Ruth Bader Gingsburg, ikonë e gjyqësorit amerikan

Sep 22, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI

xhezair-zaganjori

Pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë, të premten e kaluar u shua përgjithnjë në moshën 87-vjeçare Ruth Bader Gingsburg, anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, një nga zërat më të njohur e më të fuqishëm të mendimit juridik liberal dhe një nga ikonat e padiskutueshme të gjyqësorit amerikan. Puna dhe veprimtaria e shquar e saj si juriste dhe mbrojtëse e të drejtave politike e civile kanë lënë gjurmë të thella në të gjithë jetën politike e shoqërore të shoqërisë amerikane.

Ruth Bader Gingsburg lindi në vitin 1933 në Brooklin/Nju York nga prindër me origjinë çifute. Studimet bachelor i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954 në Universitetin Cornell të Nju Yorkut. Po këtë vit do të martohej me avokatin Martin Gingsburg, me të cilin do të kishin dy fëmijë, djalë e vajzë. Studimet për Drejtësi i filloi në Universitetin e Harvardit në vitin 1956 dhe do t’i përfundonte po me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Columbias në vitin 1959.

Fillimisht, në vitet 60’, do t’i përkushtohej jetës akademike, duke u bërë pedagoge e së Drejtës Civile në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Columbias, por shumë shpejt do të angazhohej edhe si avokate, si promovuese dhe luftëtare e vendosur e të drejtave të njeriut, veçanërisht e çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.

Në vitin 1972, ajo do të ishte bashkëthemeluese dhe një nga drejtueset kryesore të Projektit për të Drejtat e Grave, në kuadër të Unionit Amerikan të Lirive Civile. Aktivitetet dhe botimet e saj në këtë fushë do të ishin të shumta gjatë gjithë periudhës në vijim. Ndër të tjera, janë të njohura deklarimet e saj se “Ne si gra nuk kërkojmë favore në punë e në jetë për shkak të seksit, por kërkojmë thjesht që vëllezërit tanë ta heqin këmbën nga fyti ynë..”, ose “.. Gratë mund të jenë me të vërtetë të barabarta, nëse burrat do të ndajnë realisht me ato përgjegjësinë e formimit të shëndoshë të gjeneratave që vijnë…”.

Si avokate e shquar dhe përfaqësuese e Unionit Amerikan të Lirive Civile, ajo do të merrte pjesë në disa gjykime tepër të rëndësishme të Gjykatës së Lartë, duke ndikuar dukshëm e fituar shumicën prej tyre. Zëri i saj u bë i njohur e shumë i dashur për grupe e shtresa të ndryshme të popullsisë. Kështu për shembull, në çështjen Frontiero v. Richardson të vitit 1973, ajo arriti të bindë Gjykatën e Lartë se diskriminimi me ligj i grave ushtarake për sa u përket përfitimeve që duhet të marrin në kushte të caktuara familjarët e tyre, në një kohë që familjarët e burrave ushtarakë i marrin ato, bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Në çështjen Weinberger v. Wiesenfeld, shqyrtuar nga Gjykata e Lartë në vitin 1974, avokatja Gingsburg arriti të bindë trupin gjykues se çështjet e pabarazisë për shkak të seksit në politikat e sigurimit social janë antikushtetuese. Ajo theksoi me këtë rast se “…në një shoqëri demokratike, rëndësi vendimtare ka barazia…Diskriminimi është sëmundja e saj…”.

Po kështu, në çështjen Edwards v. Healy, shqyrtuar nga Gjykata e Lartë në vitin 1975, avokatja Ruth Gingsburg do të theksonte ndër të tjera se marrja e masave reale për ndalimin e diskriminimit të grave imponohet natyrshëm nga vetë dinjiteti njerëzor, i cili qëndron në themelet e çdo Kushtetute demokratike. Në vitin 1980, ish-Presidenti amerikan, Xhimi Karter, do të vinte publikisht në dukje se ka ardhur koha që në pozicione të rëndësishme të gjyqësorit amerikan të emëroheshin edhe gra dhe persona me ngjyrë.

Në kuadër të këtij zhvillimi spektakolar apo të kësaj risie revolucionarizuese, ndër të tjera, Presidenti amerikan do të emëronte po në këtë vit pedagogen dhe avokaten e shquar Gingsburg si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Distriktit të Columbias. Në vitin 1993, tashmë në moshën 60-vjeçare, Ruth Gingsburg do të emërohej nga ish-Presidenti amerikan Bill Klinton si anëtare e Gjykatës së Lartë të SHBA.

Presidenti Klinton kujton se nga intervistat që kishte bërë vetë personalisht me kandidatët e shumtë për këtë detyrë, shumë shpejt, brenda pak minutave, do të bindej që atë e meritonte plotësisht kandidatja Gingsburg. Në këtë mënyrë, Gingsburg do të bëhej gjyqtarja e dytë femër e emëruar në organin më të lartë gjyqësor të SHBA-së, Gjykatën e Lartë, që nga krijimi i saj në vitin 1789. Gjyqtarja e parë femër në Gjykatën e Lartë, e shquara Sandra Day O’conor, ishte emëruar tashmë në këtë detyrë tepër të rëndësishme që në vitin 1981 nga ish-Presidenti amerikan, Ronald Regan.

Zgjedhja si anëtare në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, natyrisht që do të shënonte njëkohësisht jo vetëm kulmin e karrierës si juriste të Ruth Gingsburg, por edhe një mundësi më shumë që ajo të shpaloste me kurajë bindjet e saj për të ndikuar sa më shumë në zbatimin sa më mirë e sa më korrekt të detyrimeve kushtetuese dhe mbrojtjen efektive të të drejtave njerëzore.

Ajo ishte shumë e qartë për këtë rol, ndaj u angazhua që në fillim me të gjitha energjitë, me dëshirë të madhe e pasion maksimal për të dhënë drejtësi të vërtetë për shtetin dhe për qytetarët. Pikërisht për këto arsye, ajo do të bëhej shpejt përfaqësuese e zërit apo grupit liberal të Gjykatës së Lartë, i cili ka tradicionalisht gjithnjë përballë tij grupin konservator.

Natyrisht, për shkak të mendimeve apo bindjeve të ndryshme për zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të vendit. Sepse në kuptimin kushtetues e njerëzor, ato janë një trupë e vetme me nëntë gjyqtarë, që përpiqen gjithnjë të bëjnë më të mirën për realizimin e detyrave që i ngarkon Kushtetuta.

Gingsburg theksonte shpesh se respektimi i njëritjetrit dhe i mendimit ndryshe në Gjykatën e Lartë janë mëse të domosdoshme jo vetëm për atmosferën e punës, por edhe për vetë dhënien e drejtësisë. Dhe shembulli më i mirë ishte miqësia e ngushtë dhe raportet e shkëlqyera që Gingsburg si përfaqësuese e grupit liberal kishte me përfaqësuesin e grupit konservator, gjyqtarin e shquar Antonin Skalia, si në Gjykatën e Lartë, ashtu edhe jashtë saj, deri në ndarjen e këtij të fundit nga jeta në shkurt të vitit 2016.

Gingsburg dinte të vlerësonte gjithashtu edhe paraardhësit e saj, por veçonte qartësisht në këtë drejtim veçanërisht gjyqtarin dhe ishkryetarin e katërt të Gjykatës së Lartë të SHBA-së, Xhon Marshall, për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin progresiv të jurisprudencës së këtij institucioni dhe rritjen e ndikimit të kësaj jurisprudence në shoqërinë amerikane.

Në këtë drejtim, ajo përmendte sidomos çështjen Marbury v. Madison të vitit 1803, përmes së cilës, për herë të parë u pranua mundësia e kontrollit gjyqësor të legjislacionit, gjë që revolucionarizoi raportet e Gjykatës së Lartë me dy pushtetet e tjera si dhe rriti përgjegjësinë, përgjegjshmërinë dhe autoritetin e saj kushtetues.

Tashmë ajo do të kishte të drejtën e mundësinë edhe të shfuqizimit të ligjeve të caktuara, duke i shpallur ato si në kundërshtim me Kushtetutën, gjë që ka ditur ta bëjë mjaft mirë deri në ditët e sotme, duke u bërë garante e pazëvendësueshme e shtetit të së drejtës dhe mbrojtëse efektive e të drejtave dhe lirive themelore. Sidoqoftë, Gingsburg do të përmendte se kjo formë e kontrollit kushtetues nga ana e Gjykatës së Lartë ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, veçanërisht në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur rrezikonte të komunistizohej gjerësisht jo vetëm Europa, por edhe vetë shoqëria amerikane.

Pa dyshim që vendimet e dhëna gjatë 27 viteve nga gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Ruth Gingsburg, si relatore apo anëtare e trupit gjykues, në shumicë apo pakicë, janë të shumta e të larmishme. Megjithatë, mes tyre shkurtimisht mund të përmendeshin: Çështja USA v. Virgjinias, shqyrtuar nga Gjykata e Lartë në vitin 1996, me relatore gjyqtaren Gingsburg. Në këtë vendim, Gjykata e Lartë shpalli si në kundërshtim me Kushtetutën (me Amendamentin 14 të Kushtetutës) të rregullimeve ligjore që kufizonin pranimin vetëm të meshkujve në Institutin e mirënjohur Ushtarak të Virgjinias.

Siç do të theksonin më vonë shumë ushtarakë, gratë do të fitonin në këtë gjykim, por ç’është më e rëndësishmja, me punën dhe angazhimin e tyre në nivele të ndryshme të ushtrisë amerikane, ato nuk do ta zhgënjenin aspak publikun e gjerë; Çështja Ledbetter v. Goodyear Tire.., gjykuar në Gjykatën e Lartë në vitin 2007, në të cilën shtrohet çështja e diskriminimit në punësim për shkak të racës dhe gjinisë.

Shumica konservatore do të arrinte në konkluzionin se në rastin konkret nuk jemi para diskriminimit. Megjithatë, Gingsburg argumenton të kundërtën në pakicë e mbi bazën e këtij arsyetimi, ligji do të ndryshohej më pas në Kongresin Amerikan. Ish-Presidenti Obama do ta cilësonte këtë ndryshim si një fitore të madhe për shoqërinë amerikane; Çështja Shelby Country v. Holder, gjykuar nga Gjykata e Lartë në vitin 2013, në të cilën bëhet fjalë për kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Aktit për të Drejtën e Zgjedhjeve të vitit 1965. Në këtë vendim, duke qenë në pakicë, Gingsburg argumenton se në thelb kemi të bëjmë me diskriminim racial…; Çështja Burwell v. Hobby Lobby, në të cilën Gingsburg në mendim pakice shprehet mbi cilësitë që duhet të kenë korporatat për t’u cilësuar si persona të aftë për të ushtruar lirinë e besimit fetar e të tjerë.

E rëndësishme është të theksohet se në kundërshtim me qëndrimet e mjaft kolegëve konservatorë, ajo mendonte gjithnjë se në kushtet e sotme është vështirë të kërkohet e të bëhet interpretimi origjinalist i dispozitave Kushtetuese. Sipas saj, kjo jo thjesht vetëm për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, por edhe për shkak të nevojës për ta parë ligjin themelor të shtetit si një instrument të gjallë, i cili përsoset e zhvillohet përmes interpretimit aktiv nga gjenerata në gjeneratë, në përputhje me zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe me nevojat dhe interesat jetësore të njerëzve.

Kjo e bënte atë të kishte një zë shumë të fuqishëm në Gjykatën e Lartë, si kur ishte në shumicë, ashtu edhe në pakicë. Pikërisht për këtë arsye, ajo mori nofkën popullore “RBG”, që përveçse shkurtimit të fjalëve të emrit të saj, nënkupton njëkohësisht edhe flamurin trengjyrësh (i kuq, i zi dhe i gjelbër) si simbol i qëndresës dhe karakterit të fortë të njerëzve me ngjyrë që luftojnë për liri dhe të drejta të barabarta.

Në këtë kuadër, duke folur posaçërisht për çështjet e barazisë gjinore, ajo theksonte se sot ka njerëz që mendojnë se të drejtat e grave janë të vetëkuptueshme, por harrojnë nga njëra anë se situata e pak dekadave më parë ka qenë krejtësisht ndryshe, dhe nga ana tjetër, nuk shohin qartë se edhe aktualisht ka mjaft probleme në jetën e përditshme në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, komunikimi me publikun kishte për Gingsburg-un një rëndësi e domethënie të madhe. Sepse drejtësia është në fund të fundit për njerëzit, të cilët duhet të dinë mendimet e qëndrimet e kupolës së drejtësisë, për të gjykuar vetë dhe për të marrë pjesë aktive në debatet publike. Pikërisht për këtë arsye, ajo ishte aktive përmes librave të shumtë, intervistave apo edhe mënyrave të tjera të shprehjes, mes të cilave padyshim që forma më interesante ishte ajo e ndryshimit sipas rastit të jakave të saj të bardha.

Fillimisht, ajo i përdori këto jaka për të sjellë risi në veshjen tradicionale me mantel të zi të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, por më vonë ajo i përdorte llojet e ndryshme të tyre për të shprehur në mënyrë simbolike edhe dakordësinë apo kundërshtinë e saj për zgjidhjen e çështjes apo domethënien e ceremonive, veprimeve apo aktiviteteve të këtij institucioni. Dhe publiku e dinte dhe i vlerësonte shumë ato.

Gjyqtarja e shquar, Ruth Gingsburg, u desh të përballej për një kohë të gjatë, që nga viti 1999, me sëmundjen e rëndë të kancerit. Por me një vullnet të paimagjinueshëm, përpjekje mbinjerëzore dhe angazhim maksimal, përveç detyrimeve të detyrës, megjithëse në moshën mbi 80-vjeçare, ajo bënte rregullisht thuajse çdo mbrëmje fizioterapi dhe sport në palestër me program individual. Dhe këtë e bënte jo thjesht si normalisht, si çdo njeri, ajo e donte dhe e vlerësonte shumë jetën, por në radhë të parë e mbi të gjitha, për të qenë e aftë për të punuar me të gjitha energjitë në përmbushjen e detyrës apo misionit të saj në Gjykatën e Lartë.

Pyetjes së një gazetari katër vjet më parë se përse ajo nuk mendonte tërheqjen nga kjo detyrë, për t’i lënë vendin një gjyqtari tjetër liberal, ajo do t’i përgjigjej se “… do të punoj për drejtësinë deri sa të kem mëndje dhe frymë …”. Sepse ajo e dashuronte profesionin dhe ishte ekstremisht e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme për detyrat e saj dhe idealet që përfaqësonte.

Synimi kryesor ishte të përcillte sa më mirë dhe sa më qartë frymën e lirisë së Kushtetutës amerikane te të gjithë njerëzit, pa përjashtim. Fizikisht ajo ishte e vogël në trup, por me një zemër të madhe, gjithnjë me një mendje të freskët dhe vizion të mahnitshëm. Një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte shembullore gjithashtu. Pasioni i saj në kohën e lirë ishte muzika operistike, të cilën e njihte mjaft mirë dhe e ndiqte rregullisht me familjen. Ajo thoshte se bukuria e muzikës të magjeps, të jep emocione pa fund dhe të bën të gjesh qetësinë e nevojshme për të punuar.

Ajo provoi gjithashtu të shkruante edhe libretin e operas “Princesha e Qytetit të Sëmurë”, e cila u prit mjaft mirë nga publiku. Për figurën dhe kontributin e shquar të gjyqtares Ruth Gingsburg janë shprehur këto ditë personalitete të larta të jetës politike e shoqërore në SHBA.

Presidenti Trump e cilësoi atë “një gjigande të së drejtës, e cila do të mbahet mend gjatë për mendjen e saj brilante dhe mendimet e fuqishme në pakicë. Mendimet e saj, përfshi vendimet e mirënjohura për barazinë në ligj të grave e invalidëve, kanë frymëzuar të gjithë amerikanët”.

Ish-Presidenti Xhimi Karter e cilësoi si “ … një grua me të vërtetë të madhe, e cila më ka bërë gjithnjë krenar që e emërova si gjyqtare apeli në vitin 1980”. IshPresidenti Xhorxh W. Bush do ta cilësonte si “ … frymëzuesen më të madhe të një gjenerate të tërë të grave dhe vajzave të SHBA-së”.

Ish kandidatja për Presidente të SHBA-së dhe ish-Senatorja dhe Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, theksoi se “gjyqtarja Ruth Bader Gingsburg hapi realisht për shumë gra rrugën e realizimit të ëndrrave, përfshi edhe mua. Kurrë nuk do të gjendet një tjetër si ajo. Faleminderit RBG”.

Kandidati për President në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti, Biden, e cilësoi vdekjen e Gingsburg-ut si “… një lajm shumë të keq…”. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts, do të shprehej se “… me vdekjen e gjyqtares Gingsburg, kombi amerikan humbi një juriste të një stature historike” e të tjerë. Ndërkaq, flamuri kombëtar në Shtëpinë e Bardhë dhe në Gjykatën e Lartë të SHBA-së është ngritur në gjysmë shtizë, ndërsa varrimi është planifikuar të bëhet në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.

Ende pa u bërë varrimi, vdekja e gjyqtares Gingsburg ka ndezur një debat të zjarrtë politik në SHBA ndërmjet përfaqësuesve të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, të cilat, në një farë mënyre, në Gjykatën e Lartë përfaqësohen jozyrtarisht dhe respektivisht nga të ashtuquajturit grup konservator dhe grup liberal.

Kjo vjen për shkak të autoritetit, kompetencave të gjera dhe rolit të jashtëzakonshëm që ka Gjykata e Lartë në të gjithë jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të SHBA-së. Ajo është njëkohësisht edhe Gjykatë e Lartë Federale dhe Gjykatë Kushtetuese, duke pasur mundësinë dhe fuqinë e anulimit jo vetëm të ligjeve, por edhe të akteve të tjera të institucioneve qendrore të shtetit që vlerësohen prej saj si antikushtetuese. Sipas paragrafit 2 të seksionit 2 të nenit 2 të Kushtetutës së SHBA-së, të drejtën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë e ka Presidenti i Republikës, pasi merr më parë pëlqimin e Senatit.

Ky emërim ka rëndësi të madhe, sepse ndikon dukshëm në filozofinë e punës së Gjykatës së Lartë si institucion, pasi i emëruari mund të qëndrojë në këtë detyrë gjatë gjithë jetës, deri në vdekjen e tij. Ndaj, normalisht, gjyqtarët e emëruar në Gjykatën e Lartë e ushtrojnë këtë detyrë për rreth 30 vjet me radhë.

Raporti ndërmjet konservatorëve dhe liberalëve në Gjykatën e Lartë ishte 5 me 4 në favor te konservatoreve. Kjo edhe për shkakun se si rrallë ndonjëherë, Presidenti Trump kishte mundësinë të emëronte brenda mandatit të tij dy gjyqtarë të kësaj gjykate, respektivisht gjyqtarin Neil Gorsuch në vitin 2017 dhe gjyqtarin Brett Kavanaugh në vitin 2018.

Tani mund të ketë mundësinë rekord të emërimit të tretë. Emërimi në këtë detyrë i një gjyqtari tjetër konservator do ta bënte këtë raport 6 me 3, gjë që do të dobësonte edhe politikisht demokratët, aq më tepër që në një periudhë jo të largët, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë çështje të tilla të rëndësishme e sensitive për shoqërinë amerikane, si e drejta dhe kriteret e mbajtjes së armëve të zjarrit, çështje të migracionit dhe refugjatëve, çështje të barazisë dhe ndalimit të diskriminimit, çështjen e dëbimit të të huajve e të tjera.

Përveç sa më sipër, mendohet se me këtë shumicë, konservatorët mund të arrijnë të ndryshojnë vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës së Lartë edhe për çështje shumë të diskutueshme, siç është rasti i çështjes së njohur “Roe & Wade” të shqyrtuar në vitin 1973, përmes së cilës rregullohen problemet e abortit, çështjet lidhur me martesën e personave të të njëjtit seks e të tjera.

Në këto kushte, demokratët insistojnë se zëvendësimi i gjyqtares Gingsburg në Gjykatën e Lartë duhet të bëhet pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit 2020. Kandidati demokrat për President, Biden, theksoi se duhet pritur në mënyrë që Presidenti që do të zgjidhet në nëntor të ketë mundësinë për të bërë emërimin e duhur.

Demokratët sjellin si argument gjithashtu faktin që në vitin 2016, Senati amerikan bllokoi propozimin e Presidentit Obama për të emëruar në Gjykatën e Lartë gjyqtarin liberal Merrik Garland, i cili duhej të zëvendësonte gjyqtarin konservator Skalia, i cili kishte ndërruar jetë në shkurt të atij viti (2016).

Republikanët, nga ana tjetër, theksojnë se ato kanë detyrimin të zbatojnë urdhërimet kushtetuese për të plotësuar sa më parë vendin vakant në Gjykatën e Lartë. Ata vënë në dukje se situata e tanishme ndryshon nga ajo e vitit 2016, pasi Presidenti është republikan dhe në Senat shumica është po ashtu republikane, pavarësisht se me një diferencë relativisht të vogël (53 me 47).

Presidenti Trump avancoi edhe më shumë në idenë e tij, duke theksuar se emërimi do të bëhet shumë shpejt dhe se ideja është që zëvendësues të jetë sërish një gjyqtare femër. Me këtë rast ai përmendi konkretisht gjithashtu se në këtë detyrë mund të ishin shumë mirë gjyqtaret konservatore Amy Coney Barrett (48 vjeç) ose Barbara Lagoa (52 vjeç), të emëruara prej tij në vitin 2019 respektivisht në Gjykatën e Apelit në Çikago dhe në Gjykatën e Lartë të Floridas.

E veçanta është se zonja Barrett konsiderohet si një katolike e devotshme, është nënë e shtatë fëmijëve dhe ka mendimin që jeta njerëzore fillon me konceptimin e fëmijës dhe jo me lindjen e tij. Zonja Lagoa është gjithashtu katolike dhe ka origjinë kubaneze. Prindërit e saj u shpërngulën në SHBA pas ardhjes se Fidel Kastros në pushtet në vitin 1952. Është nënë e tri fëmijëve dhe është e para gjyqtare me origjinë hispanike ne Gjykatën e Lartë të Floridas.

Së fundi, dua të shtoj se kam pasur fatin dhe privilegjin e madh të takohem dy herë në Gjykatën e Lartë të SHBA-së me gjyqtaren e shquar Ruth Bader Gingsburg, respektivisht në vitin 2008 dhe në vitin 2013. Ishte me të vërtetë një mëndje shumë e ndritur dhe personalitet i dimensioneve të mëdha. Nuk dua të spekuloj për të përshkuar përshtypjet e jashtëzakonshme që më ka lënë veçanërisht biseda gjatë drekës në këtë Gjykatë me datë 8 tetor të vitit 2013, por mbase mund të më lejohet të përmend përshtypjet tepër pozitive që kishte për shqiptarët, veçanërisht për strehimin dhe ndihmën e dhënë hebrenjve të shumtë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura