Sa vlen jeta në universitet?

Jul 22, 2020 | 9:24
SHPËRNDAJE

PROF. ANDRI KOXHAJ* koxhaj

Drejtuar:

– Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta,

– Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,

– Kryetarit të opozitës, z. Lulzim Basha

Që jemi vend çudish dhe eksperimentesh demokratike, e kemi ditur.

Por, që të luhet me jetën e të rinjve dhe të intelektualëve, për kolltuk sa më të shpejtë dhe në terr, askush s’e mendonte. Muajt e fundit, sjellja me universitetet ka kaluar nga tallja në cinizëm, më tej në sarkazëm, tani është teatër absurd dhe ilegjitim, imoral dhe i paprecedent në botën akademike. Ndërkohë që e gjithë vëmendja ka kaluar te COVID-19, në universitetet tona publike vëmendja është te zgjedhjet për strukturat drejtuese.

Këto 2-3 muaj ankthi pandemie, kam komunikuar me dhjetëra kolegë e profesorë në Europë e SHBA, të cilët më kanë treguar se ç’ndodh me arsimin atje. Universitetet e tyre janë të mbyllura për studentët në auditorë. Gjithçka vetëm online. Dhe po flasim për universitete shumë serioze, me histori shekullore dhe të rankuara në top-listën e universiteteve botërore.

Duke iu referuar fakteve, UK ka 137 universitete, të cilat kanë zgjedhur në mënyrë ekskluzive të përfundojnë vitin akademik online. Për më tepër, universitete si Cambridge, Manchester, Keele, Aberdeen, Durhan etj., kanë mbyllur auditorët dhe parashikojnë të vazhdojnë edhe semestrin e ardhshëm online. Në Itali, i gjithë sistemi i edukimit funksionon online. Universiteti i Romës, Milanos, Torinos, kanë kryer leksionet dhe provimet të gjitha online. Edhe Universiteti i Bolonjës, më i vjetri në Europë, i cili numëron mbi 87.000 studentë, ka përfunduar të gjitha leksionet dhe provimet online. Universiteti prestigjioz i Harvardit, me mbi 23.000 studentë, është deklaruar tërësisht online, si të gjitha universitetet në SHBA. Në Greqinë pranë nesh, Universiteti Aristotel (i Selanikut) me mbi 75.000 studentë, ka kryer që nga marsi të gjitha leksionet dhe provimet online. Kjo listë mund të vazhdojë me mijëra universitete të tjera, por po ndalem këtu.

Humbja e një ore të vetme mësimi në auditorët e universiteteve të tilla as mund të imagjinohet. Tani ato zhvillojnë gjithçka vetëm online. E tillë është situata dhe ata konsiderojnë se për studentët, profesoratin dhe mbarë shoqëritë e tyre, kjo formë komunikimi është më optimalja e mundshme.

Ndërkohë që trendi botëror dhe i vendeve të zhvilluara ka qenë lockdown total të universiteteve, ku vetëm në momente të caktuara të uljes së kurbës, është lejuar prezenca në punë e stafit të domosdoshëm vetëm për arsye kërkimore (jo për takime me kolegë/studentë) sipas disa protokolleve të mirëpërcaktuara.

Në realitetin shqiptar, edhe këtë herë ndodhi çudia!!! Habitshëm, këto dy muajt e fundit ftesat për studentët dhe profesoratin për në auditor ishin të shumta. Pse duhet të ishim prezent fizikisht në auditorë, në një kohë kur bota promovon distancimin dhe evitimin e ambienteve të mbyllura?

Në 35 vite punë, rrallë kam ndjerë zell të tillë ku studentët dhe pedagogët thirren në auditorë. Përgjigjja pse kjo ndodh është e thjeshtë: zgjedhjet në universitet duhet të kryhen sa më parë dhe që kjo të jetë e mundur në një situatë pandemie, duhet që si fillim gjithçka “të funksionojë normalisht”. Nga ky normalitet i sajuar, mund të lindë e drejta për të përmbyllur zgjedhjet, përndryshe të interesuarve do t’u duhet të presin ende.

Kush e shtyn këtë proces të ndodhë me kaq nxitim në një kohë kur statistikat tregojnë se COVID në Shqipëri po avancon shpejt, kur situata duket se ka dalë nga kontrolli, kur numrat vetëm rriten dhe ende s’po duket piku?

Shumë kolegë kanë javë që bëjnë provime masive me mbi 400 studentë në të njëjtën godinë, duke rrezikuar veten, njëri-tjetrin, pedagogët dhe stafin administrativ. Studentët kanë moshë të re dhe shumë prej tyre virusin e kalojnë në mënyrë asimptomatike ose në mënyrë të përballueshme. Ndërsa stafet akademike dhe joakademike (të moshës 40-68 vjeç) kanë reagim krejtësisht tjetër shëndetësor.

Si mund të lejohet nga MSH dhe autoritetet përgjegjëse ky proces mësimor në universitete, i organizuar në këtë mënyrë? Shumë kompani private apo institucione publike, ku janë identifikuar punonjës të infektuar, janë mbyllur urgjentisht: çerdhe, kopshte, fasoneri, zyra të gjendjes civile etj. Për më tepër, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Znj. Bino, deklaroi qartë se zgjedhjet universitare NUK duhet të zhvillohen, për shkak të riskut shumë të lartë të përhapjes së infeksionit.

Ndërsa në universitete ka një injorim të problemit, të cilët si kurrë më parë marshojnë pa përfillur asgjë drejt fund korrikut, periudhë kur MASH ka caktuar datën e zgjedhjeve.

Zgjedhjet universitare janë i vetmi argument i kësaj sakrifice të shëndetit të studentëve dhe stafeve. Të kesh dëshirë të marrësh përsipër një detyrë për të përmbushur misionin e zhvillimit të edukimit të brezave, është fisnike, por të nxitosh turravrap të vendosësh vello nusërie në mort, është grykësi tipike, nga e cila elita e shoqërisë duhet të ndalet.

Në një kohë kur kjo situatë po precipiton frikshëm,kur kurba e viktimave COVID-19 po rritet, kur të shtruarit në spitale ose me probleme janë me qindra çdo ditë, kur statistikat flasin se për çdo të sëmur ka së paku 10 asimptomatikë, kur MSH po sensibilizon për rreziqe shumë serioze nga situata e krijuar, kur gjithë BE dhe më gjerë na ka vënë “pullën e kuqe”, kur epidemiologë dhe personalitete shkencore dhe mjekësore shprehen fort për rrezikshmërinë e situatës, si mund të zhvillohet fushatë zgjedhore universitare normale, si mund të komunikohet me studentët dhe stafet, si mund të debatohet për ato çka janë bërë mirë ose keq apo për objektivat dhe strategjitë e ardhshme?

Kësaj situate pandemie i bashkohet paqartësia e një sërë veprimesh brenda UT me situata problematike, konfliktuale, të diskutueshme nga pikëpamja e legjitimitetit, të cilat i vendosin votuesit në një plan të paqartë dhe shumë nga kandidatët potencialë i mënjanojnë nga procesi.

E gjithë kjo çudi ndodh jo në periferi të vendit, por në mes të Tiranës, në UT, pasuri kombëtare tepër e rëndësishme për rininë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, që meriton vëmendjen dhe seriozitetin e plotë të vendimmarrësve dhe ekzekutivit shqiptar.

A është rastësi kjo mospërputhje mes orientimeve të MSH për kujdes, dhe vendimeve të MASH për moskujdes dhe zgjedhje? Pse kjo diskordancë në ekipin e Kryeministrit? Pse kjo situatë trazuese dhe njëkohësisht kërcënuese duket si produkt pa kokë?

Zoti Kryeministër duhet të kuptojë se zgjedhjet, veçanërisht në UT, nuk duhet të zhvillohen në një situatë si kjo. Për të gjitha arsyet e renditura në këtë shkrim dhe me të gjitha argumentet, procesi do të konsiderohet fiktiv dhe qesharak duke kompromentuar çdo vlerë dhe standard zgjedhor perëndimor dhe mbi të gjitha duke vënë në rrezik shëndetin e të gjithëve, përpara grykësisë së disave.

Ajo që është thelbësore për anulimin e zgjedhjeve më 30 korrik, përveç situatës së rëndë të pandemisë është:

Së pari, studentët nuk kanë përfaqësimin e nevojshëm, pasi realisht ata s’janë prezent.

Së dyti, situata dhe rrethanat tërësisht të paqarta privuan shumë kandidatë potencialë në të gjitha nivelet që të regjistrohen në një proces normal. Me të drejtë, mjaft prej tyre menduan të qëndrojnë larg baltovinës së krijuar, duke pritur zgjidhjen ligjore përpara kandidimit. Rrethanat dhe mosregjistrimi (jo për shkak të tyre) komprometojnë zgjedhjet e presupozuara.

Së treti, konflikti institucional i krijuar prej disa muajsh dhe i tejngopur aktualisht, nuk lejon një proces zgjedhor të lirë. Qetësimi i situatës dhe gjetja e një momenti oportun gjatë vjeshtës së parë, nuk komprometon asgjë. Kjo vetëm e bën procesin më demokratik, transparent, të ndershëm, përfaqësues, të besueshëm dhe të pakontestueshëm.

Së katërti, ajo që çdo kandidat në këtë proces duhet të kuptojë, është se nëse vazhdohet “fushata”, kjo s’ka asnjë lidhje me demokratizimin e procesit, zgjedhjet e lira dhe respektin që të zgjedhurit do të kërkojnë nga stafet dhe studentët, aq e domosdoshme kjo vlerë në akademi.

Së pesti, prania e studentëve në universitete (pra, në kryeqytet dhe qytete të mëdha) dhe më pas kthimi i tyre në vendlindje, sjell rrezik të shumëfishuar për gjithë popullsinë gjatë periudhave në vazhdim. Në mënyrë të veçantë, puna e komisioneve do të ishte tejet e rrezikshme jo vetëm për komisionerët, por për të gjithë studentët, profesoratin dhe subjektet që duhet të komunikojnë me ata.

Fushata dhe vazhdimi i saj në këto kushte dhe realitete është sa i pakuptimtë dhe absurd, aq i rrezikshëm në kuptimin fizik dhe demokratik.

Pa asnjë diskutim, kandidatët gëzojnë besimin dhe vlerësimin tonë maksimal për përkushtimin, pasionin dhe vlerat që ata mbartin. Por ata do të jenë edhe më të nderuar, të respektuar dhe të besueshëm nëse ndërpresin urgjentisht çdo aspekt të fushatës për pozicionet që kandidojnë dhe të mirëkuptojnë rrethanat, të cilat shoqëria po kalon. Është pikërisht ky kuptimi dhe ndërgjegjësimi që Shqipëria kërkon prej nesh sot.

*Kjo letër e hapur i drejtohet gjithashtu studentëve dhe profesoratit. Në shumë komunikime që kam pasur këto javë, mesazhi që kam marrë është i qartë: Jo zgjedhje më 30 korrik! Do të ishte veprim absurd dhe i paprecedent nëse ato do të lejohen.

**

Ky komunikim i adresohet kandidatëve në të gjitha nivelet: Largohuni nga 30 korriku! Kjo ju bën më njerëzorë e qytetarë dhe më pranë kolegëve në atë çka kërkoni. Vjeshta vjen shpejt…

* * *

Kjo letër u drejtohet personaliteteve më të larta politike dhe vendimmarrëse të vendit: Presidentit të Republikës, Kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të opozitës.

Shtetarë të nderuar,

Mos harroni kurrë rëndësinë që ka për shoqërinë demokratike universiteti dhe demokracia në të. Fati i studentëve dhe stafeve varen nga vendimmarrja Juaj!

Mos shpërfillni dhe shembni me indiferencë vlerat e akumuluara në vite në universitetet nga keni dalë edhe ju.

Mos merrni përsipër që për interesa qesharake të vogla të grupimeve në ekipet tuaja, të përbalteni dhe të cenoni vlera që shoqërisë do t’i kushtojnë breza.

Nëse reagoni shpejt, mund të përmirësoni ndjeshëm imazhin tuaj që shpesh e keni kompromentuar në sytë tanë.

Nëse qëndroni përsëri indiferentë, ZOTI JU MËSHIROFTË!

*Pedagog në Fakultetin Ekonomik, UT. Anëtar i Senatit Akademik, UT. Anëtar i Komisionit të Jashtëm të Akademisë së Shkencave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura