Rusia dëbon 20 diplomatë çekë/ SHBA: Qëndrojmë në krah të Çekisë

Apr 19, 2021 | 7:41
SHPËRNDAJE

rusi-cekiNë Rusi, Agjencia Shtetërore e Lajmeve RIA njoftoi se autoritetet po dëbojnë nga vendi 20 diplomatë çekë, të cilët i kanë urdhëruar të largohen deri të hënën.

Masa vjen si hakmarrje ndaj vendimit të Pragës për të dëbuar disa diplomatë rusë duke akuzuar Moskën se qëndronte pas një shpërthimi në një depo municionesh të këtij vendi. Agjensia ruse e Lajmeve RIA citonte ministrinë e Jashtme ruse.

Të dielën Shtetet e Bashkuara thanë se qëndrojnë krah Republikës Çeke lidhur me vendimin për të dëbuar diplomatët rusë.

SHBA qëndron me Republikën Çeke në përgjigjen e saj të vendosur kundër veprimeve keqdashëse të Rusisë në tokën e çeke“, shkruante zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në Twitter.

Ne duhet të veprojmë në mënyrë të vendosur në përgjigje të veprimeve ruse që vënë në rrezik integritetin territorial, sigurinë energjitike ose infrastrukturën kritike të aleatëve dhe partnerëve tanë“, tha ai,

Republika Çeke tha të dielën se ka informuar aleatët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në lidhje me përfshirjen e dyshuar ruse në një shpërthim depoje municionesh në vitin 2014 dhe çështja do të trajtohet të hënën në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së.

Vendi i Evropës Qendrore dëboi 18 punonjës të ambasadës ruse të shtunën për këtë çështje dhe tha se hetimet i lidhnin shërbimet ruse të zbulimit me shpërthimin, i cili la pas vetes dy të vrarë.

Kryeministri çek, Andrej Babish, tha se të 18 diplomatët, të cilët janë identifikuar se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, kanë 48 orë afat për t’u larguar nga vendi.

Duke reaguar ndaj dëbimeve, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha për mediat ruse se “Praga është e vetëdijshme se çfarë pason lojërat e tilla”.

Agjencia e lajmeve ruse Interfax, citoi Vladimir Dzhabarovin, nënkryetar i parë i komitetit të çështjeve ndërkombëtare të dhomës së lartë të parlamentit rus të jetë thënë se pohimet e Pragës janë absurde dhe përgjigja e Rusisë duhet të jetë proporcionale.

Dëbimet dhe akuzat çeke kanë shkaktuar mosmarrëveshjen më të madhe me Rusinë që nga fundi i sundimit komunist në vitin 1989, kur Praga ishte nën dominimin e Moskës.

Incidenti ndodhi mes shqetësimit perëndimor për një grumbullim të madh ushtarak rus në kufijtë perëndimorë të Rusisë dhe në Krime, të cilën Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, pas një shtimi luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare në Ukrainën lindore.

Të dielën, Komisioni Evropian konfirmoi njoftimin e ministrit të Jashtëm çek, Jan Hamacek, se mosmarrëveshja me Rusinë do të trajtohet gjatë një video konference të ministrave të jashtëm, të planifikuar që më parë për të hënën.

Ndërkohë, policia çeke tha se është vënë në kërkim të dy burrave në lidhje me një veprimtari serioze kriminale të cilët mbanin pasaporta ruse me emrat Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, dhe se burrat kishin qëndruar në Çeki në ditët para shpërthimit të vitit 2014.

Këto ishin pseudonimet e përdorura nga dy oficerë të zbulimit ushtarak rus (GRU) të cilët prokurorët britanikë i akuzuan për përpjekjen për helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia me agjentin nervor Novichok në qytetin anglez të Salisbury në vitin 2018. Moska mohoi përfshirjen në atë incident.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe u solidarizuan me Republikën Çeke në mosmarrëveshjen e saj me Rusinë.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, shkroi se çekët “kanë ekspozuar se sa larg mund të shkojë GRU në përpjekjet për të kryer operacione të rrezikshme dhe malinje”, duke iu referuar agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër Rusisë të enjten, për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, ndërhyrjet kibernetike, sulmet ndaj Ukrainës dhe veprime të tjera të dëmshme, duke e shtyrë Moskën të hakmerret.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se mendonte që presidenti rus Vladimir Putin ishte një “vrasës” dhe pas kësaj Moska tërhoqi ambasadorin e saj në Uashington për këshillime.

Incidenti ndodhi në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet Çeki-Rusi.

Qeveria çeke po planifikon të hapë një tender prej miliarda eurosh për të ndërtuar një central të ri bërthamor dhe shërbimet e sigurisë kanë kërkuar që Rusia të përjashtohet nga ofertat si një rrezik sigurie.

Presidenti Milosh Zeman dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë argumentuar në favor të Rusisë Ministri i industrisë tha të shtunën se incidenti mund të ndikojë në proces.

Presidenti i Senatit çek, tha se shpërthimi i vitit 2014 mund të konsiderohet akt i “terrorizmit shtetëror”.

“Nëse konfirmohet, ne duhet t’i konsiderojmë veprimet e shërbimeve sekrete ruse si manifestim serioz të agresionit dhe armiqësisë, që mund të përshkruhet edhe si akt i terrorizmit”, u tha gazetarëve Milos Vystrcil, kundërshtar politik dhe kritik i kryeministrit Babish./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura