“Rusi 2018″/ Alarmohen maqedonasit, kanë frikë nga shqiptarët. Arsyet pse jemi favoritë

Jul 27, 2015 | 17:55
SHPËRNDAJE

Shorti i grupit G për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018” ka vënë përballë për herë të parë në një edicion kualifikuesesh Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dy skuadra Kombëtare që mes tyre kanë tetë përballje, por të gjitha si takime miqësore. Në opinionin sportiv maqedonas, përballja me Italinë dhe Spanjën është cilësuar si një spektakël për tifozët, ndërkohë që fakti që do të jenë në një grup me Shqipërinë është konsideruar si një rrezik për Maqedoninë.

Gjergji Muzaka, gjate nje dyluftimi, ne ndeshjen miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-Maqedoni, 0-0, e luajtur ne stadiumin, Skenderbeu, ne Korce.
Gjergji Muzaka ne ndeshjen miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-Maqedoni, 0-0, e luajtur ne Korce

Mediat e kanë përcjellë si një përballje, ku skuadra e tyre do të jetë e rrezikuar në shumë drejtime përballë kuqezinjve. Maqedonasit u tremben shumë faktorëve që do të jenë si faktorë ndihmues të kuqezinjve në dy përballjet që do të luhen mes tyre.

Përqindja e popullsisë
Kur flasim për Maqedoninë dhe popullsinë e saj, nuk duhet të harrojmë që rreth 1/ 3-at e saj janë shqiptarë. Kjo në shifra të përafërta, pasi diçka e tillë mund të jetë në raporte që e bëjnë numrin e shqiptarëve akoma më të madh. Në këtë mënyrë, në ndeshjen që do të luhet në Maqedoni nuk është shumë dominues opinioni sportiv që mbështet Maqedoninë, në krahasim me atë që mbështet kuqezinjtë.

Lojtarët
Nuk janë të paktë lojtarët që janë pjesë e Kombëtares së Maqedonisë, por që janë me origjinë shqiptare. Këta lojtarë e tregojnë hapur mbështetjen për Shqipërinë, në deklarata, apo edhe në mbështetjen që bëjnë në fushata të ndryshme në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë, simpatia e tyre për Shqipërinë ka bërë që “macedonian football.com” të shtrojë një pyetje: “Si do të jetë forma e këtyre lojtarëve në përballjen me Shqipërinë? A rrezikojmë që ata të mos japin maksimumin e tyre përballë një kombëtareje që e simpatizojnë edhe haptazi?”, shkruhet në mediat maqedonase, duke iu referuar lojtarëve me origjinë shqiptare.

Tifozëritë
Një tjetër shqetësim për maqedonasit është se disa nga grupet kryesore të tifozërive që janë të organizuara janë mbështetëse të rregullta të Shqipërisë. Tifozët e Shkëndijës dhe të Shkupit, si dhe shumë grupime të tjera masive, e kanë treguar hapur mbështetjen e tyre për Shqipërinë, ndaj edhe në përballjet Maqedoni-Shqipëri atmosfera mund të jetë e zbehtë në favor të Maqedonisë. Këto arsye bëjnë që maqedonasit të kenë frikë përballë Shqipërisë, pasi shumë faktorë që duhet të jenë mbështetës të kombëtares anojnë nga kuqezinjtë dhe jo nga Maqedonia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura