Rusishten, Merkeli e di. I duhet të mësojë “Trumpishten”

Jan 24, 2017 | 18:19
SHPËRNDAJE

A është kjo një gjë për të cilën duhet të shqetësohemi vërtetë? A do ta frenojnë Trumpin këshilltarët e tij? A do e zbusë zyra? A e di, apo e kupton ai, atë që thotë? Në fund, gjermania që duhet ta gjejë këtë është Znj. Merkel. Ajo është në një pozicion për të mos u patur zili. Pikërisht atëherë kur mendoi se ia kish dalë që të përmbante udhëheqësin narcizist në Lindje, ambiciet e të cilit kapërcenin edhe dijet e tij, ajo gjendet përballë një tjetri në Perëndim. Rusishten ajo e di. Trumpishtja i duhet ende ta mësojë

Screen-Shot-2017-01-24-at-14.18.55

Jochen Bittner

Më e mira që mund të thuash këto ditë për marrëdhëniet gjermano-amerikane, është se për momentin, ato janë të humbura rrezikshëm në përkthim. Javën që kaloi, Donald J. Trump dha një intervistë për tabloidin gjerman Bild, dhe njerëzit këtu ende po përpiqen të kuptojnë se çfarë ai donte të thoshte. Ne jemi mësuar me udhëheqës amerikanë që flasin troç, dhe me qëllim, për audiencat ndërkombëtare; Z. Trump po fliste… Trumpisht.

Për shembull, marrim përgjigjen e tij kur u pyet nëse kishte diçka tipike gjermane rreth tij: “Më pëlqen rregulli”. Edhe ne. Por komentet e tij të tjera, ishin çdo gjë, përveçse të rregull-ta. Ai tha se ka respekt të madh për Kancelaren Angela Merkel, dhe e ka quajtur politikën e saj mbi refugjatët si një “gabim katastrofik”. Ai mendon që NATO është edhe “e vjetëruar” edhe “e rëndësishme”. Ai deklaroi se është mik i tregtisë së lirë, që dëshiron të vendosë një taksë prej 35% mbi makinat gjermane të importuara në SHBA.

E vetmja gjë që kish pakëz rregull në deklaratat e tij ishte mbi Bashkimin Europian: Trumpi e quajti Brexitin një “gjë shumë të mirë” dhe pakëz me entuziasëm, parashikoi se edhe vende të tjerë do të dalin nga unioni.

Kur Merkeli dëgjoi këtë, ngriti supet. Fati i Europës “është në duart tona”, tha ajo. Ajo e bëri të qartë se do të presë të takojë Trumpin si president, përpara se të arrijë në konkluzione për drejtimin që ka marrë Amerika. Ruaj qetësinë dhe vazhdo debato: kjo mund të jetë qasja e duhur me një president, kompetencat e të cilit janë në përpjestim të zhdrejtë me dijet e tij për botën.

Por nëse Merkeli është plot vetëbesim, shumë prej ne të tjerëve jemi ende të pasigurtë se si të bëjmë me Trumpin. Nga njëra anë, ai mund të ofrojë një korrigjim për verbërinë operacionale të elitave europiane, kur vjen fjala tek globalizimi – “ose zgjerimi i tepruar kozmopolit”, si e ka quajtur sociologu holandez Ruud Koopmans. Për aq sa ashpërsia e Trumpit ka efekte rifreskuese në debatet publike në Amerikë, kjo gjë mund të ndihet që tani, edhe në debatet në Europë. Budallenjtë klasikë të Shekspirit ishin folës të hershëm të Trumpishtes, që përmblidhnin absurditetet e aktorëve kryesorë të masave.

Ndoshta. Por nga ana tjetër, budallallëku i Trumpit do të shkaktojë dëme të mëdha nëse ai nuk e mëson shpejt rolin e tij udhëheqës. Ashtu si presidenti i ri nuk e di se sa shtete anëtare ka NATO, është e qartë se ai shumë pak e ka idenë në lidhje me ankthin që deklaratat e tij të shpenguara shkaktojnë në Europën qendrore dhe lindore. Ai përdor të njëjtat fjalë me gazetarët europianë, që përdorte edhe në mitingjet e fushatës në Ohio: për disa një cilësi e admirueshme, për të tjerë, një shenjë e injorancës së thellë.

Fakti që të njëjtat fjalë mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm – sidomos në vende të ndryshme me kultura të ndryshme – është pjesë e Diplomacisë 101, dhe diçka që njerëzit e presin edhe prej politikanëve rishtarë.

Për shembull, ndërkohë që “e vjetëruar” mund të nënkuptojë “jashtë kohe” në Amerikë, në Gjermani nënkupton “krejt e panevojshme”. A donte vërtetë Trumpi të thoshte këtë gjë në lidhje me NATO-n? Nëse ai ka një problem me barrën e padrejtë që ndan brenda aleancës dhe performancën e saj kundër Shtetit Islamik, kjo është një gjë për të cilën mund të flasim. Por nëse ai nuk e kupton plotësisht vlerën e Perëndimit të lirë që NATO e mbron, dhe nëse mendon që t’i japë Vladimir Putinit të Rusisë një sferë autoritare të influencës, kjo është një gjë që kërkon një reagim krejt tjetër.

Sigurisht, ne dëgjojmë gjithashtu nga mbshtetësit e tij se Trumpi nuk nënkupton gjithmonë atë që thotë, se deklaratat e tij specifike në lidhje me NATO-n apo Rusinë duhet të merren me një “sasi të madhe kripe”. Por vënia qëllimisht në dyshim e rendit botëror të pasluftës është një hap që nuk duhet marrë lehtë. Nëse e kemi lexuar keq Trumpishten këtu, presidenti i ri duhet të tregohet i sjellshëm e të na e saktësojë.

Ndoshta edhe më shqetësuese për ne, në afatshkurtër, janë komentet e tij mbi tregtinë. A do vërtetë Trumpi një luftë tregtare me Gjermaninë? Kërcënimi i tij për të vendosur tarifa ndëshkuese mbi importet e makinave nëse prodhuesit ndërtojnë fabrika në Meksikë dhe jo SHBA, ka shkaktuar alarm në shumë biznese gjermane.

Sigurisht, është e vërtetë se Gjermania gëzon një tepricë tregtare shumë të madhe me SHBA, sidomos në industrinë e makinave. Ndërkohë që Gjermania dërgoi makina dhe pjesë makinash me vlerë 45 miliardë dollarë vitin që kaloi në SHBA, kompanitë amerikane eksportuan vetëm 15 miliardë dollarë të të njëjtëve lloj produktesh në Gjermani. Por Gjermania është kokëfortë për rregullat tregtare; ky nuk është një rast i dikujt që përpiqet të bëjë me hile ndaj sistemit – gjë që është edhe arsyeja përse presidentët e mëparshëm e kanë lënë jashtë debateve tregtare.

Në vend të tarifave, mënyra më e mirë për amerikanët që të ndryshojnë mosbalancimin tregtar do të ishte, sipas fjalëve të zëvendës kancelarit Sigmar Gabriel, “të ndërtojnë makina më të mira”. Në fund të fundit, nuk është një zgjedhje e largët: Teslat e ndërtuara në Amerikë janë bërë makinat elektrike më të shitura në Gjermani, duke lënë pas modelet e BMW dhe Mercedesit.

Nëse Trumpi dëshiron të pengojë gjiganë në rritje të eksportit si Tesla, ai duhet të vendosë tarifa, dhe qeveria gjermane do të përgjigjet njësoj. Një lëvizje e tillë e Trumpit do të ishte edhe më kundërproduktive, po të kemi parasysh që BMW, Daimler dhe Volkswagen investojnë tashmë fuqishëm në prodhimin në SHBA; dëmtoji apo frikësoji ato kompani, dhe do të dëmtosh edhe punëtorët amerikanë.

A është kjo një gjë për të cilën duhet të shqetësohemi vërtetë? A do ta frenojnë Trumpin këshilltarët e tij? A do e zbusë zyra? A e di, apo e kupton ai, atë që thotë?

Në fund, gjermania që duhet ta gjejë këtë është Znj. Merkel. Ajo është në një pozicion për të mos u patur zili. Pikërisht atëherë kur mendoi se ia kish dalë që të përmbante udhëheqësin narcizist në Lindje, ambiciet e të cilit kapërcenin edhe dijet e tij, ajo gjendet përballë një tjetri në Perëndim. Rusishten ajo e di. Trumpishtja i duhet ende ta mësojë.

JOCHEN BITTNER është redaktor politik i të përjavshmes gjermane “Die Zeit” / NYT- Bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura