Rusia dobëson rolin e SHBA në Siri

Oct 9, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

qemal-lameQEMAL LAME

   Takimi i Presidentit Putin me Presidentin Obama në New York, më 30 shtator 2015, i pari në këtë vit, solli disa ndryshime të menjëhershme në politikën ruse. Në opinionin publik ndërkombëtar, tërhoqën vëmendjen gjerësisht masat shtetërore dhe ushtarake nga Rusia për krizën siriane.
Duma e Rusisë miratoi dekretin e Putinit për veprimet ushtarake të planifikuara me anë të luftimeve ajrore, duke përjashtuar ndërhyrjen me trupa tokësore. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, menjëherë urdhëroi të fillojë bombardimi ajror i rebelëve në Siri. Një agjent i zbulimit në Ambasadën e Rusisë në Bagdad shkoi dhe njoftoi në Ambasadën Amerikane se do të fillojnë bombardimet ajrore. Pas këtij takimi, makina ushtarake ruse u vu në veprim me gjithë forcën e saj ajrore.

Putini dëshmoi efektivisht vullnetin e tij dhe njëkohësisht vetëqartësoi pretendimet e njohura më parë, duke bërë fakt prezencën e përhershme ruse në Lindjen e Mesme.
Ndërhyrja ajrore ushtarake ruse u shkallëzua disa ditë pas vendimit të Francës për fillimin e bombardimeve ajrore ndaj pozicioneve luftarake të ekstremistëve islamikë në Siri.
Me këto veprime të shpejta, u ndryshua tërësisht politika ndërkombëtare, veprimtaria e koalicionit të partnerëve perëndimorë të Aleancës ushtarake kundër regjimit të Asadit e terroristëve islamikë, sidomos e asaj amerikane dhe Presidentit Barak Obama.

– Në luftën për influencë dhe praninë ushtarake në Siri, Putini ndikon të dobësohet edhe rëndësia, prezenca dhe efektiviteti i politikës amerikane.
Siria është vendi ku ballafaqohen gjeopolitika e shteteve më të fuqishme perëndimore dhe ajo lindore ruse për qëndrimin ndaj Asadit, si dhe nevoja për bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar për luftën kundër Shtetit Islamik të vetëshpallur dhe me shtrirje të gjerë territoriale në Siri e Irak.
Prania dhe ndërhyrja ushtarake ruse shënojnë një pikë kthese drastike në luftën në Lindjen e Mesme. Në fillim, Rusia ndërtoi një bazë të re ushtarake ajrore. Me krijimin e kësaj mbështetjeje strategjike tokësore, Rusia konsolidoi praktikisht planet për praninë ushtarake të përhershme në Siri. Sapo u bë kërkesa e regjimit sirian, avionët luftarakë rusë bombarduan pozicionet e rebelëve.

Me këtë vendim të menduar e të planifikuar me kohë, si dhe duke pritur momentin më të përshtatshëm politik ndërkombëtar për të reaguar ushtarakisht, Presidenti Putin merr rol të ri ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit islamik, dëshmon për bashkëpunim me aleancën ushtarake perëndimore, me gjithë pikëpamjet e ndryshme që kanë midis tyre.
Me këto hapa që hidhen duke treguar vullnetin për reagime e përgjegjësi, koordinimin e veprimeve me Aleancën e partnerëve perëndimorë të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e masave konkrete për gjetjen e zgjidhjes së krizës siriane e të luftës kundër ISIS-it, Putini tregon ndërkombëtarisht se ka forcuar politikën ruse pas rimarrjes së Krimesë, si dhe ndërmerr aksionin ushtarak ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.

Me këtë demonstrim edhe më të fuqishëm të forcës politike e ushtarake ruse, ai ndihmon e konkretizon masat për të shpëtuar regjimin e pushtetit të Asadit, duke vazhduar qëndrimin e njohur që ta bëjë atë pjesë të zgjidhjes së krizës siriane.
Perëndimorët kërkojnë që ndërhyrja ruse të përqendrohet ndaj terroristeve, të mënjanohen bombardimet e forcave opozitare dhe viktimat në popullsinë civile siriane.
Më parë, propaganda ruse njoftonte se do të angazhohej në luftën kundër Shtetit Islamik, kundër ekstremistëve që bëjnë pjesë në forcat e milicisë së IS, Frontit “AL-Nusra, si dhe të “terroristëve” të tjerë. Por, Perëndimi akuzon Rusinë se ajo dëshiron të ndihmojë kryesisht kryetarin e shtetit sirian, Bashar al Asad.   

Ditën e fillimit të sulmeve ajrore, Putini theksoi se: “Ne po veprojmë konkretisht dhe nuk presim derisa terroristët të na vijnë te dera e shtëpisë e pastaj të reagojmë… Ndërhyrja ushtarake dhe bombardimet ajrore ruse do të jenë më të efektshme se ato amerikane…”
Sulmet e para ajrore të avionëve luftarakë që bombarduan në Siri, u përqendruan në territorin që Asad kërkon të rimarrë nën kontroll. Mediat perëndimore njoftojnë e publikojnë komente nga analistë të ndryshëm, se bombardimet nuk kishin si objektiv kryesor terroristët islamikë, por kundërshtarët e regjimit sirian. Kjo politikë ndikon në copëtimin e Sirisë në shtete të vogla.

Asadi do të vazhdojë të qeverisë me mbështetjen e Rusisë. Në rajone të tjera, do të kenë akoma pushtetin terroristët islamikë. Kështu do të krijohet një gjendje tjetër politike e ushtarake më e ndërlikuar në Lindjen e Mesme.
Agjencitë e lajmeve perëndimore referohen në njoftime të zëdhënësve qeveritarë dhe analistëve ushtarakë e politikë për Lindjen e Mesme, duke theksuar se sulmet e avionëve luftarakë rusë, të bërë ndaj kundërshtarëve të regjimit sirian, nuk dëmtuan bazat e terroristëve të IS. Me këto përfundime, jepen mendime se qëndrimet politike ruse nuk janë të besueshme për qëllimin e luftimeve me anë të ndërhyrjes ushtarake.

Ministri i Jashtëm i Rusisë u kundërvihet këtyre qëndrimeve dhe sqaron politikën ruse. Ai deklaroi në New York se janë goditur bazat e armatimit e municionit dhe forcat ushtarake të terroristëve, ashtu si ishte vepruar më parë edhe nga koalicioni i udhëhequr nga amerikanët.
Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Katari, Arabia Saudite, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ndaj pasojave të ndërhyrjes ushtarake ruse në Siri, depozituan një deklaratë në OKB dhe publikuan qëndrimin e tyre të përbashkët.

Nëpërmjet kësaj deklarate, të shtata këto shtete shprehin keqardhjen për “shqetësimin e madh” për sulmet ajrore ruse në qytetet siriane Hama, Homs und Idlib, të cilat kanë shkaktuar viktima në popullsinë civile dhe nuk janë përqendruar kundër organizatës terroriste të ISIS-it. Bashkërisht, këto shtete paralajmërojnë për pasojat e rënda të “zgjerimit të ndërhyrjes” në këtë konflikt. Këto shtatë shtete bashkërisht i kërkojnë Rusisë të ndërpresë goditjet ndaj forcave opizicionitare siriane dhe popullsisë civile, si dhe të përqendrohet në luftën kundër organizatës terroriste të ISIS-it.

Presidenti Putin iu përgjigj menjëherë reagimit të këtyre shteteve. Ai deklaroi dhe garantoi se ndërhyrja ushtarake ruse është drejtuar kundër forcave, pozicioneve dhe armatimit të terroristëve. Asnjë civil nuk është dëmtuar nga bombardimet luftarake të avionëve rusë.
Pas tri ditësh bombardime intensive, Putin bëri të njohur bilancin se janë vrarë 160 terroristë dhe 3 000 terroristë të tjerë janë larguar drejt Jordanisë. Edhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i vlerëson si gënjeshtra njoftimet për viktimat në popullsinë civile. Sqarohet e theksohet se janë goditur forcat e milicisë xhihadiste të Shtetit Islamik, në Palmira.

Ndërhyrja ushtarake ruse ka konkretizuar dy aleancat që veprojnë për krizën siriane.
Ndërhyrja ushtarake ruse zgjeroi më tej arkitekturën politike e ushtarake ndërkombëtare të shteteve që po veprojnë për zgjidhjen e krizës siriane. Situata politike e ushtarake ka krijuar dy gjendje aktualiteti të Sirisë, rajonalen dhe atë globalen, të cilat qëndrojnë armiqësisht kundër njëra-tjetrës.
Territori nën pushtetin e regjimit të Asadit është përforcuar me përqendrimin e forcave proruse. Veprimtaria luftarake drejtohet kryesisht nga qendra e krijuar në Bagdat si një instrument ushtarak koordinimi, i cili tregon se po vepron si një pozicion i fortë. Prej andej, komandohen avionët rusë që mbështesin trupat ushtarake shite. Kjo qendër kontrollon edhe Damaskun dhe pjesën tjetër shtetërore siriane të mbetur.

Pjesa properëndimore, me një qendër koordinimi në Aman, mbështet forcat ushtarake të kurdëve sirianë. Megjithatë, nuk kanë akoma ndonjë plan të përcaktuar për kohën që mund të veprojnë kundër Asadit, kundër terroristëve, si dhe për unifikimin e territorit të shtetit sirian. Vetëm Arabia Saudite ka bërë të njohur qëndrimin zyrtar se dëshiron të vazhdojë të mbështesë përfaqësuesin e saj ushtarak në Siri.
Analiza objektive e gjendjes në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri, Irak e territorin ku ka shtrirë veprimtarinë organizata terroriste islamike, tregon për nevojën e koordinimit midis këtyre dy aleancave ndërkombëtare. Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara u vlerësua Asadi si një tiran që vret edhe fëmijë. Disa udhëheqës shteti vlerësuan ndërhyrjen ruse dhe shprehën mendimin se Rusia na duhet për të ndryshuar gjendjen në Lindjen e Mesme.

Nga kritikat dhe pikëpamjet e ndryshme, kuptohen qartë interesat e veçanta gjeopolitike të aleancës perëndimore, në dallim nga ajo lindore. Në propagandën perëndimore vazhdon kritika për pasojat e ndërhyrjes ruse ndaj popullsisë civile dhe theksohet se po goditen padrejtësisht forcat opozitare të përkrahura nga Perëndimi. Edhe NATO bëri deklaratën e saj publike, duke kërkuar ndërprerjen e bombardimeve kundër forcave opozitare siriane dhe të viktimave në popullsinë civile.
Qëndrimet e publikuara të aleatëve perëndimorë nuk pranohen dhe argumentohen ndryshe nga Rusia. Pikëpamjet e ndryshme nuk është lehtë për t’i zgjidhur. Për të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt, më e rëndësishme mbetet vlerësimi i qëllimeve të përbashkëta dhe koordinimi i veprimeve për ndryshimin e gjendjes.

Opinioni publik ndërkombëtar kërkon zgjidhje dhe arritjen e paqes edhe në këtë rajon të tronditur prej kohësh. Nuk pranohet fakti që pas “Pranverës Arabe”, po vazhdon “dimri i zgjatur arab”, nuk tolerohet “dekada e krizës siriane”, kritikohet vullnet i pamjaftueshëm dhe rezultatet jo të kënaqshme të luftës kundër terrorizmit islamik. Nuk do të ishte e efektshme as gjendja faktike e zgjerimit spektakolar të Shtetit Islamik për ta përdorur si presion politik e ushtarak për rikonfigurimin e gjendjes në Siri e në Irak.  

Përfshirja konkretisht e Rusisë në luftime tregon për një përshkallëzim të politikës ndërkombëtare. Me gjithë pikëpamjet e ndryshme politike e ushtarake në Perëndim dhe në Lindje, për zgjidhjen e krizës siriane dhe të luftës kundër Shtetit Islamik të vetëshpallur, do të rritet më shumë përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos e aktorëve të përfshirë në luftime për masa më të efektshme, për veprime konkrete, për rezultate dhe ndryshime të gjendjes.
Në kushtet që avionët luftarakë rusë u përfshinë në luftime, si dhe të faktit që regjimi i Asadit ka mbështetjen edhe të Rusisë, rritet mundësia për rimarrjen e kontrollit të territoreve siriane që janë nën kontrollin e terroristëve. Ky do to të ishte një avancim i politikës ruse për zgjidhjen e krizës siriane e të luftës kundër ISIS-it.

Regjimi sirian po planifikon një ofensivë të madhe në provincat Hama dhe Idlib. Në bazë të njoftimeve të deritanishme, për këtë kundërsulm po mobilizohen mijëra trupa ushtarake, Milicia shite libaneze Hisbollah, Garda e Revolucionit të Iranit dhe milicë të aleatëve të tjerë. Ofensiva do të drejtohet kundër koalicionit të përbërë nga moderatorë të rebelëve të ndryshëm që përbëjnë Frontin Nusra.
Një këshilltar i milicëve të Forcave të Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë (FSA) bën të ditur se kanë ardhur mijëra trupa ushtarake nga Irani dhe nga Hezbollah që duan të luftojnë në Siri. “Ofensiva nuk do të drejtohet nga regjimi sirian”, deklaronte Osama Abu Seid. “Ne kemi luftëtarë të huaj që nuk luftojnë në tokën e vendit të tyre.”

Aleanca perëndimore e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepron prej kohëhs dhe ka planet e saj për zgjidhjet politike dhe ushtarake në këtë rajon. Koha e kaluar tregon se nuk janë arritur akoma rezultatet e synuara. Për këto dobësi, janë bërë kritika të qarta edhe në Kongresin Amerikan.
Me ndërhyrjen e Rusisë, Aleanca perëndimore kërkohet të jetë më efektive. Kështu, Italia njoftoi, më 6 tetor 2015, si filloi bombardimin e pozicioneve të terroristëve në Siri. Kjo situatë e re politike e ushtarake do të ndikojë që të shtohet edhe përgjegjësia për gjendjen aktuale, të nxitet intensifikimi i veprimeve luftarake dhe të koordinohet edhe me rusët.

Shtetet e përfshira konkretisht në krizën rajonale në Lindjen e Mesme do të vihen më shumë para përgjegjësinë së tyre ndërkombëtare. Veprimtaria politike, ushtarake dhe diplomatike perëndimore dhe ajo lindore kërkohet të ketë rezultate, të arrihet marrëveshja për zgjidhjen e krizës siriane dhe shkatërrimin e organizatës së ISIS-it.
Lufta kundër ISIS-it mbetet vendimtare për aleancat politike dhe ushtarake që veprojnë në këtë rajon, si në tërësi për politikën ndërkombëtare dhe mbrojtjen e arritjeve të lirisë, sigurisë e paqes në botë. Në kushtet e civilizimit të sotëm, nuk kishte arsye të ndodhte zgjerimi i papritur e i menjëhershëm i organizatës terroriste, duke shtrirë faktikisht veprimtarinë e saj në një territor të gjerë të shtetit të Irakut e të Sirisë. Fuqitë ushtarake më të fuqishme të kohës, si dhe aleanca e shteteve islamike që i mbështet ato kërkohet që të fitojnë luftën kundër ISIS-it.

Kjo e keqe që kërcënon njerëzimin dhe qytetërimin mbetet një mësim për të ardhmen.    
Izraeli dhe Turqia janë të parat shtete që ndiejnë nga afër prezencën ruse në Siri.
Izraeli nuk do të ketë më mundësitë e pakufizuara për të ndërhyrë ushtarakisht si deri tani, në Siri dhe në Liban, kundër Hezbullahit. Me bazën ajrore në Siri, krijohen kushtet strategjike dhe taktike që Rusia të shtojë prezencën e saj edhe në Detin Mesdhe, të ballafaqohet dhe të pengojë kur i intereson edhe Marinën Ushtarake e zhvillimin e mëtejshëm të gazsjellësit izraelit.
Turqia nuk mund të realizojë kërkesën e saj për një zonë fluturimi të ndaluar në Veri të Sirisë.
Luftimet e zhvilluara nga avionët rusë krijuan probleme me shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë. Avionët luftarakë turq ndërhynë menjëherë për të mos lejuar avionët luftarakë rusë të hyjnë në thellësi të territorit të tyre.

Rusia pranon dhe argumenton se shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë nga avionët rusë ka ndodhur aksidentalisht, për shkak të mjegullës dhe të shiut.
Ky argument nuk vlerësohet i mjaftueshëm. Kërkohet të mos përdoret ndërhyrja ruse kundër opozitës siriane të përqendruar në kufi me Turqinë dhe të mos cenohet integriteti territorial turk.
Me shkeljen e hapësirës ajrore turke, cenohen edhe interesat e Aleancës ushtarake perëndimore, pasi Turqia është shtet anëtar i NATO-s. Stoltenberg kërkon të përdoren mundësitë që janë për kontakte konkrete dhe sqarime më të hollësishme nga Rusia.

Ndërhyrja ruse ka ndezur më tej situatën luftarake në Siri dhe gjithë Lindjen e Mesme. Prandaj kërkohen veprime efektive nga Perëndimi e Lindja, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Pasojat e kësaj krize do të sjellin edhe më shumë emigrantë që mbushin rrugët e synojnë të arrijnë në Europë. Ky është një problem tjetër për zgjidhje nga europianët, amerikanët dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura