“Rusia u kthye nga një Kinë e vogël, në një Iran të madh”/ Ish-ministri i Jashtëm analizon luftën në Ukrainë: Do shoqërohet me pasoja serioze globale

Nov 25, 2022 | 20:26
SHPËRNDAJE

Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka publikuar podcast-in e radhës në të cilin analizon efektet e luftës 9 muaj që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

ditmirbushati

Ai flet për realititetin e ri gjeopolitik për peisazhin e ndryshuar të sigurisë dhe pasojat e kësaj lufte për rajonin tonë.

Bushati: Nëntë muaj luftë dhe një situatë të përshkallëzuar në aspektin humanitar, atë të sigurisë dhe politikës janë dëshmi e qartë e një peizazhi krejtësisht të ndryshuar të mjedisit të sigurisë, ku përballë njëra-tjetrës janë anarkia dhe nevoja për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Deri dje ishim mësuar me një rend ndërkombëtar që funksiononte sipas devizës “Kurrë më”. Kurrë më nuk do të kishte gjenocide dhe krime lufte, kurrë më kombe më të mëdha nuk do fshinin nga harta kombe më të vogla. Pak kush do e mendonte këtë luftë në Europën e vitit 2022 pas luftrave të përgjaksyhme në Jugosllavi.

Vështirë ta rrokte imagjinata një tjetër eksod biblik në Europë si ai që ndodhi në Ukrainë. Pas luftës së ftohtë u bëmë dëshmitar të një përplasje mes vlerave liberale në njërën anë, dhe nacionalizmit në anën tjetër. Besimi në në histori na ushqeu bindjen tek triumfi i vlerave demokratike. Mirëpo populli ukrainas dhe lufta e tij po na tregon se këto dy koncepte mund të bashkëjetojnë. Ukrainasit po tregojnë se është e mundur të jesh patriot dhe të besosh në një shoqëri të hapur demokratike.

Kjo luftë, thotë ai, ka prodhuar edhe një realitet të ri gjeopolitik, “Rusia është pothuajse e izoluar diplomatikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht nga bota e zhvilluar. Kjo është hera e parë që i ndodh një ekonomie të pasluftës, pjesë e G-20”.

Sipas Bushatit, në raport me NATO-n, Rusia ndjehet e befasuar, pasi prej kohësh përpiqej t’i vendoste shtetet e Aleancës kundër njeri-tjetrit duke rrëmuar në diferencat mes tyre.  Në të njëjtën kohë, edhe BE-ja i dha fund një strategjie të zbatuar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, sipas të cilës “paqja mund të vij përmes ekonomisë, dhe veçanërisht përmes tregtisë së energjisë”.

Bushati: Ndryshimi i objektivave në terren nga ato fillestare, thellimi i shkeljeve të normave të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, tregojnë se Rusia është në pozicion më të vështirë tani, se sa përpara pushtimit të Ukrainës. Rusia është kthyer nga një Kinë e vogël, në një Iran të madh. Është një ndryshim i jashtëzakonshëm, i paprecedent dhe që do të shoqërohet me pasoja serioze globale. Partneriteti strategjik mes Kinës dhe Rusisë, i cili para luftës ishte sfidues për SHBA-në dhe perëndimin. Rusia ndihej “ngushtë” në oborrin e shtëpisë së saj në Euroazi dhe Europën Lindore.

Po ashtu Kina në Azinë Lindore dhe Juglindore dhe në indo-paqësor. Të dyja synonin uishtrimin e influencës së tyre përtej kësaj gjeografie. Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë e ndryshoi ekuacionin. Rusia është pothuajse e izoluar diplomatikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht nga e gjithë bota e zhvilluar. Kjo është hera e parë që i ndodh një shteti të pas luftës që është pjesë e G20. Asetet e Rusisë janë ngrirë, qytetarët më të fuqishëm të saj janë shpallur non-grata dhe i janë vendosur një sërë sanksionesh për të siguruar që biznesi rus të mos jetë i mirëpritur.

Prodhimi rus ka marrë një goditje. Një pjesë e aftësisë ushtarake të Rusisë është konsumuar. Në raport me NATO-n, Rusia mbeti e befasuar pasi prej kohësh përpiqej t’i vendoste shtetet e aleancës kundër  njëri-tjetrit. NATO u tregua e gatshme të dislokojë trupa shtesë në shtetet baltike.

Sipas Bushatit, rendi ndërkombëtar është sfiduar ndërkohë që, “Ukrainasit po tregojnë se është e mundur të jesh patriot dhe të besosh në një shoqëri të hapur e demokratike”.

Duke analizuar luftën dhe efektin e saj në rajonin tonë, Bushati thotë se “Lufta në Ukrainë ka pasoja të rëndësishme që mund të ndikojnë në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura