Sa janë dhe sa do të jenë SHBA-të në ngjarjet që po përjeton Partia Demokratike

Oct 18, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

zogajPREÇ ZOGAJ

Pyetjes së parë, “sa janë”, ia dinë përgjigjen gjithë shqiptarët. Edhe ata që bëjnë sikur nuk e dinë. Janë shumë. Janë me vendimin e tyre për shpalljen non gratta të ishPresidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha. Janë me kërkesën e tyre të panegociueshme drejtuar kryetarit demokrat, Lulzim Basha, për largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, shoqëruar me paralajmërimin publik se SHBA do të ndërpresin çdo marrëdhënie me PD-në dhe do ta izolojnë atë nëse kjo nuk ndodh.

Vendimi dhe kërkesa amerikane plus plotësimi i saj mes shumë hezitimesh nga Basha, janë në origjinë të gjithçkaje që po ndodh në PD tani, janë ngjarja mëmë që i ka lindur gjithë të tjerat: lëvizjen shpaguese të Berishës për shkarkimin e Bashës dhe marrjen e drejtimit të PD-së nga ai vetë apo një delfin i ri i tij, ndarjen e anëtarësisë në bashistë, berishistë dhe grupime të tjera më të vogla, ragbinë verbale mes tyre, tollovinë, amullinë, debatet aty ku ka debate.

Asgjë e re nuk do të ndodhte në PD nëse Departamenti i Shtetit nuk do të shpallte Berishën non gratta dhe nëse Basha do të kishte zgjedhur të sfidonte SHBA duke e futur partinë në kapsulë për t’i dëshmuar besnikërinë e një fansi të verbër mentorit të tij. Temat e demokracisë së brendshme në parti apo të peshës së faktorëve të brendshëm në rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit do të mbaheshin gjallë nga kritikët e njohur të Bashës, por jo nga Berisha me të tijtë. S’bëhet fjalë që Berisha do të zbriste në bazë për të tentuar përsëritjen e një gare të sapopërfunduar për zgjedhjen e kryetarit të partisë; s’bëhet fjalë të hapte thesin e akuzave kundër të përzgjedhurit të tij që para shtatëmbëdhjetë vjetësh. “Partia ka institucione statusore për trajtimin e ankesave”. Ky do të ishte refreni i qëndrimeve ndaj pretendimeve dhe ankesave të kundërshtarëve të Bashës në parti. Komode në pamje të parë, besnikëria prej shërbëtori e Bashës do të ishte boshe në prodhimin e efekteve pozitive. Sepse në rastin më të mirë, Berishen nga non grata mund ta çlirojë vetëm një amnisti politike nga Uashingtoni. Kjo lloj besnikërie do të ishte sakaq me pasoja negative tepër të rënda, pasi do të çonte në penalizimin amerikan të të gjithë PD-së, rrjedhimisht në shuarjen e çdo shpresë për forcimin, modernizimin dhe rikthimin e saj në pushtet. Në fakt, me vendimin që mori, Basha ka dëshmuar besnikërinë e tij ndaj synimit të PDsë për t’u rikthyer fituese, në pushtet. Njëherësh ndaj përcaktimit se PD është perëndimore-euroatlantiste.

Mund të mirëkuptohet shmangia e përmendjes me tepri të vendimit amerikan për Berishën, por sjellja sikur kjo ngjarje e ngjarjeve nuk ka ndodhur, përjashtimi i saj nga diskutimet, a thua nuk ekziston fare, e çon analizën në rrugë pa krye. Kjo, në rastin më të mirë. Në rastin me pak të mirë, prodhon një spekulim të madh ku gëlojnë gënjeshtrat, sajimet, konspiracioni.

SHBA nuk janë mjaftuar të marrin një vendim, të parashtrojnë një kërkesë dhe të bëjnë të qartë një paralajmërim nëse do të refuzoheshin. Ata kanë përshëndetur zyrtarisht vendimin e Bashës për largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar, kanë deklaruar zyrtarisht hapjen pas një detante shumëvjeçare të një periudhë të re të bashkëpunimit të ngushtë me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ditët e fundit, një delegacion i senatit amerikan i përbërë nga republikanë dhe demokratë bëri një vizitë në selinë blu. Të tjera sinjale të rikthimit të marrëdhënieve SHBA-PD në ditët më të mira ka pasur e vijon të ketë.

Ka njerëz që mendojnë dhe predikojnë se SHBA kaq kishin, nuk u intereson çfarë ndodh e do të ndodhë më tej në PD. Ka konspiracionistë tipikë që shkojnë më larg, duke e trajtuar kërkesën amerikane për Bashën si një skemë, si një intrigë për t’ia nxjerrë në pritë Berishës që ky ta heqë!! Ca të tjerë po qarkullojnë teorinë, sipas së cilës SHBA bëhen në fund më të fortin! Në këtë mënyrë e padisin dhe e justifikojnë si antiamerikane lëvizjen e Berishës dhe synojnë t’u japin gajret mbështetësve të saj. Këta nuk duhet të kenë frikë. Me të fituar Berisha, SHBA do të detyrohen të ulen me të, t’i harrojnë të gjitha, ta trajtojnë si partnerin e tyre e kështu me radhë. Sepse SHBA bëhen me të fortin. Fabrikuesit e kësaj klisheje mejhanesh vazhdojnë ta trajtojnë fuqinë më të madhe e më demokratike të botës si një katund, si një xhungël intrigash, pazaresh e kompromisesh të paskrupullta brigandësh.

SHBA nuk ndërhyjnë drejtpërsëdrejti në zhvillimet e brendshme të një partie. Do të ishte shumë për madhështinë e tyre. Ata nuk i mbajnë dorën kujt, nuk ndalojnë njerëzit të kenë mendimet e tyre, përkundrazi janë flamurtarët dhe mbrojtësit më të mëdhenj të lirisë së mendimit dhe shprehjes. Po ashtu, SHBA nuk ndalojnë askënd të çmendet në kuptimin politik të fjalës. Ata mbajnë qëndrime të qarta përmes së cilave çdo demokrat, çdo socialist, çdo shqiptar ka mundësi të krijojë një ide të qartë për politikën dhe pozicionin e tyre në Shqipëri, përherë në mbështetje të aspiratave të popullit shqiptar. Ata nuk bëjnë kompromis me interesat e tyre të sigurisë kombëtare, që janë interesat tona si Shqipëri dhe si komb gjithashtu, duke qenë se kanë shënjestruar si armiq të kësaj sigurie korrupsionin dhe krimin në sferat e larta, minimin e shtetit ligjor dhe demokracisë. Në reagim të thagmave që qarkullon makineria e spekulimeve, lajmeve të rreme apo marrisë konspiracioniste në Shqipëri, SHBA reaguan të premten përmes ambasadores Juri Kim, e cila citoi Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Biden, ku theksohet se përcaktimi “non grata” nuk i nënshtrohet negocimit. Më qartë se kaq!

Shumë qëndrime të tjera në dinamikë dëshmojnë se SHBA, përveçse do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me PD-në dhe kryetarin e saj Lulzim Basha, do të jenë më aktivë se kurrë, përkrah qytetarëve shqiptarë, për shkallmimin e pandëshkueshmërisë në sferat e larta që ka marrë peng demokracinë dhe zhvillimin në vendin e vogël aleat.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

© Panorama.al

Te lidhura