“Sa të jetë kjo Polici, s’do ketë të arrestuar”, vëllai i Fatbardh Licit akuza shtetit: Jeni të lidhur me bandat (VIDEO)

Sep 3, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI/  Kur kanë kaluar një muaj e gjysmë nga vrasja e Fatbardh Licit dhe ende nuk ka asnjë person përgjegjës për këtë ngjarje, vëllai i tij, Mustafa Lici, denoncon Policinë e Qarkut Shkodër se është e lidhur me bandat kriminale.

60-vjeçari, i cili është dhe anëtar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, flet për terror ndaj familjes së tij nga ana e Policisë, ku për çdo ngjarje, të afërm të tij shoqërohen për t’u marrë në pyetje. Kështu ndodhi dhe me vrasjen e Arjan Ferracakut dy ditë më parë, ku djali i tij 16 vjeç u mbajt disa orë i shoqëruar. “Shkodra po vuan një diktaturë të madhe që nuk është parë as në 1946-n. Janë 6 të vrarë dhe 2 të humbur. Pjesa më e madhe e ngjarjeve janë pa autor. Vrasjet këtu në Shkodër janë bërë në bashkëpunim të bandave me Policinë.

Sa të jetë kjo Polici, nuk do të ketë as edhe një zbardhje të ngjarjeve sepse kjo Polici është në mbështetje të bandave të qytetit të Shkodrës. Këto banda kanë marrë forcë nga Policia. Këto banda kanë marrë përsipër të dhunojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të terrorizojnë qytetarë të ndryshëm. I shpreh ngushëllimet të gjithë familjarëve me sinqeritetin më të madh. Rasti i fundit i vrasjes së Arjan Ferracakut, Policia ka marrë dy fëmijë njëri 15 vjeç dhe tjetri 16 vjeç. 16-vjeçari është djali im. E marrin këtu në shtëpi dhe Policia e mban 4 orë. Shtëpia jonë është bërë poligon qitjesh nga regjimi diktatorial i kësaj qeverisjeje”, shprehet Mustafa Lici.

NGUJIMI

Ai thekson se familja Lici qëndron e ngujuar prej gati tri javësh, ndërsa të gjithë murin rrethues të shtëpisë e kanë përforcuar me llamarina. “I bëj thirrje ambasadave, i bëj thirrje gjithë shqiptarëve, i bëj thirrje opozitës, i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë forcë ta ndalojnë këtë shkelje të procedurës ligjore. Ne jemi në ngujim. Mua më kanë vrarë vëllain dhe siç e shihni ju vetë, kemi çuar llamarinat në lartësi. Jemi të ngujuar dhe qëndrojmë në shtëpi sepse nuk jemi në gjendje të lëvizim në pragun e derës.

Ky shtet po krijon trysni ndaj familjes sonë dhe disa familjeve të tjera, por posaçërisht ndaj familjes sonë. Kjo është një trysni që ne nuk e kemi pasur as në 1946-n, as në vitet e diktaturës. Kam qenë shumë më i qetë në internim dhe në burg politik se me këtë qeveri. Ta dijë mirë kjo qeveri se unë kam rezistencë të jetoj në shtëpinë time, të jetoj në familjen time dhe nuk munden të më ushtrojnë asnjë lloj trysnie. Të gjitha shkeljet njerëzore, që i bëjnë këta njerëz i bëjnë nën pagesat e parave, kanë vënë aq shumë lekë sa blejnë çdo lloj shefi, çdo lloj polici”, u shpreh 60-vjeçari.

 

Shtepia e Licit

APELI

Anëtari i Këshillit Bashkiak dhe kryetar i partisë “Mendimi i Djathtë Liberal” thotë se do të kërkojë drejtësi deri në Strasburg për atë që po ndodh me familjen e tij dhe qytetarët e Shkodrës. “Më vjen keq për qytetarët e Shkodrës se po përdoret një lloj trysnie e madhe. Më vjen keq për të humburit e Shkodrës, më vjen keq për viktimat e qytetit të Shkodrës. Unë dhe familja ime deri dje kemi ushtruar aktivitetet tona shumë të lirë, ndërsa kemi tri javë, që nga vrasja e vëllait tim dhe ne jemi të ngujuar, jo se na kanë ngujuar bandat, por na ka ngujuar shteti.

Çdo orë shteti sillet me furgona policie përreth shtëpisë, me nga dytre furgonë. I drejtohem të gjithë instancave të larta dhe i vë në dijeni se këtu po veprohet në kundërshtim me ligjin dhe po cenohen të drejtat e një familjeje herë pas here. Çdo incident që kryhet në Shkodër, çdo plumb që nxirret në Shkodër, edhe pa vrasje, menjëherë rrethohet familja ime nga Policia dhe marrin në shtëpi nga 3-4 vetë, u marrin gjurmët e gishtave dhe i lëshojnë pas 4 orësh. Herë marrin 3-4 vetë, herë 1-2 sa të gjejnë në shtëpi.

Do t’i drejtohemi edhe Strasburgut për këto që ndodhin në familjen tonë. Do ketë drejtësi edhe më lart, drejtësia është edhe në Strasburg, edhe atje do të drejtohemi, por ta dinë mirë se as shteti dhe as bandat nuk e trembin familjen Lici, që e përdhunojnë çdo javë e çdo ditë, vijnë e na rrethojnë kot”, përfundon Mustafa Lici.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura