Rusia ngjall frikë, pas dy avionëve MIG sjell armatim të rëndë në Serbi

Oct 5, 2017 | 7:47
SHPËRNDAJE

E frikësuar prej ndikimit të NATO-s dhe BE-së, Rusia bëri këtë javë dërgesën e parë të premtuar, të avionëve luftarakë në Serbi, ndërsa më shumë automjete ushtarake dhe mbrojtje kundër-ajrore pritet t’i dërgohen aleatit të vjetër rus në të ardhmen e afërt, teksa në Ballkan tensionet sa vijnë e rriten, sipas Associated Press.

avione

Rusët dërguan dy avionë MiG-29, të cilët u çmontuan dhe u transportuan në një aeroplan transporti, teksa katër të tjerë pritet të mbërrijnë deri më 20 tetor, në kohën e vizitës së ministrit rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Rusia ofroi avionët me dy motorë, në gjendje të arrijnë shpejtësi maksimale prej më shumë se 1.400 milje në orë dhe që fillimisht debutuan në kulmin e Luftës së Ftohtë në vitet 1970, pa pagesë, megjithëse kostoja e Serbisë për rregullimin dhe modernizimin e avionëve mund të shkojë rreth 236 milionë dollarë.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë tonë”, tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Marrëveshjet e armëve, të cilat aktualisht përfshijnë bisedime për të siguruar sistemin e raketave tokë-ajër S-300 të Rusisë, të lëvizshme dhe në gjendje të godasin në rreze të gjata, konsiderohen si një mënyrë për Rusinë, që ta mbajë Serbinë brenda sferës së saj të influencës dhe të krijojë distancë, midis vendit ballkanik dhe NATO-s dhe BE-së.

Afrimi me Rusinë për qëllime të mbrojtjes, pas viteve të tëra luftë me fqinjët Kroacinë, Bosnjen dhe Kosovën në vitet 1990, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, mund të vërë në provë Serbinë, pasi shumë serbë mbeten skeptikë për t’u bashkuar me BE.

Serbia nuk është anëtare e plotë e NATO-s, por ka qenë pjesëmarrëse aktive në programin jo-ushtarak Partneritet për Paqe të organizatës, që nga firmosja në dhjetor 2006.

Por Serbia është në negociata për t’u futur në BE – një aleancë ekonomike pra, ndryshe nga NATO-ja – me bisedimet që pritet të finalizohen deri në vitin 2019. Beogradi mori mbështetje të martën nga kryeministrat e tre vendeve të BE, Bullgari, Greqi dhe Rumani.

“Të gjithë e dimë se vendi i natyrshëm i Serbisë është në Bashkimin Evropian”, tha Kryeministri bullgar Bojko Borisov.

Marrëdhëniet me BE-në, megjithatë, nuk janë më të mirat për momentin. Vuçiç shprehu zhgënjim të martën mbi vendimin e BE për të mos njohur referendumin e pavarësisë të Katalonjës – një përpjekje e fundit për t’u larguar nga Spanja – ndërkohë që po BE, mbështeti shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 2008.

“Kosova fitoi pavarësinë pa mbajtjen e referendumit, por Katalonja … nuk mund të marrë diçka të tillë”, tha Vuçiç. “Nganjëherë, ne, serbët, pyesim veten pse duhet të jemi viktimë e standardeve të dyfishta?” / Newsweek – Bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura