Sa mund të ndikojnë sëmundjet e syve në krijimtarinë e piktorëve

Mar 8, 2020 | 11:33
SHPËRNDAJE

Dr. Enkela Çela /Për një artist, shikimi është shumë i rëndësishëm. Ne rrallë mendojmë për rëndësinë e cilësisë së pamjes së një artisti. Për një piktor, shikimi është shumë më tepër sesa thjesht pamja e një peizazhi apo një objekti.

ddd

Ata kanë stilin e tyre të pikturës, i cili mund të ndikohet shumë nga talenti i tyre dhe në një masë të madhe, edhe nga cilësia e shikimit. Ekzistenca e stileve të ndryshme njihet nga historia e pikturës. Okulistika nuk mund ta shpjegojë artin, por nga ana tjetër nuk mund të mos përfillet ndikimi i gjendjes së përgjithshme shëndetësore, duke përfshirë këtu dhe gjendjen e syve, në veprimtarinë e piktorëve.

Karakteristikat normale dhe anormale të syve mund të ndikojnë në veprën krijuese të tyre. Retina dhe nervi i syrit luajnë një rol të madh për perceptimin e kontrastit, i cili është një element themelor në krijimtarinë e piktorit dhe ndikimi i tij është i dukshëm në të gjithë historinë e artit. Perceptimi i ditës ose i natës krijohet vetëm për shkak të mënyrës sesi retina përshtatet dhe reagon nga drita. Përpunimi i ngjyrave është gjithashtu një proces kompleks.

Megjithatë, nuk mund të pohojmë që sëmundjet e syve të piktorëve mund të diagnostikohen vetëm në bazë të vlerësimit të veprës së një artisti. Piktorët janë të lirë që të krijojnë sipas dëshirës dhe talentit te tyre. Në okulistikë, sëmundjet refraktive më të shpeshta janë miopia, hypermetropia dhe astigmatizmi. Miopia nënkupton pamjen e shkurtër, d.m.th. personi sheh mirë në distancë të shkurtër, por shikimi është i paqartë në largësi.

Miopia mund të korrigjohet me lente dioptrike bikonkale. Në hypermetropi, në të kundërtën, pacientët shohin mirë në distanca të largëta dhe jo aq mirë në distanca të shkurtra. Pas moshës 45 vjeç, për shkak të dobësimit të aftësisë së lentes për t’u akomoduar, fillojnë vështirësitë për të parë nga afër. Hypermetropia mund të kompensohet me lente konvekse. Astigmatizmi vjen nga fjala greke stigma, që do të thotë “pikë” .

Një sy astigmatik sheh një pikë si një linjë të shtrembëruar dhe mund të kompensohet me lente torike. Korrigjimi i problemeve refraktive filloi në shekullin e 13-të në Venecia, ku u krijuan lentet për korrigjimin e presbiopisë. Në atë kohë, vetëm Kisha ishte në gjendje të paguante dhe korrigjimi i presbiopisë ishte një privilegj i njerëzve të pasur. Për të korrigjuar miopinë, njerëzve iu desh të prisnin edhe dy shekuj. Për të korrigjuar astigmatizmin edhe më shumë, derisa ligjet e optikës të zbuloheshin të përshkruheshin nga të famshmit Njuton dhe Dekart.

entel

Ekziston një histori e gjatë, që argumenton se çrregullimet e pamjes së disa artistëve të veçantë kanë ndikuar në veprat e tyre. Disa kanë argumentuar se udhëheqësit e lëvizjes impresioniste ishin miopë dhe se pamja e tyre kur nuk përdorin syze mund të shpjegojë stilin e tyre të gjerë dhe të vrullshëm. Mbështetja e provave të këtyre çrregullimeve dhe ndikimi i tyre në veprat artistike është shpesh një spekulim, për shkak të mungesës së të dhënave klinike për të mbështetur diagnozën.

Në rastin kur sëmundja e syrit dokumentohet nga okulisti, është e pranueshme të analizohet ndikimi i sëmundjeve të syrit te mënyra e pikturimit. Si okulistë, ne merremi me problematikën e çrregullimeve të shikimit dhe është e arsyeshme të pyesim nëse këto sëmundje kanë mundësi të ndikojnë në karakteristikat e veprës së një artisti apo është thjesht stil individual i një artisti. Këtu më poshtë do të flasim për disa piktorë të njohur, të cilët kanë pasur çrregullime me sytë dhe iu është kushtuar më shumë vëmendje nga ana e kritikëve dhe okulistëve.

EL GRECO El Greco (1541-1614) është një nga piktorët më të veçantë midis piktorëve mesjetarë. Ai lindi në Kretë, e cila në atë kohë bënte pjesë në Republikën e Venecias. Në moshën 27-vjeçare u zhvendos në Venecia, ku kaloi 3 vjet duke mësuar pikturën. Ai ka punuar në studion e Tintorettos. Në vitin 1570 u shpërngul në Romë, ku vëzhgoi pikturat e Raphaelit dhe Michelangelos. Rreth vitit 1575 u largua nga Roma dhe u shpërngul në Spanjë. Shkaku i mundshëm pse la Romën ishte epidemia e murtajës. Më pas ai jetoi në Spanjë, në Toledo, afër Madridit dhe mori emrin El Greco, që do të thotë grek. Në veprat e tij pikturonte kryesisht figura vertikale të zgjatura në një atmosferë mistike dhe fetare. Shumë nga figurat e tij – Shën Gjon Pagëzori dhe Magdalena e Penduar, madje edhe autoportreti i tij janë figura të zgjatura.

Në fillim të viteve 1900, një okulist doli me një shpjegim se piktori vuante nga një astigmatizëm i rëndë, i cili “e shtrin” objektin që shikon vertikalisht. Me fjalë të tjera, El Greco ishte thjesht duke pikturuar atë që shikonte. Astigmatizmi zakonisht rezulton kur kornea – sipërfaqja e përparme e syrit, nuk është sferike, por ka formë epileptike. Kjo ide mbeti e popullarizuar në gjirin e kritikëve dhe historianëve për thuajse një shekull. Sot dihet që e vërteta është ndryshe.

Në fushën e okulistikës është e njohur që njerëzit me astigmatizëm kanë aftësinë të përshtaten me këtë gjendje optike të syrit dhe janë njësoj të aftë si personat e tjerë që nuk kanë astigmatizëm, që të vizatojnë objekte në përmasa reale, normale, megjithëse e shikojnë objektin të deformuar. El Greco thjesht ka pikturuar në një stil tê veçantë dhe jo për shkak të sëmundjes refraktive të syrit të ashtuquajtur astigmatizëm. CLAUDE MONET Në gjysmën e dytë e shekullit XIX u shfaq një stil i ri, impresionizmi. Ky stil u konsiderua revolucionar dhe radikal. Ne vend të skenave fetare, artistët e pikturojnë jetën reale siç është, siç janë urat, parqet, lokomotivat, industria dhe njerëzit e zakonshëm. Impresionizmi u emërua sipas një pikture të Claude Monet (1840-1926) të titulluar “Impression, soleil levant”.

Piktori francez Claude Monet, një themelues i pikturës impresioniste franceze, njihet më së miri për pikturat e kopshtit të tij dhe pellgut të zambakëve në Giverny. Monet njihet për metodën për të pikturuar të njëjtën skenë shumë herë, në mënyrë që të kapte ndikimin e ndryshimit të dritës dhe kalimin e stinëve. Monet ka pasur një katarakt (perde e syrit), i cili ka lënë gjurmë dhe mund të ndiqet në veprat e tij artistike. Kur u bë 66 vjeç filloi të ndiente shenjat e para të kataraktit. Ai kishte vështirësi të dallonte nuancat e imëta të ngjyrave.

Me kalimin e kohës, shikimi i tij kishte rënë në mënyrë dramatike, por kishte frikë të bënte operacion. Nga 1914-1915 filloi të ankohej se ngjyrat nuk kishin më të njëjtin intensitet dhe se pikturat e tij po bëheshin gjithnjë e më të errëta. Për të shmangur gabimet në zgjedhjen e ngjyrave, Monet filloi të etiketonte tubat e tij të bojës dhe të mbante një rregull të rreptë në paletat e tij. Më vonë e pranoi ndërhyrjen kirurgjikale të kataraktit. Në atë kohë, kirurgjia e kataraktit ishte mjaft komplekse dhe rudimentare në krahasim me metodat që përdoren sot.

Lentet intraokulare nuk ekzistonin, kështu që rehabilitimi i shikimit ishte i dobët. Pacientët vinin syze me xhama shumë të trasha, të cilat shkaktonin vështirësi në pamje dhe në perceptimin e ngjyrave. Cilësia e shikimit pas operacionit nuk ishte e mjaftueshme për një piktor në atë kohë. Pas operacionit, Monet pati probleme, zhvilloi një katarakt sekondar që duhej të operohej përsëri. Ai kishte depresion për një periudhë të gjatë për shkak të shikimit të tij të dobët dhe i ka shkruar letra ankimi kirurgut i tij, dr. Charles Coutela.

Gradualisht, pamja u përmirësua në 60%, por duhet të mbante syze me një korrigjim +10.0 + 4.0 × 90 °. Për shkak të ndryshimit të madh të dioptrive në mes të dy syve, kishte vështirësi të shihte me të dy sytë së bashku. Ai nuk pranoi ta operonte syrin e majtë. Përfundimisht, vuri syze, por gjithmonë ankohej për vështirësitë me ngjyrat.

Më vonë u mësua me syzet dhe Monet ishte në gjendje të vazhdonte të pikturonte deri në vdekje. Monet ishte në gjendje ta përfundonte serinë e zambakëve të ujit, e cila mund të shihet sot në Muzeun Orangerie në Paris. Spektakli i tij i fundit është shfaqur në Muzeun Marmottan në Paris. Në pikturat e tij të mëvonshme mund të vërehet ndryshimi në tonalitet. Të gjitha fotografitë janë të errëta dhe detajet e bukura janë të ashpra. Pas operacionit të kataraktit, ngjyrat u bënë me detaje më të lehta dhe të bukura.

REMBRANDT VAN RIJN Rembrandt van Rijn (1606-1669) ishte një piktor i njohur holandez. Ai e filloi karrierën e tij në Leiden dhe pastaj u zhvendos në Amsterdam, ku u bë i famshëm brenda një kohe mjaft të shkurtër. Për një periudhë të gjatë, stili i tij i veçantë u interpretua si rrjedhojë e problemeve me sytë. Në autoportretet e tij duket se një sy kthehet pak jashtë. Disa autorë hodhën hipotezën se ai mund të ketë pasur strabizëm (sytë e shtrembër).

Me kalimin e moshës mund të ketë zhvilluar një katarakt, duke shkaktuar një keqësim të shikimit dhe ndryshime në përdorimin e ngjyrave. Pikturat e tij u bënë me të errëta, në krahasim me veprat e krijuara në moshë të re. Problemet e syve të cituara në literaturë në lidhje me strukturat periorbitale (rreth syrit) të Rembrandtit u hodhën poshtë nga një studim i gjerë në vitin 2016. Rembrandt-i është një shembull i mirë ku tregohet se jo gjithmonë sëmundjet e syve mund të ndikojnë në cilësinë e veprës së një piktori. Edhe nëse ka pasur disa probleme me sytë, të cilat ishin kryesisht të lidhura me moshën, ai ishte në gjendje të vazhdonte artin e tij deri në vdekje. Tonaliteti i pikturave të tij ndryshoi, por ai ishte në gjendje të pikturonte hollësitë e bukura edhe në vitet e mëvonshme.

Autorët besojnë se të gjitha ndryshimet e paraqitura në portretet e Rembrandt- it përfaqësojnë ndryshime fiziologjike të moshës ose stilistike dhe nuk paraqesin shenja ose simptoma të sëmundjeve të syve. FRANÇOIS RAVIER François Ravier (1814-1895) ishte i famshëm për pikturat e tij romantike të peizazhit. Në moshën 69-vjeçare përjetoi një dhimbje dhe humbje të shikimit në syrin e majtë. Ravier kishte zhvilluar një glaukomë neovaskulare dhe dhimbjet ishin të vazhdueshme, kështu që syri i majtë duhej të hiqej. Ai e quajti veten me humor “Ciklop me një sy”.

Megjithëse ishte monokulus (me një sy), gjë që ndikon në shikimin tredimensional, ai e vazhdoi krijimtarinë e tij të pikturave në natyrë. Në moshën 74-vjeçare zhvilloi katarakt në syrin e djathtë. Nuk ka të dhëna se si ndikoi në artin e tij, por ai vazhdoi të punojë deri në vitin e fundit të jetës. EDGAR DEGAS Edgar Degas (Paris, 1834 – Paris, 1917) një impresionist francez, i famshëm për portretet dhe balerinat e tij, kishte një degjenerim të trashëguar makular. Në vitin 1870, në moshën 36-vjeçare, kur ishte ushtar në luftën franko-prusiane, vuri re që nuk e shikonte qendrën e objektit me syrin e djathtë. Më vonë vuri re që e shqetësonte drita, e cila e detyronte të punonte në ambiente të mbyllura. Me kalimin e kohës, problemi me shikimin po bëhej më i rëndë dhe kapi edhe syrin e majtë.

Pas një periudhe, Degas pati një turbullim të shikimit qendror që quhet skotomë. Pikturimi po bëhej shumë i vështirë, sepse i duhej të pikturonte rreth skotomës së tij. Degas u detyrua të zëvendësonte përdorimin e vajrave me pastelet, të cilat ishin më të lehta për t’u punuar, pasi kërkonin më pak saktësi. Më vonë zbuloi se ishte më e lehtë për të pikturuar subjektet e marra nga fotografitë. Në krahasim me veprat e mëparshme, veprat e tij po bëheshin gjithnjë e më të turbullta, të paqarta dhe kishin një humbje të qartësisë së formës. Në vitin 1891, në moshën 57- vjeçare, shikimi nga afër u keqësua kaq shumë, saqë nuk mund të lexonte më.

Degas kishte gjithashtu vështirë edhe në njohjen e ngjyrave. Më vonë, në veprat e Degas dominonte ngjyra e kuqe. Ngjyra blu përdorej shumë më rrallë. Ai përpiqej të zgjidhte ngjyrat më të forta, sepse i perceptonte ngjyrat me intensitet të dobët. Duke filluar nga viti 1903, shikimi u keqësua kaq shumë, sa vendosi t’i kthehej skulpturës. Degas kërkoi ndihmë tek okulisti Edmond Landolt, i cili diagnostikoi “chorioretinopati”, një term i përdorur zakonisht për të përshkruar një sërë gjendjesh, ku është karakteristike humbja e hershme e pamjes qendrore. Humbja e hershme e pamjes qendrore, vështirësia në dallimin e ngjyrave, shqetësimi i dritës së fortë tregon se Degas kishte degjenerimin të trashëguar makular.

Kushëriri i tij i parë, Estelle Musson de Gas, në moshën 25-vjeçare humbi shikimin në një sy dhe në moshën 32- vjeçare ishte i verbër nga të dy sytë. Ka mundësi që disa nga veprat madhështore të Degas si artist t’u mvishen çrregullimeve të tij me sytë. Ndikimin e sëmundjes së syve në pikturat e tij e ka përshkruar më së miri Renoir: “Në qoftë se do kishte vdekur në moshën 50-vjeçare, ai do të mbahej mend vetme si një artist i talentuar, asgjë më shumë”. Problemet okulare mund të japin një dimension tjetër të piktorit dhe kanë rëndësi në përcaktimin e stilit të artistit. Në periudhën e veçantë të jetës së disa piktorëve, sëmundjet e syve mund të kenë ndikim të madh në llojin e tyre të pikturave dhe në punën artistike.

Dr. Enkela Çela Hrdlickova PhD Klinika Europiane e Syrit “Lexum”, Pragë Klinika e okulistikës Spitali Universitar Vinohradi, Pragë Republika e Çekisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura