dritëroi më thërret në zyrën e tij e më thotë se kishte disa ankesa për kaldajistin e Lidhjes, i cili, sipas këtyre sinjalizimeve, vidhte qymyr, të cilin e çonte në shtëpinë e tij.

Për këtë arsye duhej organizuar një mbledhje e Bashkimeve Profesionale për ta demaskuar. Unë e vështrova e hutuar, pastaj ula sytë. Kaldajisti ishte një djalë i varfër e i vuajtur dhe u ndjeva keq që duhet ta ndëshkonim në atë mënyrë.

Por, ngrita sytë dhe pashë Dritëroin, që me një zë të nxehur, thotë: – Në vend ta ndihmojmë atë njeri të shkretë, po i krijojmë dhe këto situata! E kuptova. Nuk ishte nevoja të fliste më shumë. Jo drejtpërdrejt, ai po më thoshte se duhet t’i dija sinjalizimet e atyre që kishin hallin e qymyrit, por, nga ana tjetër, kaldajisti nuk duhej ngacmuar.

Do ta gjenim një mënyrë për ta korrigjuar, nëse vërtet merrte ndopak qymyr. U ngrita, e përshëndeta dhe dola. Kështu ishte Dritëroi, edhe në raste të tilla të përditshme, por edhe në çështje të tjera, më të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura