Sa kohë do kalojë deri kur të nisë jeta normale? Këshilltarja e qeverisë britanike për shëndetësinë nuk ka lajme të mira: Do ishte e rrezikshme nëse…

Mar 29, 2020 | 22:38
SHPËRNDAJE

p08838ln

Mund të kalojnë gjashtë muaj para se jeta në Mbretërinë e Bashkuar të kthehet në “normalitet”. Kështu ka paralajmëruar zv.drejtoresha e çështjeve mjekësore në Angli, këshilltare e qeverisë lidhur me shëndetësinë, duke folur sot në konferencën e përditshme të qeverisë lidhur me koronavirusin.

Dr Jenny Harries shtoi se kjo “nuk do të thotë se do të jemi në izolim të plotë për gjashtë muaj”.

Por, vazhdoi ajo, Mbretëria e Bashkuar duhej të ishte “e përgjegjshme” në veprimet e saj dhe të zvogëlojë masat e distancimit shoqëror “gradualisht”.

Deklarata e fortë vjen pasi numri i personave në Mbretërinë e Bashkuar që kanë vdekur me koronavirus arriti në 1,228.

Ndër viktimat e COVID-19 është Amged El-Hawrani, një mjek 55-vjeçar në Queen’s Hospital Burton. Vdekja e tij u konfirmua pak para konferencës për shtyp. Një konsulent për transplantin e organeve vdiq javën e kaluar.

Dr Harries tha që qeveria do të rishikojë masat e bllokimit për herë të parë në tre javë.

Por ajo paralajmëroi qytetarët se “ne nuk duhet të kthehemi papritmas në mënyrën tonë të të jetuarit normal. Kjo do të ishte mjaft e rrezikshme”.

Ajo vazhdoi: “Nëse ndalojmë masat e kufizimet, atëherë të gjitha përpjekjet tona do të ikin kot dhe ne mund të shohim potencialisht një kulm të dytë shpërthimi. Kështu që me kalimin e kohës, ndoshta gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, do të kemi një rishikim tre javor. Do të shohim se ku po shkojmë. Gradualisht do të rregullojmë masat me shpresë heqjen e disa nga kufizimeve të distancimit shoqëror dhe gradualisht t’i rikthejmë të gjitha në normalitet”.

Por Dr Harries gjithashtu tha se tani “e besueshme” është edhe skenari që mund të shkojë më larg se 6 muaj.

Mbi numrin e vdekjeve nga virusi, ajo shtoi: “Ne në të vërtetë parashikojmë që numrat tanë të përkeqësohen gjatë javës tjetër, ndoshta pas dy javësh, dhe pastaj të shohim nëse kemi arritur ta ulim kurbën drejt një rënie ”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura