Rusia po shtyhet drejt një falimentimi historik për shkak të sanksioneve

Jun 28, 2022 | 11:37
SHPËRNDAJE

Rusia nuk arriti të paguajë obligacionet e saj ndërkombëtare për herë të parë në më shumë se një shekull, tha Shtëpia e Bardhë, pasi sanksionet gjithëpërfshirëse e kanë shkëputur vendin në mënyrë efektive nga sistemi financiar global, duke i bërë asetet e saj të paprekshme.

gazi-rusia-serbia-780x439

Kremlini, i cili ka para për të bërë pagesa falë të ardhurave nga nafta dhe gazi, i hodhi poshtë me shpejtësi pretendimet dhe e ka akuzuar Perëndimin se e ka çuar atë drejt një falimentimi artificial.

Më herët, disa zotërues të obligacioneve thanë se nuk kishin marrë pagesat e interesit të vonuar të hënën, pas shkeljes së një afati të rëndësishëm të pagesave që duheshin bërë të dielën.

Rusia është përpjekur që të vazhdojë pagesat e saj për 40 miliardë dollarë obligacione të papaguara që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

“Lajmet rreth zbulimit të pamundësisë së Rusisë për të paguar borxhet e saj, për herë të parë në më shumë se një shekull, tregojnë se sa të forta janë veprimet që SHBA-ja ka ndërmarrë së bashku me aleatët dhe partnerët, si dhe sa dramatik ka qenë ndikimi i tyre në ekonominë e Rusisë”, tha zyrtari amerikan gjatë samitit të G7 në Gjermani.

Përpjekjet e Rusisë për të shmangur atë që do të ishte mospagimi i parë i rëndësishëm i obligacioneve ndërkombëtare që nga revolucioni bolshevik më shumë se një shekull më parë, hasën në vështirësi në fund të majit, kur Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin e Thesarit të SHBA-së efektivisht e bllokoi Moskën nga kryerja e pagesave.

“Që nga marsi, ne menduam se falimentimi i Rusisë do të ishte i pashmangshëm dhe pyetja ishte pikërisht se kur do të ndodhte kjo,” tha Dennis Hranitzky, kreu i çështjeve gjyqësore sovrane në firmën ligjore Quinn Emanuel.

Pamundësia formale për të paguar borxhet e saj do të kishte një rëndësi kryesisht simbolike, duke qenë se Rusia nuk mund të marrë hua ndërkombëtarisht për momentin dhe as nuk ka nevojë për ta bërë këtë, falë të ardhurave të shumta nga eksporti i naftës dhe i gazit. Por, kjo njollë ndoshta mund të rrisë kostot e saj të huamarrjes në të ardhmen.

Pagesat në fjalë i referohen rreth 100 milionë dollarëve interes për dy obligacione, një në dollarë amerikanë dhe një tjetër në euro, që Rusia duhej t’i paguante më 27 maj. Pagesat kishin një periudhë faljeje (“grace period”) prej 30 ditësh, e cila përfundoi të dielën.

Ministria e financave e Rusisë tha se i kishte bërë pagesat në Depozitën e saj Kombëtare të Shlyerjeve në monedhat euro dhe dollarë, duke shtuar se kishte përmbushur detyrimet.

Në një telefonatë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se fakti që pagesat ishin bllokuar nga Euroclear për shkak të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë “nuk është problemi ynë”.

Disa zotërues të obligacioneve nga Tajvani raportuan për Reuters se nuk i kishin marrë pagesat ditën e hënë.

Megjithëse nuk ka një afat të saktë të specifikuar, avokatët thonë se Rusia mund të ketë kohë deri në fund të ditës së ardhshme të punës për të paguar këta mbajtës të obligacioneve.

Agjencitë e vlerësimit të kredisë zakonisht ulin zyrtarisht vlerësimin e kredisë së një vendi për të reflektuar mospagimin e obligacioneve, por kjo nuk vlen në rastin e Rusisë pasi shumica e agjencive nuk e rendisin më këtë vend në vlerësimet e tyre./ Reuters-MONITOR

© Panorama.al

Te lidhura