Sa rëndësi ka vërtet SHBA për ne, për PD-në, për Shqipërinë?

Sep 17, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA FITIM ZEKTHIfitim-zekthi-150x150

Që nga koha e Kongresit të Berlinit, shqiptarët e çdo  moshe dhe trojet e tyre në Plavë, Guci, Hot, Grudë, Ulqin, Tivar, u vunë në një kërcënim ekzistencial prej forcave të Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi, të cilave iu dhanë këto troje. Me gjithë mbrojtjen me gjak dhe jetë, këto troje u humbën.

Në tetor të vitit 1912 filloi një periudhë shumë më e rëndë dhe më kërcënuese për ekzistencën e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre si troje shqiptare. Lufta e Parë Ballkanike bëri që forcat serbe, malazeze, greke dhe bullgare të sulmojnë drejt Kosovës, Shkodrës, Shkupit, Janinës etj. trojet shqiptare për të arritur deri në brendësi të Shqipërisë së sotme. Pati vrasje, djegie, terror. Ato nuk donin një shtet shqiptar.

Në nëntor të atij viti u shpall pavarësia jonë, e cila u njoh një vit më pas, pak a shumë në kufijtë që është sot Shqipëria. Mbetën jashtë në mënyrë kriminale si pasojë e interesave sllave, greke dhe ruse qindra mijëra shqiptarë dhe mijëra kilometra troje në Serbi, Mal të Zi, Greqi dhe Bullgari. Kjo Shqipëri që mbeti, u vu përsëri në një diskutim të tmerrshëm pas luftës së Parë Botërore. Ishin amerikanët, një fuqi e re dhe e madhe ekonomike dhe politike, që nuk lejoi asgjësimin e Shqipërisë.

Ajo Shqipëri, pas vitit 1920, përmes qindra peripecish që nuk kanë të bëjnë me këtë shkrim, arriti të bëhet një shtet i qëndrueshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ra përsëri nën kontrollin e forcave që e kishin sulmuar dhe kishin dashur asgjësimin e trojeve dhe identitetit të saj në vitin 1978, 1912 dhe përgjatë viteve 1912-1920. Te këto forca, këtë herë, nuk ishin grekët dhe bullgarët, të cilët kishin ndërmarrë një kurs tjetër, por vetëm serbët dhe sigurisht “shefi” i tyre, rusët, që ishin bërë Bashkimi Sovjetik. Bashkimi Sovjetik i kthyer në një perandori të tmerrshme dhe kriminale kish skllavëruar të gjithë popujt e tyre Europës Lindore dhe të Kaukazit dhe po vendoste komunizmin edhe në Shqipëri përmes Serbisë.

Pas 1990, kur komunizmi ra në Moskë dhe Europën Lindore, ai ra edhe në Shqipëri. Nga ky moment, Shqipëria orientohet drejt Europës dhe SHBA-së dhe sigurisht drejt sistemit të demokracisë. Shqipëria anëtarësohet në KSBE dhe Këshillin e Europës. Nis një erë e re nën mbështetjen amerikane, sidomos për hyrjen në NATO dhe demokratizim të vendit. Plaga jonë kombëtare, Kosova e djegur dhe e vrarë për të paktën një shekull, u çlirua nga Serbia në vitin 1999 me anë të fuqisë ushtarake amerikane. Kosova u bë e pavarur me ndihmën e SHBA-së. Sigurisht, vende të tjera si Turqia, Italia, Gjermania gjithmonë kanë qenë pranë Shqipërisë.

Sigurisht, që trima të rrallë si Isa Boletini apo Skerdilajd Llagami dhe qindra të tjerë që dhanë jetën, kanë një rol të pazakontë në atë që sot është ky vend, kjo tokë dhe arritjet e saj, por pa SHBA-të nuk do të ishim në këtë pikë. Në këto 30 vite, Shqipëria me politikën e saj shumë problematike, me politikanë shumë problematikë që nuk e dallojnë dot ku fillon shërbimi ndaj vendit dhe interesi personal, që nuk e dallojnë forcën e epshit personal për pushtet dhe nevojën për kufizim dhe ndarje pushteti që kërkon sistemi demokratik, kanë prodhuar shumë pengesa, kanë sjellë shumë prapësi. Në këto 30 vite, ne kemi edhe shumë arritje.

Është e sigurt se pa përkrahjen e SHBA-së dhe pa perspektivën e integrimit në BE, ne do të ishim ose në një regjim totalitar si Koreja e Veriut ku Rama ose një Ramë tjetër do të ishte Kim JONg un ynë ose do të ishim në një luftë civile. Pra, në qoftë se për një moment do të imagjinonin një Shqipëri të izoluar nga SHBA dhe pa perspektivën e integrimit në BE, ne do të ishim ose një Kore e Veriut ose një Venezuelë. Kjo duket e qartë. Është fat i madh që SHBA është dhe ka qenë në histori në anën tonë dhe të kombit tonë. Është fat gjithashtu që SHBA është kjo që është, është vendi me vlerat politike më të thekshme në mbrojtje të lirisë.

Do të ishte fatkeqësi nëse një vend kaq i fuqishëm si SHBA, për shkak të gjeopolitikës apo interesave të tjera, të mos ishte në anën e kombit tonë. Gjithsesi, kjo do të ishte e pamundur. Vlerat e SHBA-së janë vlerat e Deklaratës së Pavarësisë, të fjalimit të Patrick Henry-it në Konventën e Virxhnias që tha kur nisën luftën për liri “…më jep lirinë, ose vdekjen”, të fjalimit të Presidentit Lincoln që tha në Gettysburg “…një qeveri e popullit nga populli, për popullin nuk zhduket nga faqja e dheut”, e fjalimit të presidentit Reagan që tha “..se liria është vetëm një brez larg zhdukjes nëse për të nuk luftohet përditë” etj.

Etërit themelues, Hamiton, Madison, Jefferson, Washington, Adams, Willson, kërkuan të themelojnë një republikë që të kishte një synim. Ky synim ishte të shmangej me çdo kusht tirania dhe çdo formë e saj. Për këtë ata ndërtuan një Kushtetutë që pamundëson tiraninë, ngjizën në sistemin politik parimet e kufizimit të pushtetit, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, llogaridhënies së qeverisë, duke e marrë lirinë dhe të drejtat njerëzore si diçka hyjnore, të dhëna një herë e përgjithnjë.

Kjo SHBA është një frymëzim për botën dhe për ne dhe është fat që është mbrojtëse dhe ka garantuar thuajse plotësisht ekzistencën tonë dhe të Kosovës. Pa SHBAnë ne nuk duket se kemi mundësinë të shpresojmë se mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë nesër, se mund të bëjmë zgjedhje të lira, se mund të kemi sundim të ligjit, se mund të jetojmë në një Shqipëri ku të rinjtë duan të ndërtojnë jetën e tyre. Kjo është e qartë. SHBA nuk është Perëndia.

Pa dyshim që ajo mund të kritikohet dhe kundërshtohet. Ka shumë në botë që e bëjnë, edhe brenda vetë SHBA-së. Ne shqiptarët nuk kemi arsye të hyjmë në drejtime të tilla. Ne nuk mund të jemi pjesë e këtyre debateve apo e kritikave në kuptimin e mbajtjes së një ane apo një qëndrimi për mënyrën se si ajo ndërton debatin e saj të brendshëm apo për mënyrën se si ajo i merr vendimet e saj.

Ne jemi me SHBA-në e vlerat e saj dhe duhet ta quajmë veten të bekuar që ajo është e tillë dhe në anën tonë. Ne mund të dalim kundër SHBA-së vetëm nëse ajo dëmton çështjen tonë kombëtare, mbron interesin e Serbisë apo të Rusisë, synon të minojë demokracinë tonë dhe të na hedhë në një tirani. Këto janë absurditete për një vend dhe për vlera si ato të SHBA-së. SHBA nuk mund të jetë kurrë e tillë. Në këtë kuptim, edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, që është partia e cila ishte që në themelim të saj në këtë anë, duhet të mos dalë kurrë nga kjo qasje. SHBA nuk është diçka që duhet adhuruar, por ama është diçka me të cilën duhet të jemi gjithmonë në anën e saj dhe më e rëndësishmja duhet të mbrojmë dhe brendësojmë vlerat e saj.

Ata që flasin për SHBA si vend që përkrah diktatorë apo si vend që na la ne në 1945-ën në anën e komunistëve, janë gabim. Vlerat amerikane nuk përkrahin kurrë diktatorë, por në politikë mund të vihesh para përgjegjësish të tmerrshme. Ish-sekretarja e Shtetit, Condolize Rice, tha para pak ditësh me rastin e 20-vjetorit të sulmeve mbi kullat binjake se momenti më dramatik i asaj dite, veç dhimbjes për viktimat, ishte vendimi për të rrëzuar çdo avion pasagjerësh që do t’u drejtohej godinave qeveritare apo civile. Pra, duhet të zgjidhnim, tha ajo, mes vrasjes së 200-300 pasagjerëve dhe vrasjes së qindra mijëra të tjerëve në godina.

Ky nuk është një vendim i lehtë, as një vendim për të rrëzuar një avion. Me këto gjëra, SHBA është përballur kur ka lejuar apo ka bërë marrëveshje me një diktator. Në këto tetë vite, Kryeministri Rama, në mënyrë diabolike, e ka monopolizuar marrëdhënien me SHBA, duke u hequr si njeriu dhe aleati i tyre i vetëm, duke e portretizuar PD-në si parti antiamerikane. Rama e ka parë marrëdhënien me SHBA-në si burimin e vetëm të pushtetit të tij duke që se dështimi i tij ka qenë i lemerishëm në përmbushjen e atyre që ka thënë në fushatë. Rama është investuar në mënyrë “mizore” për të bërë si proamerikan duke hyrë në lloj-lloj tratativash për Kosovën apo çështje të tjera të politikës së jashtme në mënyrë që të jetë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së.

PD-ja ka bërë shumë pak me sa duket në këto vite që ta portretizojë veten si një aleate e vërtetë e SHBA-së dhe e vlerave të saj. Tashmë po fryn një erë në sfond. Vendimi i Bashës në kushte shumë të vështira, e fut PD-në në hullinë e natyrshme pro amerikane. PD ka të gjithë shanset ta heqë dhe ia ka hequr Ramës këtë monopol të marrëdhënieve me SHBA. Rama tashmë është përballë vetëm vetes dhe dështimit lebetitës në rend, ekonomi, papunësi, integrim.

Maska ra. Asnjë rrymë, forcë, individ, ide, qëndrim antiamerikan nuk mund të fitojë as në PD dhe as në Shqipëri. Dhe kjo është një gjë e mirë, nuk është një gjë e keqe. SHBA është gjëja më e mirë politike për ne dhe për botën dhe Zoti ka dashtë që ajo të jetë në anën tonë. Qëndrimet pro SHBA-së kur bëhen sepse vlerat e saj i bart vërtet si të tuat dhe kur bëhen për të mbrojtur vendin tënd nuk janë kurrë as servilizma, as nënshtrime dhe as dorëzime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura