Rusia, makinë lufte apo ka më shumë histori

Jun 30, 2022 | 7:00
SHPËRNDAJE

rus-960x509

KANAN HIMAJ

Rusia e sotme tërheq vëmendjen për pjesëmarrjen në rritje të të rinjve në luftë dhe në stërvitje ushtarake. Aq e dukshme është kjo dukuri, saqë kanë filluar ta vlerësojnë edhe studiuesit vendas, ata që operojnë jashtë institucioneve zyrtare.

Prania gjithnjë e më e madhe e rinisë nën armë, sjell natyrshëm pyetjen: A është vërtet Rusia makinë lufte apo ka më shumë histori? Moska e kohëve moderne vazhdon ta përdorë historinë e Rusisë, si një mjet të politikës së sigurisë, duke iu kundërvënë me të sa Perëndimit dhe opozitës në vend.

Nuk është e rastit që Kodi Penal aty e cilëson të paligjshme publikimin e materialeve që shprehin “mungesë respekti për shoqërinë dhe Ditët e Lavdisë Ushtarake në lidhje me mbrojtjen e Atdheut”. Lufta në Ukrainë është një tjetër demonstrim i këtij dualizmi midis lavdisë dhe luftës. Hedhja në skalon të parë të këtij konflikti të përgjakshëm e brezit të ri, duke filluar madje që nga adoleshentët, ka për synim të tregojë krenarinë e hershme të “kombit vital” që gjithnjë vetëm ‘triumfon’.

Është ky thelbi i filozofisë militariste të Moskës, e cila të tilla nuanca i ka shfaqur në të gjitha kohërat dhe mbi këtë bazë ka çuar tërë doktrinën e saj. Qëllimi është i dyfishtë: Të krijojë midis qytetarëve, veçanërisht të rinjve, një bazë solide idesh për të kaluarën e vendit dhe t’u kundërpërgjigjet kundërshtarëve e nihilistë me të vërtetat e pavërteta të historisë ruse. Pra, me falsifikimin dhe mitizimin e saj. Për këtë arsye forcat e armatosura i shikojnë perceptimet e sigurisë së brendshme, si mburojë jo vetëm kundër kërcënimeve ushtarake, por edhe kundër operacioneve psikologjike.

Dy janë armët kryesore që posedon sot ushtria ruse: Ajo për operacione dhe mbrojtje dhe lavda për qëllim ndërtimi të identitetit dhe kohezionit social. E vërteta është se ushtria ruse ka shërbyer si një spirancë identiteti për një komb të trazuar. Ajo u mbajt brenda Ministrisë së Mbrojtjes, si bazë e promovimit të ideve të vjetra të traditave ushtarake, vlerave konservatore të shoqërisë dhe rëndësisë (nderit) të shërbimit ushtarak. Humbjet e shumta në Ukrainë e bindin dita-ditës Moskën se pavarësisht epërsisë, kjo doktrinë nuk u përket kohëve moderne dhe nuk është e mjaftueshme për të mbajtur në këmbë krenarinë e dikurshme të ushtrisë sovjetike.

I përfshirë prej kohësh në një krizë të thellë sociale, shteti është përpjekur ta kërkojë strehimin në traditën militariste. Në fund të epokës së Jelcinit, dekretet presidenciale mbështetën edukimin patriotik dhe u institucionalizuan iniciativat e një programi shtetëror të edukimit patriotik. Vetë Duma ruse artikuloi me theks të veçantë rëndësinë e kësaj ringjallje të patriotizmi ushtarak.

Me futjen në skenën politike, Putini i ardhur nga shërbimet e fshehta, e vlerësoi si prioritar programin shtetëror të edukimit patriotik, i ndjekur nga një “koncept” zyrtar. Programet shtetërore jo vetëm që vijuan, por u zgjeruan më tej, ndërkohë që paradat ushtarake e shtuan madhësinë e tyre dhe shteti mori një pozicion aktiv dhe konfrontuar në kujtesë politikë. Përballë stanjacionit ekonomik, strategët e Kremlinit morën kthesë populiste duke e zhvendosur bazën e legjitimitetit larg nga klasa e mesme urbane me mendje më konservatore në periferi.

Traditat militariste u fokusuan në platforma shtetërore dhe ligjore për të kooptuar e zgjeruar nismat patriotike ushtarake. Udhëheqja politike e ktheu ushtrinë në thelbin e identitetit të politikës zyrtare dhe patriotizmin ushtarak një strategji legjitimimi. Rreth vitit 2016 u realizuan disa projekte të reja si Parku Patriot, i cili më vonë u kurorëzua me katedralen e madhe të FA. “Rosmolodezh”, Agjencia Shtetërore e Rinisë, mori përgjegjësinë për zbatimin e programeve më ambicioze të edukimit patriotik.

Autoritetet ngritën “rininë patriotike ushtarake “Lëvizja Yunarmiya” (lëvizja rinore pro qeveritare ruse promovon vlera që ndihmojnë shtetin rus përmes pranisë në internet dhe përdorimi i llogarive të mediave sociale), e cila është një nga motorët kryesorë të militarizimit të të rinjve.

PO KUSH JANË PËRFITUESIT E MILITARIZMIT?

Patriotizmi ushtarak implementohet mbi idenë e një programi zyrtar të edukimit patriotik. Të gjitha programet shtetërore kanë theksuar rrënjosjen e një gatishmërie për t’i shërbyer si objektiv kryesor. Sakaq, vetëflijimi promovohet si vlerë themelore. Trajnimi në aftësi ose vlera të tilla si disiplina, morali luftarak dhe besnikëria në grup vlerësohet si momenti më i rëndësishëm për Forcat e Armatosura.

(Ri) krijimi i një drejtorie politike brenda ushtrisë pasqyron vlerën e punës politiko-ideologjike. Si mjet për ndërtimin e kombit (ose ruajtjen e tij), patriotizmi ushtarak ofron një sërë atributesh tërheqëse. Ideja themelore është se ushtria ruse mishëron kombin, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shtetësisë dhe historisë. Jo vetëm historia e Rusisë si një shtet militarist i jep besim idesë, por përveç kësaj, ushtria si një Simboli (mbi) kombëtar në teori do të shërbente për të bashkuar Rusinë si trashëgimtare të një perandorie. Ajo në konceptin edhe doktrinar mbështetet në vlerat ushtarake si disiplina, hierarkia, kolektivizmi dhe vetëflijimi, të cilat mund të jetë një bazë për identitetin civil nga perspektiva e liderëve autoritarë Rusisë.

SA ËSHTË E VËRTETË DASHURIA E RUSISË PËR USHTRINË?

Liderët e Moskës në tërësi dhe veçanërisht ata ushtarakë po krijojnë një klimë armiqësore ndaj ”vlerave perëndimore”, Pra, ndërmjet kësaj përballje shumëdimensionale ata synojnë të krijojnë “madhështinë” e shtetit duke ruajtur të shkuarën si simbolikë të triumfit. Në vitin 2018 është zhvilluar një anketim për të vlerësuar mbështetjen për politikën militariste. Ai tregoi një përafrim me militarizmin politik. Rreth dy të tretat e të anketuarit pajtohen se Rusia ka nevojë për pjesëmarrjen ushtarake në “procese arsimore etj.” dhe 15% nuk pajtohen me këtë nocion. Tre të katërtat e popullsisë pajtohet se ushtria përbën “vetëdijen kombëtare”. Në përfundim të anketimit u konkludua se rusët i besojnë ushtrisë më shumë se institucioneve të tjera shtetërore. Forcat e Armatosura janë renditur kësisoj pak më lart se presidenca e Kishës Ortodokse.

ÇFARË KONSTATOJMË NGA PATRIOTIZMI USHTARAK?

Disa faktorë që mund të shpjegojnë preokupimin e Rusisë me ushtrinë në politikën e brendshme grupohen në dy shpjegime. Së pari, për arsye sigurie, një shtet duhet të ekspozojë dhe t’i “shes” ushtrinë e tij për të rekrutuar dhe për të siguruar mbështetje popullore. Së dyti, diskursi patriotik rus paraqet ushtrinë si autoritet moral dhe një spirancë për perceptimet ruse si një projekt qytetërues shumëkombësh. Në përfundim të pyetjes së lartë përmendur mund të themi se dy aspektet e edukimit patriotik kanë shpjegime, karakteristika dhe motivime të ndryshme strukturore ku secila prej tyre ka ndikimet e veta për sigurinë.

Kështu që për të vlerësuar rreziqet e Rusisë, lidhja e dashurisë së politikës dhe shtetit me ushtrinë duhet marrë parasysh tërësia e kësaj marrëdhënieje, e cila bashkon ata tek efekti “patriotizëm”. Në brendinë e diskursit ushtarakopatriotik, lufta dhe vdekja shpesh paraqiten në terma lavdie dhe sakrificash të kahershme që vijnë deri në ditët tona. Analiza jonë tërheq vëmendjen se glorifikimi i akteve të dhunshme të fëmijëve në kohë lufte është rikthyer sidomos në luftën në Ukrainë.

Në vijim, lidhja e dashurisë midis zyrtarëve dhe ushtrisë të saj nuk është e motivuar vetëm nga emocionet, ajo është e ndërgjegjshme për politikën instrumentale e imponuar – një mjet me shumë qëllime, e aftë për t’iu përgjigjur disa sfidave të rëndësishme, me të cilat përballet Rusia. Sot, kuptimi emocional ndaj politikës militariste është i dukshëm me idetë e saj që ka harruar konceptin paqe dhe e ka zëvendësuar me luftë. Tashmë është e qartë që doktrina ruse po shfaq lavdinë e re dhe të vjetër mbi kufomat në luftën në Ukrainë. Kjo mund të jetë një tezë e perspektivës për të vazhduar luftën edhe në rajone të tjera, përfshirë Ballkanin. * Instituti i Kërkimeve Shkencore Ushtarake

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura