Sa i përkohshëm?

Dec 16, 2017 | 18:31
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Në një mendje që mandati i përfunduar i kryeprokurorit Adriatik Llalla nuk mund të shtyhet, të pamarrur vesh në asnjë pikë për procedurën dhe modalitetet e zgjedhjes së një kryeprokurori të përkohshëm. Kjo është fotografia e qëndrimeve të shumicës dhe opozitës për çështjen me të nxehtë politike të javës. Duke dëgjuar argumentet e secilës palë, të kujtohet një anekdotë e njohur me një të urtë që u thirr të zgjidhte një konflikt mes dy njerëzve. Pasi dëgjoi të parin, i dha të drejtë. Dëgjoi të dytin, i dha edhe atij të drejtë. U hodh një i tretë që po asistonte në këtë pleqëri: Nuk ka mundësi të kenë të drejtë edhe njëri, edhe tjetri! Edhe ti ke të drejtë, ia ktheu i urti.

Ka gjithnjë çështje ku e drejta shpërndahet në të dy krahët. Për të gjetur një zgjidhje të pëlqyeshme, në raste të tilla palët duhet të tregohen paksa të padrejta me veten e tyre duke bërë lëshime. Kjo konsiderohet shprehje e profesionalizmit të lartë në politikë.

Dëgjon demokratët që thonë se Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës, me veting dhe me tre të pestat e votave dhe thua me vete: Si mund të zgjidhet ndryshe, si mund të mos zbatohet Kushtetuta?!

Dëgjon socialistët që thonë se zgjidhja kushtetuese nuk mund të zbatohet, sepse nuk është krijuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por vendi nuk mund të lihet pa Kryeprokuror, prandaj zbatohet një dispozitë e ligjit organik për Prokurorinë, ku parashikohet zgjedhja e një prokurori të përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Vërtet! Karrigia e shefit të akuzës nuk mund të lihet bosh, thua me vete, dhe nëse dispozita e ligjit në fjalë është e saktë, ajo nuk është shkruar për të mos u zbatuar. Edhe pse mbetet pikëpyetja pse duhej reduktuar kuorumi për Kryeprokurorin e përkohshëm nga shumicë e cilësuar në shumicë të thjeshtë, pra nga tetëdhjetë e katër deputetë në më pak se shtatëdhjetë deputetë. Jo për gjë, por shqiptarët janë mjeshtër për të shkarë interesa personale dhe hilera në plasa të tilla të vogla. Gjithsesi, kjo është një pikëpyetje që nuk është ngritur kur është shkruar ligji.

Dëgjon demokratët që thonë se krijimi i KLP-së, që do ta fuste në procedurë kushtetuese zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, është vonuar me dashje nga qeveria e zotit Rama pikërisht për të zgjedhur ata me votat e tyre një kryeprokuror të kapur. Dëgjon edhe shembullin që nënvizojnë demokratët për të ilustruar këtë pretendim: Organizatat e shoqërisë civile nuk e kanë sjellë ende kandidatin apo përfaqësuesin e tyre në KLP. Kanë të drejtë demokratët. Dihet botërisht se organizatat e shoqërisë civile kanë qenë dhe janë në përgjithësi më afër PS-së. Ca më shumë kur kjo parti është në pushtet. Pra, qeveria jo që nuk i ka nxitur të shpejtojnë, por nuk përjashtohet fare të ketë bërë të kundërtën, pra t’i ketë frenuar pikërisht për të përfituar zgjedhjen e përkohshme me shumicë të thjeshtë në vend të zgjedhjes definitive me tre të pestat që nuk e kontrollon.

Dëgjon pastaj socialistët që numërojnë muajt e vonesës në implementimin e Reformës në Drejtësi, ku ata evidentojnë me përparësi muajt e protestës në çadër kur PD dhe opozita ndërprenë veprimtarinë parlamentare dhe thua: Po, kanë të drejtë! Demokratët kanë kuotën e tyre në kohën e humbur.

Dëgjon politikanë dhe analistë opozitarë që thonë si mund të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm pa veting, kur vetingu ka qenë kryefjala dhe kolona zanore e Reformës në Drejtësi. Dhe thua me vete: paradoks e më keq se paradoks.

Dëgjon politikanë dhe analistë të shumicës që thonë se vetingu, megjithëse është përpara kërkesave të tjera të reformës në zbatim, është vonuar gjithashtu për arsye të vonesës në tërësi të implementimit të reformës, por Prokurori i Përkohshëm do t’i nënshtrohet vetingut njëlloj si kryetari i Gjykatës së Lartë. Është një shpjegim që nuk mund ta kapësh për veshi apo për leckash, siç thotë një shprehje popullore.

Mund të vijojmë me të tjera qëndrime, ku secila palë ka të drejtë apo ku e drejta nuk është kurrë e gjitha në njërin krah. Në të vërtetë zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm po e dikton faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE. Opinioni i OPDAT-it dhe EURALIUS-it kanë përcaktuar kuadrin e procesit. Rama, ma merr mendja, nuk do të guxonte të merrte vetë një nismë të tillë.

Amerikanët në radhë të parë dhe gjermanët, pa nënvlerësuar rolin e vendeve të tjera të BE-së, janë bashkautorë të Reformës në Drejtësi, protagonistë të zbatimit të saj. Kjo kështu ka nisur e kështu do të vazhdojë deri në fund. Kjo reformë sui generis, siç e ka cilë- suar Komisioni i Venecias, pra e pashoqe në Europë, është konceptuar e tillë për të goditur pandëshkueshmërinë e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta si një rrezik shumë serioz për demokracinë në Shqipëri, por edhe për ekuilibrat gjeopolitikë në rajon e me gjerë. Kjo është reforma në të cilën klasa politike dhe sistemi gjyqësor shqiptar i paguajnë çmimin e dështimit të tyre për të vendosur sundimin e ligjit. Kjo reformë nuk bëhej pa ndërkombëtarët dhe as mund të zbatohet pa ta. E kemi argumentuar shpeshherë se angazhimi për këtë reformë qëndron në rendin e veprave të mëdha që SHBA ka bërë në histori për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Ndaj duhet t’u jemi vetëm mirënjohës dhe të mos u numërojmë thërrimet kur, në punë e sipër, ndonjëri prej tyre lë ndonjë të tillë. Të mos kujtojmë tjetër. Vetë çështjet e mëdha kundër narkotrafikut me lidhje qeveritare nuk do të mund të hapeshin pa angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë. A mund të imagjinohet që ndërkombëtarët, që po hapin me përparësi këto makroprocese, do të lejojnë zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm që vjen për t’i mbyllur ato? Kurrsesi. E kundërta është e vërtetë: hetimet do të jenë më intensive dhe gama e tyre do të rritet.

Në këto kushte, ndërsa duket e vështirë që procesi i zgjedhjes së Prokurorit të Përkohshëm të stopojë për të ndërtuar me urgjencë KLP-në, çfarë do të kënaqte ekzigjencat legjitime të opozitës, çështja që u vë kapak shqetësimeve, dyshimeve apo frikërave të ligjshme në qarkullim, mendoj se është përcaktimi sa më i qartë i kohëzgjatjes së qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përkohshëm. Me ketë afat nuk duhet të luhet: ta zgjedhim njëherë, pastaj të rrijë sa të rrijë. Jo. Sa më pak të rrijë, aq më mirë është. Opozita dhe opinioni publik janë në të drejtën e tyre të kenë një datë të qartë se kur do të kompozohet KLPja dhe kur do të zgjidhet Prokurori i ri sipas Kushtetutës. Parlamenti mund të shprehet e impenjohet publikisht për këtë. Nga shpejtësia në krijimin e KLP-së varen krijimi i SPAKut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që janë e reja e të rejave, ku prania dhe kontributi i partnerëve institucionalizohet si fuqi vepruese ekzekutive. Pra, sërish janë ndërkombëtarët që do të përshpejtojnë kohën e krijimit të KLPsë, për rrjedhim zvogëlimin e kohës së Prokurorit të Përgjithshëm. Edhe nëse zotërinjtë e qeverisë ushqejnë ndonjë shpresë të kundërt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura