Rugova, si i theu klishetë për dasinë mes letrarit e politikanit

Jun 16, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

“Zot falma njohjen!”. Ky do të ishte psalmi dhe lutja e tij e përditshme, teksa përpiqej të përmbushte si Sizif misionin e tij të vështirë, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes mohimit dhe adhurimit. Ibrahim Rugova ishte një përjashtim ndër liderët e Ballkanit.

Fotografi realizuar nga fahredin Spahija
Fotografi realizuar nga fahredin Spahija

I konsideruar si një “hero jo i dhunshëm”, ai do të “shembte” mitin e heroit ballkanik me shpatën zhyer në gjak. Në 10-vjetorin e vdekjes së tij, Rugova mblodhi dje në Tiranë studiues e kritikë nën aktivitetin “Kujtesa e Rugovës”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Nga konferenca shkencore “Kujtesa e Rugovës”, dje në Bibliotekën Kombëtare
Nga konferenca shkencore “Kujtesa e Rugovës”, dje në Bibliotekën Kombëtare

Të gjithë ligjëruesit e patën të vështirë të ndajnë letrarin nga politikan, homo politicus e homo poeticus. Një dikotomi që e ka shoqëruar letërsinë shqipe që me Bogdanin. Madje, ky i fundit do të ishte një model për Rugovën, i cili do të studionte në detaje veprën e Bogdanit dhe siç thotë ministri i Kulturës së Kosovës, studiuesi Kujtim Shala, ai e trajtoi atë si një bashkëkohor.

“Një dijetar si Rugova apo si Bogdani dikur, një prijës e misionar si këta, duhet të provojë stuhitë e mëritë e të tjerëve pa asnjë fjalë, sepse dinjitarët maten fort, ndërsa mëritë vdesin në vete. Ndoshta edhe kjo është një zbulesë (rugoviane) për ne sot e për të tjerët nesër”, u shpreh Shala në kumtesën me titull “Zbulesa e kujtesa”. Sipas tij, Bodani e Rugova kapërcejnë “keqkuptimin e vjetër që ndan homo poeticus nga homo politicus, që të jetojë njëri, duhet të vdes tjetri”.

“Rugova u bë prijës, kur në Kosovë vepra s’mund të lexohej, por ai e dinte se vepra s’mund të zhbëhej”. Për dimensionin e Rugovës si homo politicus, si një prijës europian, humanist, pacifist, i frymëzuar nga Nënë Tereza e Gjon Pali II do të kumtonin edhe Nysret Krasniqi, por edhe Muhamet Hamiti, i cili e ka njohur qysh në kohët e shkollës, deri në momentet e fundit të jetës, kur Rugova u mposht nga sëmundja e pashërueshme e kancerit e që, sipas referuesit, e përballoi atë trimërisht deri në fund, duke preferuar madje që të ishte vetë ai që do të njoftonte popullin e Kosovës për sëmundjen e tij.

Fotografi e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, realizuar nga artisti kosovar, Fahredin Spahija, nën titullin “Rugova”
Fotografi e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, realizuar nga artisti kosovar, Fahredin Spahija, nën titullin “Rugova”

Po ashtu, Halil Matoshi në kumtesën e tij “Qytetari i edukuar në frymën e demokracisë liberale” do të përshkruante figurën e Rugovës si një “nacionalist racional” dhe “atipik” në gjithë rajonin e Ballkanit; “dardanolog e etnolog, etnopsikolog e politikan i qetë në Ballkanin e trazuar, lider kombëtar i shqiptarëve kosovarë dhe president i tyre, por mbi të gjitha një qytetar shembullor dhe rroker, ndonjëherë njeri kryeneç e refuzues i madh, më shpesh pacifist perfekt…”.

LIGJËRIMI POLITIK

Studiuesit Mark Marku e Persida Asllani, në një kërkim të përbashkët me titull “Rasti Rugova: Koherenca dhe inkoherenca të një ligjërimi politik”, do të sillnin një vështrim interesant në veprimtarinë e Rugovës në diskursin e tij politik, madje në një moment vendimtar për gjithë karrierën e tij politike: takimin me Millosheviçin në Beograd.

Fotografi e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, realizuar nga artisti kosovar, Fahredin Spahija, nën titullin “Rugova”
Fotografi e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, realizuar nga artisti kosovar, Fahredin Spahija, nën titullin “Rugova”

Cilat ishin reagimet në Kosovë, në Shqipëri dje në opinionin ndërkombëtar, por edhe vetë qëndrimi i Rugovës pas kthimit në Kosovë. Marku e Asllani kanë marrë në analizë intervista e analiza të botuara në shtypin e kohës. Referuesi Mark Marku na kthen pas në kohë në qëndrimet që do të mbanin krahët politikë dhe institucionet në Shqipëri:

Presidenti Rexhep Meidani, një kundërshtar i Rugovës dhe mbrojtës i UÇK-së, Fatos Nano me qëndrimin e tij “korrekt” me të dyja “palët” dhe Sali Berisha, përkrahës i Rugovës, por nga ana tjetër nuk sulmon UÇK-në. Marku do të ndalej në qëndrimet e vetë Rugovës, i cili nuk kërkon të shfajësohet për takimin e tij me Millosheviçin. Ai nuk e mohon dhe as reagon si ç’do bënte çdo politikan ballkanas.

Rugova, në fotografitë e Fahredin Spahisë

Edhe kur nuk është fizikisht, ai është aty: në fotografitë që njerëzit mbanin në duar, në një banderolë, në dritën e qiriut që ndrijnë për shpirtin e tij, në radhët e gjata në mes të dëborës për të bërë homazhe rreth arkëmortit. Lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, vjen përmes fotografive të realizuara nga artisti Fahredin Spahija.

ekspo rugova

Të ekspozuara së pari më 21 janar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ekspozita “Rugova” u hap dje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, në kuadrin e aktivitetit të përbashkët “Kujtesa e Rugovës”, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes. Kjo ekspozitë, në përbërje të së cilës janë 15 fotografi përshkojnë vetëm një pjesë të rrugëtimit të Rugovës, që nga angazhimet politike në periudhën e pasluftës e deri në momentin kur në janarin e vitit 2006 Rugova u varros në varrezat e Velanisë.

Këto fotografi, të cilat iu dhuruan BKSH-së, janë vetëm një pjesë e arkivit të Spahisë, i cili paraqet figurën e liderit politik, jo përmes pozimesh, por shkrepjesh “pa mendje”, por që reflektojnë Rugovën në momente reflektimi, një proces që e shoqëroi atë përgjatë gjithë jetës së tij, por edhe Rugova i qeshur… Një njeri dhe një politikan, ashtu si ishte në të vërtetë.

“Novatorizmi” i realizmit socialist

Studiuesja Dhurata Shehri ndalet vetëm në aspektin si letrar të Rugovës, si një kritik i rëndësishëm, ndër të tjera edhe për një nga periudhat ku më së shumti letërsia është diktuar nga politika, atë të realizimit socialist.

Në “Kritika mbi “novatorizmin”, duke iu referuar një prej veprave më të rëndësishme të Rugovës “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”, ajo do të shkëpuste një moment që do të konsiderohej si një “thyerje”, në vitin 1961, por që në të vërtetë, sipas Rugovës, nuk ishte veçse një zgjerim dhe një vazhdim i metodës ideologjike që diktohej nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës.

Sipas Rugovës, i ashtuquajturi novatorizëm në letrat shqipe “ishte një evolucion i dogmës socialiste” dhe 1961-shi vetëm një “iluzion debati”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura